Tropojanët duhet të udhëtojnë qindra kilometra për një vulë çertifikate apo vërtetim

Nga Isuf ÇELAJ
Fjala në Kuvend

Të dashur qytetarë të Shqipërisë!

Të dashur vëllezër e motra të Tropojës, që falë votës tuaj më jepet mundësia të flas sot këtu në këtë sallë si zëri juaj!

Së pari për mua është kënaqësi dhe nder që të jem sërish në Kuvendin e Shqipërisë përfaqësues i Tropojës e tropojanëve, por edhe i Hasit e Kukesit që në historinë e Shqipërisë e kanë gdhendur me shkronja të arta emrin e tyre.

Ndaj dua ta them me plot gojë, se jam krenar që sot flas si njëri prej jush të dashur vëllezëer e motra.

E duke qenë përfaqësuesi juaj në tempullin e fjalës, këto minuta dua t’ia kushtoj problemeve dhe halleve tuaja.

Si deputet i lidhur ngushtë me Tropojën, kam detyrimin sot të ngre zërin për gjendjen në të cilën ndodhen këto treva, banorët fisnikë të malësisë, si pasojë e harresës së shtetit. Në fakt përkufizimi i duhur do të ishte: mungesës totale të shtetit.

Kanë kaluar 8 vite nga qeverisja juaj e Rilindjes dhe në Tropojë nuk është parë më asnjë metër asfalt në rrugët rurale, pra ato që lidhin fshatrat me qytetin dhe mes tyre dhe investimi i fundit në këtë infrastrukturë është në qeverisjen e Partisë Demokratike para vitit 2013.

Është për të ardhur vërtet keq, pasi këto zona të thella malore për mungesë të infrastrukturës mbeten të izoluar dhe në pamundësi për të zhvilluar bujqësinë e blegtorinë pasi nuk nxjerrin dot në treg produktet e tyre.

I gjithë mundi i tyre të dashur deputetë shkon dëm dhe prodhimet e tyre i merr lumi, jo në kuptimin figurative, por në kuptimin e plotë të shprehjes: I merr lumi.

A e dini ju të nderuar kolegë deputetë dhe ju ministra të kësaj qeverie se malësorët punëtorë të Tropojës nuk kanë asnjë mundësi jetese tjetër vetëm bujqësinë e blegtorinë dhe fale gjeografise edhe turizmin malor?

Nuk e dini se po ta dinit nuk do e kishit lënë të mjeruar e të harruar këtë trevë. E nëse e dini atëherë shumë më keq. Kjo do të thotë që e keni lënë vetë mjerimin të pushtojë Tropojën e tropojanët., për të vetmen arsye se ata nuk ju kanë votuar por as nuk do tju votojnë!

Fermerët dhe blegtorët e Tropojës të vetmen mundësi kanë që të hedhin vështrimin matanë kufirit, ku me njëmijë e një peripeci duhet të shkojnë për të shitur prodhimet e tyre, pasi nuk ka një treg ku të nxjerrin prodhimet. Apo qumështin e djathin që marrin prej bagëtive të tyre, sepse në Tropojë nuk ka asnjë baxho për të ofruar mundësi përpunimi të qumështit.

Jo pra kolegë të dashur, nuk ka asnjë mundësi për këto banorë që përditë e më shumë ndjehen të braktisur, e shikimi mbetet nga pjesa tjetër shqiptare, shteti tjetër shqiptar, Kosova. A thua nuk kanë shtetin e tyre që të mendojnë gjithnjë e më shumë të bashkohen me vëllezërit e tyre në Gjakovë, Pejë,Prizerem apo Fushë Kosovë?!

A e dini ju se ata pak të rinj e të reja që kanë mbetur, por edhe prindërit e tyre më të moshuar, marrin një trajsë me bukë e dalin e kërkojnë punë në qëndrën e Gjakovës sepse në qytetin e tyre nuk ofrohet asgjë për ta.

Asnjë mundësi.

Iu duhet përditë të kërkojnë fatin që nuk shfaqet asgjëkundi.

Tropoja numëron me gishtat e njërës dorë, bizneset që ofrojnë punësim. Ndaj dhe të rinjtë, të vetmën zgjidhje kanë të ikin.

Në Tropojë nuk ka asnjë investim të rëndësishëm, ani pse ka pasuri të paimagjinueshme nën e mbitokësore. Tropoja ka masivet më të mëdha të gështenjave por trungjet e tyre po degradojnë nga sëmundjet dhe faktorët e tjerë atmosferike pasi nuk ka asnjë projekt nga qeveria juaj që të investohet në mbrojtjen e zhvillimin e tyre, po ashtu një pjesë e madhe e prodhimit kalben në tokë se skanë ku ti çojnë.

Ka arrat, kumbullën, mollët, boronicat e me rradhë pasuri që duhet të ishin sot burimi kryesor i jetesës së tropojanëve. Por për fat të keq nuk janë sepse ska asnjë investim dhe mungon totalisht infrastruktura.

Në fshatra nuk gjen më asnjë të ri. Dhe ata që i kanë mbijetuar valës së emigracionit dhe kanë ndjekur studimet në Tiranë, nuk kthehen më. Rrinë në Tiranë duke braktisur vendlindjen e tyre të pasur dhe punojnë kamarierë apo call center. Rrinë në Tiranë me shpresën që të ikin dhe ata jashtë, pasi në vendlindjen e tyre nuk kanë asnjë mundësi, se edhe nëse bëhen fermerë apo blegtorë nuk sigurojnë dot jetesën pasi e shohin sesi është braktisur vendi i tyre. Pra atyre u është vrarë shpresa!

Kapja e çdo institucioni nga rilindja ka bërë që qytetarët e kësaj zone të humbasin shpresën, besimin se fëmijët e tyre kanë një të ardhme këtu.

Ju që në 2013 e trumbetuat me të madhe sloganin qeveri e Shërbimit dhe shërbesave për qytetarët!!! A e dini se në Tropojë nuk ofrohet më asnjë shërbim për qytetarët?!

Tropojanët duhet të udhëtojnë qindra kilometra për të vënë një vulë çertifikate apo vërtetim tatimesh e vertetim pension për ta marrë në Kukës!

Duhet të kalojnë katër herë doganën për të bërë kontrollin teknik të automjeteve dhe dokumentat e tjera që ofrohen vetëm në Kukës.

E pra Kukësi është më afër me Tiranën se sa me Tropojën.

E gjithë kjo sjell humbje kohe, sorollatje e shpenzime pafund për shërbime që deri dje i merrnin në B. Curr.

Ka mbetur vetëm bashkia e cila e kapur nga rilindja nuk ofron asgjë, veç punësimeve politike të cilat e kanë shëndërruar këtë pushtet në një mashë të partisë shtet dhe jo një pushtet në shërbim të qytetarëve.

Tani pasi ua morën të gjitha institucionet e shërbimet, kanë vendosur që tropojanët ti lënë edhe pa drejtësi.

Po, po. Pa drejtësi.

Në kohën kur flasim për reforme në drejtësi te cilen e kam mbeshtetur e do ta mbeshtes qe ajo te japi frute per nje shërbim më të mirë të së drejtës për shqiptarët, tropojanëve do ua marrin edhe institucionin e drejtësisë dhe ashtu si çdo gjë tjetër gjatë këtyre 8 viteve, do ua çojnë në Kukës.

Vërtet Kukësi është qendra e qarkut, por ama nuk mund të imagjinohet që për çdo gjë, qytetarët e Tropojës të ngrihen që me natë, të udhëtojnë qindra kilometra, të harxhojnë dhjetra litra karburant apo bileta furgoni e të shkojnë per te gjitha keto sherbime në Kukës!

Kjo është absurde dhe cinike.

Tani nuk do të kenë më as gjykatë për të kërkuar drejtësi.

Jo, as gjykatë nuk do të kenë.

Edhe gjykata do të migrojë në Kukës, ashtu si të gjitha shërbimet e tjera.

Ky është projekti që ofron pushteti sotëm për Tropojën. Do ta mbyllë gjykatën dhe drejtësinë do ta ofrojë vetëm në Kukës.

Pra, fjala vjen, një pensionist që i duhet të hapë një çështje gjyqësore për të drejtën e tij, do të duhet të shkojë në Kukës për të marrë drejtësi. Ndërsa të paraburgosurit e qëndrës së paraburgimit në Tropojë, do të merren me policë e të dërgohen për masë sigurie në Kukës në vend që të merrnin masën në B.Curr ku ka vite e vite që ofrohet drejtësi me gjykatë funksionale.

Tani jo më, dhe kjo falë Rilindjes që Tropojën e ka lënë në harresën e mjerimit.

Thirrja ime ndaj drejtuesve të institucioneve të drejtësisë, Ministrit të Drejtësisë , Presidentit të Republikës që ta shofin rastin e Gjykatës së faktit të rrethit Tropojë, ta trajtojnë si rast specifik për vetë pozitën gjeografike por edhe faktorëve të infarstruktures dhe distancës me qendrën e qarkut të mos e mbyllim këtë shërbim jetik për qytetarët e Tropojës!

Të dashur qytetarë!

Të dashur vëllezër e motra!

Kolegë deputetë!

Vendi që unë përfaqësoj sot në këtë sallë, ka në gjirin e vet një prej prodhuesve kryesorë të energjisë elektrike, HEC-in e Fierzës, por është vendi me nivelin më të lartë të errësirës në Shqipëri.

Po, Tropoja vuan për dritë, ndërsa prodhon pjesën kryesore të energjisë e cila në rastin më të mirë nuk i kthehet tropojanëve e në rastin më të keq shitet, në një kohë kur në vitin 2021 banorëve të kësaj treve i ndërpriten dritat me orare të gjata.

Kjo është vërtet skandaloze.

Të jesh mes dritës e të vuash errësirën. Kjo është ironia tragjike e tropojanëve nën sundimin e Rilindjes.

Por ka edhe më keq.

Tropoja është vendi që ka ujë në çdo cep, por ama shumë fshatra e shumë zona të qytetit vuajnë për ujë. Në fshat për vaditje, ndërsa në pjesën më të madhe të qytetit për të pirë.

Të mbytur në ujë, por të tharë për ujë.

E pra, zona më e varfër e Shqipërisë gjendet e dënuar me vdekje nga qeveria e vet.

Tropoja ka pasur dikur një nga spitalet më të mira në Shqipëri dhe me mjekët më të specializuar të cilët kanë bërë emër në mjeksinë shqiptare, por sot për problemin më të vogël shëndetësor duhet të drejtohen përsëri tek vëllezërit matanë vijës së kufirit, pasi në spitalin e B.Currit maksimumi që ofrohet është ndonjë injeksion ose grafi. Të tjera, si gjithçka në Kukës.

E lënë në harresë, e mjeruar, pa perkujdesje dhe pa investime, Tropoja nuk ka rrugë tjetër vetëm të shpresojë ti kthehen shërbimet ose të mendojë seriozisht të kërkojë referendum për bashkimin me Kosovën, të paktën atje qytetarët e kësaj bashkie marrin shërbimet kryesore.

Faleminderit!