Princ Leka dekoron Ekrem Spahiun me “Urdhërin Mbretëror të Skënderbeut”

Me rastin e 126 vjetorit të lindjes së Mbretit Zog I, në mjediset e Oborrit Mbretëror Shqiptar u zhvillua një ceremoni, ku Princi i kurorës së Familjes Mbretërore, ka vlerësuar dhe dekoruar z. Ekrem Spahiu, duke i akorduar “Urdhërin Mbretëror të Skënderbeut” me motivacionin: “Për përkushtimin e paçmuar kundrejt Familjes Mbretërore, trashëgimisë monarkike dhe figurës së Mbretit Zog, të shprehur përmes një veprimtarie të gjatë dhe efektive në rrafshin politik, publicistik dhe shtetëror, si edhe duke kontribuar në mënyrë të pandërprerë në rehabilitimin, përkujtimin dhe integrimin e kategorive shoqërore, që padrejtësisht janë ndëshkuar për besimin e tyre në idealin mbretëror dhe në institucionet monarkike”.

Të pranishëm në këtë ceremoni dekorimi ishin drejtuesit kryesorë ndër vite të Partisë “Lëvizja e Legalitetit”, që kanë qenë përfaqësues të PLL në pushtetin legjislativ, ekzekutiv dhe vendor. Ndërkohë Ekrem Spahiu në fjalën e tij, shprehu mirënjohjen më të thellë ndaj Princit Leka për vlerësimin dhe dekorimin, por “Urdhërin Mbretëror të Skënderbeut” ua dedikoi të gjithë të pranishmëve në sallë dhe mbarë legalistëve për rezultatet e arritura, që u renditën në motivacion. Më herët përmes një opinioni, zoti Spahiu theksoi se kujtimi dhe vlerësimi për Mbretin Zog, sipas tij, është detyrim dhe respekt ndaj historisë.

“Mbreti Zog ka qenë dhe do të vijojë të zërë një vend qendror në historinë e Shqipërisë. Ai ndërtoi një shtet modern shqiptar, me orientim të qartë perëndimor. Ai e lidhi të gjithë jetën e tij me fatet e kombit, të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, prandaj përkujtimi i ditëlindjes së tij dhe vlerësimi i personalitetit dhe kontributeve të tij si shtetar i madh, është detyrim dhe respekt për historinë tonë kombëtare dhe shtetërore”, nënvizoi Spahiu.