Vrasja e anëtarit të Bandës së Lushnjes, çfarë filmuan kamerat e sigurisë…

Ekzekutimi me 4 plumba i Elton Mermalit, ish-anëtarit të Bandës së Lushnjës, duket se do sjellë një transferim të dosjes penale nga prokuroria e Elbasanit në atë të Lushnjës.

Kjo pasi rrëmbimi i personit dhe më pas vrasja e Mermalit, është kryer pikërisht në zonën e Lushnjës, dhe më pas trupi i pajetë është transportuar në Peqin duke u hedhur në disa mbeturina buzë lumit Shkumbin.

Për rastin në fjalë janë dy persona që dyshohen se kanë organizuar dhe kryer vrasjen e Elton Mermalit. Njëri është nga fshati Karbunarë dhe një i dyti vepron mes Lushnjës dhe Tiranës.

Ngjarja dukshëm duket se ka shkaqe hakmarrjeje, pasi vetë Mermali gjatë vitit 1998 ka marrë pjesë në vrasjen e Bledar Haxhiut dhe Ardian Sulçes, dy njerëzit e besuar të ish-kapobandës Artur Daja.

Hetues të policisë së Elbasanit dhe ata të Lushnjës, gjatë këtyre ditëve janë duke kryer një sërë veprimesh në këtë qytet, me shpresën e gjetjes së kamerave filmike, ku mund të sigurohen të dhëna të vlefshme që mund të ndihmojnë në zbardhjen e kësaj vrasje të ndodhur mesnatën e së dielës.

Çfarë filmuan kamerat e sigurisë

Në disa pamje filmike të sekuestruara, viktima Elton Mermali, është filmuar nga kamerat e një lokali teksa lëviz lirshëm në qytet dhe i shoqëruar nga disa persona. Këta persona janë marrë në pyetje, duke pranuar se kishin njohje me Elton Mermali, por asnjëri prej tyre nuk ka qënë në dijeni se me cilin person tjetër Mermali ka qarkulluar në ditën e shtunë në Lushnjë.

Situata deri në këta fazë hetimore është e mjegullt, ndërsa policia dhe prokuroria e Elbasanit, nuk janë në gjëndje të përcaktojnë vendin e kryerjes së krimit.

Kjo pasi në vendin e gjetjes së trupit nuk është gjetur asnjë gëzhojë, çka tregon se Elton Mermali është ekzekutuar në një territor tjetër ende të papërcaktuar. Nëse do verifikohet dhe gjendet vendi i ngjarjes ka shumë gjasa që dosja penale e kësaj ngjarje ti kalojë për hetime të mëtejshme prokurorisë së Lushnjës. /Ora News/