Rritja e çmimeve, protestë para Kryeministrisë: Rama lundron në ëndrra për të arritur në hapësirë, shqiptarët vuajnë për bukë

Për të tretën herë rradhazi, qytetarë dhe shoqëria civile, po protestojnë para godinës së Kryeministrisë, kundër rritjes së çmimeve.

Ndryshe nga dy protestat e mëparshme, sot ka një numër të shtuar edhe të fëmijëve që i janë bashkuar protestës bashkë me prindërit.

Përpara godinës së Kryeministrisë është ngritur një kordon me efektivë policie. Kjo protestë është simbolikë e kërkesave të qytetarëve dhe nuk ka pasur dhunë në 2 të parat.

Protestuesit kanë thënë se është duke iu mohuar buka e gojës. Aktivisti Migen Qiraxhi vlerësoi se, Rama lundron në ëndrra për të arritur në hapësirë, ndërsa shqiptarët vuajnë për bukë.

Qytetarja: Unë i përkas shtresës së mesme dhe me punën që bëj, thjesht punoj për bukën e gojës. Nëse duhet të bëjmë diçka tjetër, duhet të heqim bukën e gojës, imagjinoni shtresat në nevojë. Qeveria po tregon papërgjegjshmëri totale. Ne jemi në krizë, por ne duam zgjidhje e zgjidhje nuk shikojmë.

Migen Qiraxhi: Kryeministri nuk është me këmbë në tokë, se na flet për satelitë. Jemi këtu për të instaluar një kulturë të re, që vijnë këtu për interesat e familjes së tyre, interesat e fëmijëve dhe prindërve, studentëve, pensionistëve. Të drejtat e qytetarëve po shkelen nga një administratë e korruptuar. Rama ka vendosur diktaturën e urisë.