Ballina Politikë Basha: Kuvendi Kombëtar nuk do të mblidhet, objektivi është rrëzimi i regjimit...

Basha: Kuvendi Kombëtar nuk do të mblidhet, objektivi është rrëzimi i regjimit të Edi Ramës dhe sjellja e PD në pushtet

Kryetari i PD, Basha u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve

Pyetje: Kam dy pyetje. Një pyetje për ju zoti Basha dhe një për zonjën Duma si depozituese e kërkesës për komisionin hetimor për çështjen Becheti. Po e nis me zonjën Duma duke qenë se jemi menjëherë për çështjen Becheti. Partia Demokratike dhe ju personalisht, keni shprehur rezerva të forta për funksionimin e sistemit të drejtësisë, për funksionimin e SPAK, zoti Basha e përmendi kryeministrin Rama, kryebashkiakun Veliaj dhe zotin Agaçi. Kur drejtësia për këta individë nuk funksionon çfarë roli mund të ketë komisioni hetimor dhe si mund të funksionojë një komision hetimor për të prodhuar pasoja ligjore për këta individë?

Grida Duma: Roli i opozitës dhe çdo partie politike është së pari të vendosë përgjegjësin dhe të përcaktojë kush është përgjegjësi dhe ne e kemi deklaruar në disa momente të daljes publike, që 120 milionët që mund të jenë vazhdë e shumë dëmeve që ka shkaktuar keqqeverisja Rama, nuk mund të vijojë më të paguhen nga shqiptarët dhe jo nga ata që e kanë shkaktuar dëmin.
Ky është një rast nga më ekzemplarët që tregon se si politika me gjithë mëkatet e drejtësisë, politika e ka bërë që drejtësia të jetë edhe më disfunksionale, që do të thotë në vetë të parë: Edi Rama dhe Erjon Veliaj dhe Ëngjëll Agaçi kanë të dhëna dhe prova , kanë influencuar drejtpërdrejtë gjykimin e çështjes ndërkohë që çështja ishte në gjykim.

Çka do të thotë që gjykata e arbitrazhit ndërkombëtar, kur ka marrë dhe ka diskutuar mbi vendimet e gjykatave shqiptare, ka parë që politika ka qenë aksioneri më i madh që ka ndikuar në vendimet e gjykatave shqiptare të cilat pastaj dalin edhe si të dëmshme dhe jo të duhura dhe shkaktojnë këto 120 milionëshin dëm Shqipërisë.

Nëse ne kemi një kryeministër i cili del publikisht dhe në vetë të parë deklaron që ta harrojnë ata të gjykatës apo ku di unë, kushdo qoftë që do të shikojë këtë që kemi bërë me energjinë në këtë moment apo dhe çdo gjë tjetër me ata, do ti hetojmë deri në fund në rast se nuk japin vendimin e duhur. Se nuk ka parim të fjalës së lirë me para të pista. Pra ai i bën të gjitha gjykimet vetë, në vetë të parë në mediat nacionale, publikisht disa herë në vite.

Kemi SMS e Veliajt i cili i drejtohet stafit të Agon Channel dhe i thotë: nuk e prisja këtu stafin tuaj për dasmën time dhe për këtë arsye do më keni mua armik dhe gjithë qeverinë.

Keni një dëshmi të vetë pronarit të medias që thotë: Takova sekretarin e përgjithshëm dhe më tha shko tako konkurrentin për ta zgjidhur këtë çështje.

Pra kjo nuk është thjeshtë dhe vetëm një çështje e keqfunksionimit të drejtësisë të cilin ne e diskutojmë ose jo në këtë moment, por kjo është e çështje e përfshirjes së politikës në presion absolut mbi drejtësinë, që bën gjykatën e Arbitrazhit të japë këtë dëm për Shqipërinë.

Pra është e qartë që ndëshkimi duhet të shkojë tek shkaktari dhe ata që do të thërriteshin janë këta individë dhe më tepër, dhe patjetër që përpara shqiptarëve ka një gjykim më të qartë dhe më të pastër sesa thjeshtë gjykimi me dyer të mbyllura nëpër gjykata. Ky gjykim së pari publik, moral dhe kredibël do të vlejë për të çuar çfarë? Dëmin që mos ta paguajnë më shqiptarët po ata që e shkaktuan dhe patjetër që komisionet parlamentare hetimore kanë kornizën e vet, por kjo nuk do të thotë që pas kornizës së tyre nuk hapin një hap tjetër për të shkuar tek ndëshkimi nëse ata shfaqen qartësisht fajtorë dhe të ndëshkueshëm për këtë çështje.

Pyetje: Edhe një pyetje të dytë për ju zoti Basha sa i takon nismës ligjore të paraqitur përgjatë kësaj jave sa i takon vettingut në politikë. Partia Demokratike është investuar le të themi me të gjithë funksionarët e saj po shpjegon nevojën e vettingut në politikë, ndërkohë që një ditë më parë ish-kryeministri Berisha, po e citoj prandaj e nxora: “Se si e quan veten demokratike të propozojë që të vendosë SPAK për mandatet e deputetëve që është i Ramës, do të thotë të jesh skllav i tij”. Kjo deklaratë le të themi e shikoni si frikë të zotit Berisha për të qenë subjekt i vetingut të politikës apo si nismë të gabuar të Partisë Demokratike?

Lulzim Basha: Duhet të themi edhe njëherë diçka për njerëzit, që nisma jonë nuk është e javës së kaluar, nisma jonë është e vitit 2018-të. Në vitin 2018-të, i gjithë grupi parlamentar i Partisë Demokratike dhe gjithë opozita e bashkuar kërkoi vetting-un e politikanëve, depozitoi edhe me firmën e Sali Berishës, edhe me firmën e të tjerëve në Kuvend amendamentet kushtetuese, kërkesën për vetting-un e politikanëve.
Ky është fakti.

Pas kësaj, siç e dini, Edi Rama, për të vonuar procesin kërkoi dërgimin në Komisionin e Venecias. Ne pranuam. Komisioni i Venecias solli një përgjigje të cilën e kemi publikuar dhe besoj e dispononi në media që nga java e kaluar. Çfarë po ndodh sot është që ne tani kemi marrë të njëjtin propozim të firmosur nga opozita në shtator apo tetor të 2018-ës dhe kemi reflektuar të gjitha vërejtjet, kërkesat e Venecias.
Kaq ka ndodhur.

Unë i qëndroj firmës time të shtator apo tetor të 2018-ës.

Nëse dikush tjetër i qëndron apo ka ndryshuar mendim, kjo është çështje e çdokujt tjetër. Unë dhe grupi parlamentar i Partisë Demokratike, me depozitimin që i kemi bërë kërkesës për vetting-un e politikanëve, tashmë në përputhje dhe në zbatim të rekomandimeve të Komisionit të Venecias, nuk bëjmë gjë tjetër veçse konfirmojmë atë që kemi kërkuar prej 2018-ës. Por siç e thashë: të plotësuar me të gjitha aspektet që ka kërkuar Venecia të adresohen. Kjo dhe vetëm kjo është e vërteta dhe nuk ka asnjë tërheqje nga kjo.

Është pjesë e amendamenteve kushtetuese që janë depozituar dhe ka zero tërheqje nga kjo.

Edhe një gjë tjetër: Unë flas për veten time, pa diskutim, që ky është një akt i cili kërkon një masë të plotë sinqeriteti, prandaj herën e fundit që ishim në këtë hapësirë, ju kam thënë dhe kam kërkuar zyrtarisht që vettingu të fillojë nga unë. Sepse, vettingu që të ketë besueshmëri dhe që të kryhet sipas rekomandimeve të Venecias nuk duhet dhe nuk mund të përjashtojë askënd. Por as nuk mund të kryhet në forma dhe mënyra, që shkatërrojnë besimin tek procesi i vettingut.

Me fjalë të tjera, në qoftë se vettingu im do të bëhet nga Gaz Bardhi dhe nga Grida Duma, e kuptoni se çfarë vettingu do të jetë?!

Ne kërkojmë vetting të vërtetë të politikanëve. Ne nuk kemi frikë nga asnjë kontroll i thelluar siç parashikon drafti që kemi parashikuar në kushtetutë dhe mirëkuptoj frikën e kundërshtarit politik apo shqetësimet që mund të ketë, por po i them atë që i thashë para një jave: kjo nuk është ekspeditë ndëshkimore ndaj korrupsionit të Edi Ramës dhe ministrave të tij, ndonëse një ekspeditë e tillë është e fort-merituar.

Jo, ne s’po themi që ta bëjmë ne vettingun. Kjo nuk bëhet për ne, s’ bëhet për interesat tona politike, prandaj kemi thënë të fillojë nga ne të parët, nga unë i pari, por duhet të marrë fund rrotaxhilja e të bërtiturit në emër të reformës në drejtësi, ndërkohë që atë që kërkon për gjyqtarët dhe prokurorët ke frikë ta bësh për veten tënde.

Vettingu për politikanët do të jetë publik dhe testi i çdo politikani, i çdo force politike qoftë ai, është pikërisht qëndrimi ka ndaj procesit të vettingut të politikanëve.

Pyetje: Ju, zoti Basha, keni deklaruar që nuk do të lejoni që të mblidhet Kuvendi Kombëtar, ndërsa në muajin shtator zoti Rushaj në Opinion ka deklaruar, nëse mblidhen firmat e nevojshme do të ndiqen procedurat për mbledhjen e kuvendit. Në këtë rast kë të besojmë, ju apo zotin Rushaj?

Lulzim Basha: Ju duhet të besoni të vërtetën dhe e vërteta është fare e thjeshtë: Unë kam thënë që detyra e kryetarit të Partisë Demokratike, pra në këtë rast detyra ime, është zbatimi i statutit. Dhe neni 3 i statutit është i qartë sa i takon drejtimit Euro-Atlantik të Partisë Demokratike, ndaj kam thënë dhe përsëris, që Kuvendi Kombëtar, që të marrë në shqyrtim vendimet e qeverisë Amerikane nuk ka për të pasur sa të jem unë kryetar i partisë dhe qëllimi të paktën për momentin është të përfundoj mandatin e dhënë nga shumica dërmuese e demokratëve, duke e çuar këtë parti drejt objektivave të saj që është rrëzimi i regjimit të Edi Ramës dhe sjellja e PD në pushtet.

Pra, këtë kam thënë dhe kësaj i qëndroj 100%.

Tani, ajo që duhet t’iu habisë ju dhe këtu nuk ka ndonjë divergjencë me atë që thotë dhe zoti Rushaj. Ajo që duhet t’iu habisë në fakt siç më ka habitur mua është që, njeriu që bërtet statuti, statuti, statuti, shpall dhe i jep vetes kompetenca që nuk i ka dhe s’mund t’i ketë me statut.

Pyetje: Neni 43 merret parasysh?

Lulzim Basha: Sali Berisha nuk ka ndonjë mbifuqi nga statuti i partisë për të njoftuar apo thirrur asnjë institucion të partisë.

Partia ka institucionet e saj dhe statuti dhe procedurat si mblidhen institucionet janë të qarta.

Sali Berisha mund të thërrasë institucione paralele, në përpjekjen e tij për ta bërë partinë bunker për hallet e tij personale, por demokratët kanë halle të tjera dhe prioritete të tjera, Shqipëria dhe shqiptarët kanë hallë të tjera dhe prioritete të tjera.

Kuvend Kombëtar kam thirrur, thërras e do të thërras pa asnjë shqetësim, pa më të voglin shqetësim dhe hezitim sa herë që të ketë një çështje statutore për të vendosur apo për të vendosur, apo një vendim tjetër për të marrë. Por institucione paralele dhe bunker nuk thërras dot, sepse atë s’ma lejon statuti. Cilido qoftë, nëse ka çështje për diskutim t’i drejtohet institucioneve të partisë dhe jo bunkerit.

Pyetje: Meqënëse pjesë e konferencës është zonja Duma dhe zoti Bardhi sekretar i përgjithshëm. Zonja Duma, ju keni deklaruar disa ditë më parë në një emision se mbledhjet me deputetët regjistrohen, a është e ligjshme kjo? A lejohet kjo gjë meqënëse dhe zoti Bardhi…

Lulzim Basha: Jo nuk ka deklaruar këtë meqë ra fjala, është një nga keqinformimet e shumta për fat të keq që vijnë nga një hapësirë mediatike që për një kohë të gjatë ka qenë shpresa e demokratëve dhe shpresoj që dita mund të vijë, ishallah vjen që të kthehet në shpresën e demokratëve, se për momentin me thënë të drejtën e shoh me trishtim dhe me dhimbje të madhe ku është katandisur.

Nuk ka njeri besoj që nuk e kupton, që çdo institucion i partisë ka procesverbale për çdo takim. Ka dhe mban qëndrimet e veta për çdo çështje, aq më shumë për çështjet e rëndësishme. Kështu që ky është një nga ato të tjerat spekulimet fantastike të cilat nuk meritojnë sesa keqardhjen e thellë dhe shpresën dhe lutjen Zotit, që t’iu kthejë qartësinë e mendjes dhe qetësinë e shpirtit për të mos shtrembëruar të vërtetat.

Pyetje: Meqenëse jemi të qartë zoti Basha dhe dua të bëj dhe një pyetje tjetër. Në fund të muajit qershor ju bëtë me dije analizën për zgjedhjet e 25 prillit dhe theksuat se në muajin shtator do të ketë një analizë të brendshme. A është bërë kjo analizë dhe në rastin e zotit Luan Baçi, përse nuk bëhen zgjedhje në Fier dhe emërohet një tjetër drejtues në qarkun e Fierit, meqenëse ju mbështeteni edhe nga 95% e bazës?

Lulzim Basha: Në fakt mbështetja ka shkuar 97 përqind tani që flasim. Ndërsa çështja e Luan Baçit nuk ka lidhje fare me këtë që thoni ju dhe me as me atë që është raportuar nga ndonjë hapësirë mediatike. Luan Baçi ka dhënë dorëheqjen një vit e gjysmë përpara, komandimi është bërë pikërisht në të mirë të mirëfunksionimit në atë degë, siç do të bëhet dhe në degë të tjera ku kemi vakanca të krijuara për shkak të përcaktimeve statutore dhe rregullave që rrjedhin nga këto përcaktime statutore siç ishte rasti i dualitetit, kandidat për deputet, në këtë rast deputet dhe kryetar partie. Zoti Barshi nuk e di nëse do të plotësoni diçka meqë është çështja e statutit.

Gazmend Bardhi: Dhe në përputhje me statutin, sa kohë krijohen vakancat e deri në realizimin e procesit statutorë që nis në nivel seksioni për të shkuar tek kuvendi i degës që zgjedh kryetarin e degës, që është një proces që merr kohë më shumë se tre muaj 3-6 muaj, kryesia e partisë ka ushtruar të drejtën që i jep statuti, quhet e drejta e ndërhyrjes, për të komanduar deri në ndjekjen e kësaj procedure një kryetar të degës së Fierit si pasojë e vakancës së krijuar.

Përsa i përjetë pyetjes mbi analizën e bërë në çdo degë, mund të konfirmoj që: po analiza është kryer apo është dorëzuar nga secila degë pranë sekretariatait ekzekutiv të partisë dhe në mbledhjen më të parë të kryesisë do t’i prezantohet nga sekretariati analiza në nivel seksioni, grup seksioni dhe dege, për të shkuar më pas edhe në procesin e brendshëm të organizimit të mëtejshëm të partisë.

Pyetje: Ju thatë pak më parë se i qëndroni firmës tuaj sa i përket çështjes së vettingut në politik, por a i qëndroni fjalës tuaj ku keni thënë më parë se SPAK është e kapur nga qeveria. Çfarë ndryshoi në këtë qëndrim, pse keni sot besim tek SPAK për të bërë verifikimin e të gjithë deputetëve tuaj. Dhe pyetja e dytë, kur përjashtuat zotin Berisha nga grupi parlamentar, thatë se ky është nje vendim i vështirë por i diktuar nga kërkesa e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pse vetëm në këtë rast e keni konsideruar kërkesën e SHBA-së dhe jo në rastet e tjera sikundër ishte djegia e mandateve apo bojkoti i zgjedhjeve lokale?

Lulzim Basha: Nëse ka një ligj që kaloi me votat tona nga 7 ligjet, është ligji për SPAK-un dhe BKH-në. Kjo për arsye sepse SHBA-të, ndryshe nga Romana Vlahutin, insistuan që amendamentet tona të përfshiheshin në ligjin e SPAK-ut dhe të BKH-së.

Dhe problemet që shikoni sot në të gjithë aspektet e tjera që mbulojnë 6 ligjet e tjera që kaluan me votat Rama-Meta në atë kohë, janë pikërisht rezultat i injorimit të amendamenteve të Partisë Demokratike.

Pra, reforma ka kaluar me 140 vota, përfshirë dhe votën e Sali Berishës, dhe ligji për SPAK-un ka kaluar me votat tona me gjithë votat e grupit parlamentar të Partisë Demokratike.

A jemi ne të kënaqur me performancën e SPAK-ut deri më sot?
Aspak!

Dhe mund të flas gjatë për këtë çështje. Siç ia kam bërë me dije shqetësimet e mia edhe partnerëve të cilët i kanë dal për zot, apo më mirë të themi më mirë janë investuar, se s’mund t’i dalin për zot diçkaje që në fakt është në shtëpinë tonë. Para pafund, kanë investuar kredibilitet politik, kanë investuar trejniome, që SPAK-u të fillojë të bëj punën dhe SPAK-u përbëhet nga të gjithë elementët, nga prokuroria, nga gjykata e posatshme, nga BKH-ja, nga të gjithë pra që duhet t’i japin fund pandëshkueshmërisë në Shqipëri. Jo pandëshkueshmërisë të fakirëfukarenjve.

Ishin arrestuar dy djem, isha dje në spital për një arsye personale, dhe më kapi një sanitare e shkreta, kishte katër orë që priste, tha nuk hëngra as drek të takoj se kanë kapur dy djem se po mblidhnin dëllinja pa leje në pyll. Dhe ka 15 ditë që i mbajnë në arrest, në paraburgim ndërkohë tha që njëri ka katër fëmijë të vegjël, tjetri është beqar, nëna është e sëmurë, ndërkohë që bosët e kokainës hanë e pinë me kryeministrin dhe me ministrat.

Hapin gropa në Tiranë, ngrenë gradaçela, pastrojnë para.
Pse?

Sepse SPAK-u bën parada tek qilimi i kuq, prandaj i them SPAK qilimkuqi. A i ka kapacitetet SPAK-u për të vepruar?
Absolutisht po!

Madje është në presion të vazhdueshëm që të veprojë, një herë në javë, nuk kalon javë pa shkuar ambasadori i një partneri strategjik apo një pratneri tjetër për t’i thënë veproni, veproni.

Por siç jua thash herën e kaluar, sa dalin nga dera ata bien zilet nga babloku i madh, tek tjerët për t’i thënë: mos veproni, mos veproni, mos veproni. Se po ra njëri bien të gjithë.
Prandaj s’ka rënë asnjëri.

Edhe Sajmir Tahirin e keni në liri. 184 është bërë ministër drejtësie. “Toyota Yaris” përfundoi me “mos deklarim të të ardhurave në kufi”.

Sepse SPAK-u nuk po e bën punën. Po pikërisht që mos të fshihet pas preteksteve të ndryshme, se ndërkohë kemi depozituar me dhjetëra padi, duke përfshirë dhe masakrën zgjedhore, që mos të fshihet po i japim këtë instrument, që tani e detyron me afate të caktuara kohore, me strukturë të posaçme, të bëjë vettingun e politikanëve, që është diçka që po jua përsëris: e duan e kërkojnë dhe e meritojnë të gjithë shqiptarët, të djathtë dhe të majtë, votues të mi dhe votues kundër meje.

Këtu bashkohen të gjithë shqiptarët.

Ndaj, për këtë arsye, kjo strukturë që është votuar me 140 vota në nivel kushtetues dhe është votuar dhe në ligjin për SPAK-un nga Partia Demokratike, me ligjin për vettingun e politikanëve nuk është se po i japim besim, se besimin duhet ta justifikojë, por po i japim mundësinë të mos fshihet, po i japim shansin të fillojë të veprojë e të bëjë detyrën për të cilën është krijuar dhe për të cilën paguhet.

Pjesa e dytë e pyetjes hedh poshtë çdo alibi, shpifje, trillim, të kundërshtarit tim politik që tani fatkeqësisht e dëgjoj nga goja e Sali Berishës apo disa pseudombështetësve të tij, që merak të vetëm kanë nxjerrjen e inatit pavarësisht kostove që kjo i sjell demokratëve dhe sakrificave të demokratëve për të cilat në fakt ato se kanë ditur asnjëherë madje dhe në këto palë zgjedhje rrezik nuk kanë votuar ose kanë dalë kundër demokratëve.

Tregon që kur bëhet fjalë për interesin e shqiptarëve unë jam peng vetëm i perëndisë, vetëm i zotit.

Siç gjykoj që çdo njeri duhet të përpiqet që frikë të ketë vetëm zotin dhe asgjë tjetër.

Dhe me thënë të drejtën zotit mund t’i kem hyrë në hak, por Sali Berishës jo.

Për tre muaj kam bërë çmos me përpjekjen time dhe kam investuar gjithçka timen për ta zgjidhur këtë çështje. Jam ulur shumë herë me Sali Berishën për të arritur në një zgjidhje që ndihmonte atë dhe nuk dëmtonte Partinë Demokratike.

Në fakt kam pritur që siç kishte deklaruar vetë, këtë betejë ta bënte në mënyrë personale pa përfshirë as Partinë Demokratike dhe as grupin parlamentar të partisë Demokratike.

Kur këtë vendim nuk e konkretizoi me hapin që do të bënte ndryshimin midis fjalës dhe veprës, atëherë kam marrë vendimin, të vetmin vendim që ishte në favor në radhë të parë të Partisë Demokratike dhe në interes të demokratëve dhe mbi të gjitha në interes të Shqipërisë e cila nuk ka shpresa pa një Parti Demokratike të forte të bashkuar.

Një person përpiqet të bëjë gjithçka për të marrë një parti të tërë peng vetëm për interesat e tij personale.

Deri para dy muajsh nuk kishte asnjë problem me mua, tani jam unë armiku.

Vetëm 4 muaj më parë ne kishim zgjedhje, një anëtar një votë për kryetar të PD dhe çdokush mund të kandidonte, çdokush mund të mbështeste një çdo kandidat siç e ka statuti i PD dhe siç është demokracia jonë e brendshme. Rezultati dihet, dihet përqindja dërrmuese e votave që kam marrë dhe mbështetja që kam marrë nga demokratët.

Tani më thoni pak çfarë ka ndryshuar që atëherë?

Çfarë ka ndryshuar që atëherë, përveç interesit personal të një individi, që përpiqet të hedh një parti të tërë në greminë.

Unë nuk i jam përgjigjur siç kam thënë dhe nuk kam ndërmend t’i përgjigjem gënjeshtrave flagrante që thuhen kundër meje dhe pastaj amplifikohen nga një makineri e tërë që është vënë në lëvizje për këtë punë, ku aksioner të fshehtë është dhe Edi Rama dhe dikush tjetër se ia bëjnë mu, e shohin të gjithë shqiptarët, sepse nuk është stili im në radhë të parë, nuk është rruga ime dhe nuk i shërben as demokratëve as Shqipërisë.

Vendimi im ka qenë vendim i një lidershipi të përgjegjshëm ndaj demokratëve, vendim që nuk mund të shmangej, vendim që duhet ta merrja dhe jo të hiqesha mënjanë dhe të shikoja PD të zhytej në humnerë.

Ky vendim është vendim i marrë. Është vendim i marrë jo për mua, për demokratët , është vendim që i qëndroj 100%.

Pyetje: Zoti Berisha në daljet e tij së fundmi qe është shprehur se është gati të bëhet kryetar i Partisë Demokratike dhe se për këtë do të vendosë anëtarësia. Duket se po ju hedh atë dorezën e sfidës. Keni një koment?

Lulzim Basha: Kryetari i Partisë Demokratike është zgjedhur sipas statutit. Armiku i demokracisë shqiptare është regjimi i Edi Ramës. Shpresa e vetme për t’u përballur është Partia Demokratike dhe unë nuk kam ndërmend të harxhoj as edhe një sekondë kohë më shumë se sa është e nevojshme të merrem me asnjë deflektim apo çorientim, apo tollovi apo përpjekje për të përçarë Partinë Demokratike që i shërben vetëm Edi Ramës. Ky është komenti.

Pyetje: Përballë refuzimit të fortë të mazhorancës për të mos ta ngritur komisionin hetimor për Bechettin ju deklaruat se nuk do të tërhiqeni ndërkohë që flisni edhe për hapa konkretë. Cilat janë hapat konkretë që do të ndërmerrni për ngritjen e këtij komisioni? Dhe a do të ketë sanksione penale për ata politikanë që vërtetohet se kanë lidhje me krimin apo me korrupsionin apo sanksion do të jetë vetëm heqja e mandatit?

Gazment Bardhi: Siç e kemi shpjeguar dhe në fakt është një fakt i njohur edhe nga ata që nuk kanë studiuar për drejtësi, e drejta e opozitës për të kërkuar dhe për të ngritur komision hetimor për të hetuar çdo çështje është një e drejtë kushtetuese. Kjo nuk është hera e parë që Edi Rama i refuzon Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike një të drejtë kushtetuese siç është ajo e ngritjes së komisioneve hetimore. Mbani mend se të njëjtën gjë bënë edhe kur ne kërkuam, na zvarriti 6 muaj, kur ne kërkuam komision hetimor për çështjen e drogës, përfshirjen e institucioneve në favorizimin e trafikantëve të drogës. E rrëzoi në Kuvend dhe ne u detyruam ta çonim në Gjykatë Kushtetuese e cila na dha të drejtë dhe më pas u ngrit komisioni hetimor. Edhe në këtë rast hapi i parë kushtetues dhe ligjor që do të ndërmarrim është të hënën ku Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike do të depozitojë në Gjykatën Kushtetuese kërkesë për shfuqizimin e vendimit të Kuvendit për të mos lejuar opozitën të ushtrojë një përgjegjësi kushtetuese dhe për të hetuar një aferë personale të Edi Ramës që u ka shkaktuar qytetarëve shqiptarë 120 milionë euro dëm.

Dua të bëj të qartë që ajo është vetëm fatura fillestare sepse çdo ditë që kalon shqiptarët paguajnë edhe 3% mbi këtë shumë. Pra çdo ditë që kalon secili prej nesh paguan edhe 3% mbi këtë shumë vetëm për faktin se Edi Rama i kapur gafil në një çështje të tillë, jo vetëm bën sikur vendimi nuk ekziston, por nuk lejon edhe të evidentohen përpara shqiptarëve dhe institucioneve shtetërore përgjegjësit e kësaj afere.

Prandaj të hënën bashkë me kolegen Duma do të t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për të shfuqizuar vendimin e Kuvendit për të mos ngritur komisionin hetimor.

Për sa i përket pyetjes së dytë edhe kjo është një pyetje që gjen përgjigje në draftin tonë. Në amendamentet kushtetuese që ne kemi depozituar të mërkurën thuhet shprehimisht që pas përfundimit të procesit administrativ dhe dua të bëj të qartë sepse u ngrit edhe nga dy kolegë të tjerë gazetarë më parë, nuk merr vendim SPAK-u për të hequr mandatin. Që ta qartësojmë dhe të mos krijojmë konfuzion. SPAK-u është një nga hapat apo hallkat e përfshirë në këtë proces.

Vendimin e merr Gjykata e Posatshme të shkallë të parë dhe vendimi konfirmohet nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë.

SPAK-u në përfundim të procesit dhe ndërkohë që ndiqen të gjitha hallkat për çështjen e mandatit që është një çështje administrative, nëse ka vërejtur gjatë këtij procesi verifikimi kryerjen e një krimi apo një vepër të caktuar penale, ka detyrimin kushtetues dhe ligjor të nisë hetimet dhe procedimin penal dhe më pas të dërgojë në gjykatë për të dënuar çdo funksionar publik që ka kryer një krim. Faleminderit!

Pyetje: Sali Berisha në daljet e tij ka deklaruar që do të ndërmarrë protesta edhe kundër kryeministrit Edi Rama dhe qeverisjes së tij, ju jen i shprehur vazhdimisht që i vetmi kundërshtar që keni është zoti Rama, a do t’i bashkoheni këtyre protestave?

Lulzim Basha: Tani mos të futemi në cic-mice, por në qoftëse ju kujtohet në deklarimet e mia të para kam paralajmëruar që ne do të përdorim të gjitha format dhe mjetet për t’u përballur me këtë regjim derisa të rikthejmë demokracinë dhe legjitimitetin, duke përfshirë këtu protesta të cilat, për të cituar veten time meqë s’më cituat: i kemi bërë në më të mëdhatë që ka njohur ndonjëherë ky vend dhe mos të keni asnjë dyshim që jemi gati ti bëjmë dhe do ti bëjmë.

Pyetje: Zoti Basha kryeministri Edi Rama vazhdimisht ka shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar sa i përket ndryshimeve në Kushtetutë që Partia Demokratike ka kërkuar, ndërkohë edhe nga ana juaj ka patur një qasje pozitive për të bashkëpunuar. Kur mendoni se mund të konkretizohet kjo hapje për bashkëpunim nga të dyja palët dhe a është gati Partia Demokratike të thotë nëse është dakord që afatet e vetingut të zgjaten me dy vite? Nënvizoj dhe një deklaratë të ambasadores Yuri Kim se këto ndryshime që ka kërkuar Partia Socialiste dhe janë depozituar në kuvend do të duhen të votohen?

Lulzim Basha: Ato që Edi Rama thotë nuk kanë lidhje me ato që Edi Rama bën. Këto tetë vite si kryeministërdhe këto 30 vite si politikan, kryetar bashkie, ministër, kryetar opozite, gjithmonë tjetër gjë ka thënë, tjetër gjë ka bërë.

Kështu që kjo është dhe arsyeja se përse testi i parë dhe kryesor është paketa kushtetuese që ne po dërgojmë në kuvend dhe nga qëndrimi i Partisë Socialiste në Kuvend, të cilin ai e kontrollon qartësisht, pra nuk mund të fshihet siç u fsheh herën e parë pas pseudo-opozitës, do të jetë treguesi i parë për ju, për shqiptarët, natyrisht edhe për ne: Nëse do të bashkojë fjalët dhe veprat, apo do të vazhdojë avazin e vjetër që tjetër gjë thotë dhe tjetër gjë bën. Ne sigurisht i kemi gati skenarët në çdo rast. Për çështjen e fatit të vetingut jemi shprehur fare qartë këtë javë, referojuni atyre përgjigjeve sepse nuk i lëvizim fare asnjë presje atyre që kemi thënë.

Pyetje: Zoti Basha pak ditë më parë komisioni Europian bëri publik dhe progres raportin sa i përket ecurisë së Shqipërisë në rrugën e integrimit europian, ndërkohë mazhoranca e lexon si një progres raport pozitiv në tërësinë e tij, ndërsa e kundërta ndodh nga krahu opozitar dhe konkretisht nga Partia Demokratike . Në fakt kjo duket sikur është një lojë po e quaj ndër vite, kur njëra parti është në pushtet dhe pastaj ndërrimi tjetra vjen në pushtet, pra krahu që është opozitar, a nuk mendoni që ka ardhur koha që në këto momente në fakt përpos problematikave të brendshme të njërës subjekt politik apo të tjetrës dhe mosdakordësisë së brendshme , të paktën për zhvillimin e reformave, sa i përket integrimit të vendit , apo në sy të ndërkombëtarëve , të ketë një bashkëpunim konkret mazhorancë-opozitë? Faleminderit.

Lulzim Basha: Po, koha ka ardhur dhe ka kaluar . Por kush e ndaloi iniciativën për vetingun e politikanëve në 2018?

Ne apo Partia Socialiste?

Kush e vonoi dy vjet dekriminalizimin dhe tani praktikisht e ka ndaluar fare?

Kush i zëvendësoi kriminelët me fëmijët e kriminelëve në Parlament?

Kush rrëzoi propozimet tona për ti dhënë fund PPP korruptive, koncesioneve, tenderëve?

Kush bllokon komisionet hetimore për ti shkuar deri në fund aferave korruptive?

Kush ka kapur gjithë institucionet dhe ka vendosur militantët e Partisë Socialiste në krye të çdo institucioni të pavarur?

Kush i bën presion organeve të vetingut që të mbajnë gjyqtarët dhe prokurorët e listës rozë, që i shërbejnë partisë në pushtet, dhe të largojë këdo që e kanë jashtë kontrollit?

Kush i rrit çmimet për shqiptarët dhe taksat, akcizat që i vendos karburantit, energjisë, ushqimeve, në vend që t’ia kthejë shqiptarëve iua jep oligarkëve?

Kush e ka shkatërruar konkurrencën në treg?

Kush e ndryshoi në mënyrë të njëanshme kushtetutën pavarësisht thirrjeve të faktorit ndërkombëtar?

Kush e shkriu partinë me shtetin në një për të shkatërruar zgjedhjet parlamentare dhe për të mbajtur përkundër vullnetit të qytetarëve pushtetin me dhunë?

Kush organizoi pushtetin e patronazhistëve duke rilindur sigurimin e shtetit dhe mburret eshë ne prani të BE, i cili e ka goditur sistemin e patronazhistëve si një shkelje të qartë të privatësisë dhe të dhënave personale të qytetarëve?

Ka ndonjë dyshim këtu nëse jam unë apo Edi Rama?

Nëse është PD apo PS autorja e këtyre që të listova?!

Pyetja është retorike sigurisht nuk ka asnjë dyshim. Ka një dhe vetëm një pengesë që e mban tetë vjet Shqipërinë në vendnumëro në procesin e integrimit Europian dhe ky është fakti që Shqipëria udhëhiqet nga një njeri dhe nga një grup njerëzish që kanë vënë interesat e tyre personale, pushtetin e tyre personal dhe lakminë e tyre për tu pasuruar dhe për ta mbajtur këtë pushtet në mënyrë të paligjshme mbi interesat e çdo shqiptari.

Dhe rruga e vetme për ta zhbërë këtë, për ta hapur portën drejt Europës është për t’u rikthyer tek demokracia, tek sundimi i ligjit dhe tek ndëshkueshmëria e korrupsionit në nivele të larta dhe krimit të organizuar.

Prandaj kemi propozuar këtë paketë të amendamenteve kushtetuese si një paketë urgjence kushtetues, ndërkohë ndryshe nga çfarë deklamojnë disa kolegë tuajat që janë pak më e lartë se ju, qoftë nga paga qoftë nga piaca por që s’kanë kohë ti shohin konferencat deri në fund, nuk kam hequr dorë nga platforma për demokracinë që kam shpalosur në janar të këtij viti, nga ndryshimet e thella kushtetuese. Nuk kam hequr dore nga propozimet e mia që forcojnë kontrollin dhe balancën e institucioneve, që nga bikameralizmi tek kufizimi i kryeministrit në dy mandate, tek forcimi i kompetencave të institucioneve të pavarura tek shumë hapa të tjerë që mund dhe duhet të hidhen në bashkëpunim dhe bashkërendim me të gjithë faktorët e shoqërisë, ato që quhen forca të gjalla të shoqërisë, me një dialog të cilit prej Kuvendit Kombëtar të 17 korrikut e kemi shpallur dhe po e vëmë në lëvizje me instrumentet brenda partisë përmes platformës qytetare për demokracinë.

Pyetje: Deputeti dhe ish-kryetari i Partisë Demokratike për Fierin Luan Baçi është tërhequr siç e dimë të gjithë nga posti që ai mban dhe pranimi i dorëheqjes është bërë rreth një vit e tre muaj më herët, është zëvendësuar vetëm pas ai doli hapur në mbështetje të Foltores të ish-kryeministrit Berisha. Nga ana tjetër kemi edhe shkarkimin e zotit Flamur Noka nga posti i nënkryetarit të Komisionit për Sigurinë pas debateve që kishte me ju si në mbledhjen e kryesisë po ashtu dhe deklaratave të tij publike kritike ndaj jush dhe kundër jush. A do të jetë ky fati për të gjithë ata që ju kundërshtojnë ju?

Lulzim Basha: Ky është një rrëfim i rremë nga fillimi deri në fund që mundohet të ngulitet përmes hapësirave të degraduara mediatike të cilat nuk i shërbejnë interesit publik as interesit të demokratëve, por interesave personale. Në ka njeri në 30 vite të hapur ndaj mendimit kritik, i cili ka përgjegjësi për të drejtuar këtë parti, ky jam unë.

Por një gjë është mendimi kritik dhe një gjë tjetër është që me vetëdije apo jo t’i shërbesh Edi Ramës dhe interesave të Edi Ramës për të përçarë Partinë Demokratike.
Natyrisht, unë nuk ngutem.

Çdokush që vendoset në pozita kontaradiktore me interesat e demokratëve, thërritet, këshillohet paralajmërohet, por në qoftë se për çfarëdo motivesh apo arsyesh, papërgjegjshmëri, paaftësi apo kapje diku, vazhdon t’i bjerë me shkelmë sakrificës të demokratëve, është detyra ime të veproj dhe është neglizhencë e pafalshme të mos veproj.

Këto janë parimet mbi të cilat veproj unë.

Sigurisht kjo vlen në parim për gjithçka që kam bërë e do të vazhdojë të bëjë pa më të voglin hezitim.

Ndërsa deklarimet se këto u bëkan për inate, kush e njeh këtë parti këto 8 vite e di që kurrë në asnjë rast të vetëm unë nuk kam vepruar as në bazë inati, as mbi bazë zemërimi. Madje jam akuzuar se kam qenë tepër i butë dhe tolerant me ata që prej kohësh duhej të paguanin faturën e papërgjegjshmërisë dhe të tradhtimit të interesave dhe të sakrificës së demokratëve. Akuzë të cilën pjesërisht edhe e meritoj. Ndonëse në tërësi jam karakterizuar nga vendime përbashkuese dhe jo nga vendime përçarëse.

Dhe vendimi i fundit ka qenë pikërisht për t’i paraprirë apo për të parandaluar përçarje apo frymë përçarjeje mes demokratëve, sepse interesat personale të askujt nuk mund të dalin dhe nuk do të dalin e nuk do të prevalojnë mbi interesat e Partisë Demokratike dhe demokratëve shqiptarë.
Faleminderit, ditë të mbarë!

Exit mobile version