Basha: Prerja e lidhjeve të politikës me krimin, prioritet absolut!

DEKLARATA E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA, PAS TAKIMIT ME MINISTREN BRITANIKE PËR EUROPËN DHE AMERIKAT, WENDY MORTON

Lulzim Basha: Takimi me ministren për Europën dhe Amerikat të qeverisë së Madhërisë së saj Britanike, ishte një mundësi e dyfishtë. Së pari, tregon nivelin e lartë të interesit Britanik për Shqipërinë. Ju e dini para disa javësh këtu ka qenë këtu edhe ministrja e brendshme, Prity Patel dhe në veçanti për çështjet që janë kauzat kryesore të Partisë Demokratike dhe të qytetarëve, që janë çështjet e demokracisë, të bashkëpunimit të krimit të organizuar me politikën për të vjedhur zgjedhjet, siç ndodhi më 25 prill. Të luftës kundër krimit të organizuar, të lirisë së medias në veçanti si një nga problemet kryesore të demokracisë shqiptare.

Padiskutim edhe të ardhmes së marrëdhënieve shqiptaro-britanike me një vëmendje të veçantë për dy çështje kryesore: praninë e investimeve britanike në Shqipëri dhe fatin e qindra mijëra shqiptarëve që jetojnë në Britani, jo vetëm në Londër, por kudo në Britaninë e Madhe, njerëz të punës, njerëz të sakrificave, interesi më i mirë i të cilëve është dhe mbetet në qendër të vëmendjes të Partisë Demokratike. Qofshin këta nga Tropoja, Kukësi, Fieri, Burreli, Vlora apo Gjirokastra.

Kemi qindra mijëra shqiptarë në Britaninë e Madhe, duam t’i shohim me letra të rregullta, duam t’i shohim të jetojnë e punojnë me nder, duam t’i shohim të panjollosur nga një pakicë e vogël e përfshirë në krimin e organizuar. Tani, përveç këtij dimensioni, Partia Konservatore Britanike dhe Partia Demokratike e Shqipërisë, në veçanti në 4 vitet e fundit kanë ndërtuar një marrëdhënie shumë të ngushtë bashkëpunimi.

Në bisedën mes delegacioneve, sigurisht jemi fokusuar tek prioritetet tona të përbashkëta, në veçanti në luftën kundër krimit të organizuar dhe lidhjes së politikës me krimin. Dua ta theksoj këtë që qeveria Britanike dhe Partia Demokratike e Shqipërisë ndajnë një prioritet të rëndësishëm: Prerja e lidhjeve të politikës me krimin është një prioritet absolut. Janë lidhjet e politikës me krimin një nga arsyet kryesore të masakrës zgjedhore.

Ndaj, jam shumë i inkurajuar nga biseda me të dhe fakti që këto prioritete nuk janë thjeshtë pjesë të protokollit diplomatik, por hapave konkret që Britanikët tashmë kanë hedhur dhe do të vazhdojnë të hedhin dhe për të cilën kanë kërkuar ndihmën tonë si Parti Demokratike brenda dhe jashtë parlamentit dhe do ta kenë këtë ndihmë në të gjithë dimensionet e saj. Ndërkohë që në një takim të veçantë kokë më kokë me ministren, kemi folur për forcimin e bashkëpunimit midis Partisë Demokratike dhe Partisë Konservatore. Në interesin më të mirë të demokracisë, në interesin më të mirë të programit dhe vizionit dhe vlerave që ndajmë.

Vlerat që ne ndajmë, janë vlerat e një ekonomie konkurruese me konkurrencë dhe jo monopole. Me biznes të vogël dhe të mesëm të fuqishëm dhe jo me oligarkë e monopolistë. Me universitete që trajnojnë rininë shqiptare dhe bëjnë të mundur punësimin e saj, në një vend që nuk është i varfër por është i vjedhur. Si dhe për të bashkëpunuar, siç thash në dy fusha imediate, luftën kundër krimit të organizuar dhe lidhjeve të krimit me politikën dhe lirinë e medias për të cilën në veçanti sot kam kënaqësinë në një ditë që dhe nga ana e motit duket e ndryshme nga e djeshmja, besoj që përmes këtij bashkëpunimi një reze drite, një reze dielli do të bjerë edhe mbi gazetarët shqiptarë, edhe mbi median shqiptare, sigurisht në një nga vendet që është kampione e lirisë së medias, kampione e profesionalizmit të lirisë së medias si Britania e Madhe.

Për këtë falënderova ministren dhe ambasadorin King-Smith, i cili ditën e djeshme ka zhvilluar një takim me përfaqësues të medias dhe do ta zgjerojë programin e tij në ndihmë të medias, që është një shtyllë e pazëvendësueshme e demokracisë. Këto ishin disa nga temat kryesore që ndava në takimin me ministren për Europën dhe Amerikën.

Pyetje: Zoti Basha, dje keni përjashtuar deputetin Flamur Noka, pse e morët këtë vendim?

Lulzim Basha: Një herë dua, Jona që kam respektin më të madh për ty profesionalisht, t’iu them që televizioni juaj duhet të jetë pak më objektiv në pyetje e pastaj në raportime, sepse nuk i takon një televizioni me liçencë kombëtare të sillet si një televizion provincial, i cili shmang të vërtetat apo deformon të vërtetat.

Pyetje: Cilat të vërteta kemi shmangur ne zoti Basha?

Lulzim Basha: Ti asnjë, as gazetarët e Klanit asnjë, por është mirë që të jeni sa më objektiv. Dhe që të jesh objektiv do të thotë të thuash të vërtetën. Zotit Noka i kam komunikuar shkarkimin e tij nga detyra, si kryetar i Komisionit të Sigurisë, nuk e kam përjashtuar, por e kam paralajmëruar. Sepse nuk mundet që Partia Demokratike, që ka kundërshtar dhe armik, armikun e shqiptarëve Edi Ramën dhe regjimin e tij, të mbahet peng nga sajesa, shpifje dhe keqinformime që na devijojnë nga detyra jonë kryesore si opozitë që është lufta ndaj këtij regjimi në të gjitha format dhe mënyrat. Ne kemi laçuar iniciativa të shumta opozitare dhe do të lançojmë të tjera, për të zhbërë dhe gërryer themelet e regjimit Rama-Doshi-Rakipi. Dhe nuk mund të mbetemi peng i agjendave personale që kërkon ta kthejë Partinë Demokratike në një bunker për interesat personale të kujtdo qofshin këto. Prandaj, shtrembërime të tilla nuk do të tolerohen.

Pyetje: Zoti Basha, kush është llumi i qeverisjes gjatë qeverisjes së PD?

Basha: Kush është llumi i qeverisjes jua them unë tani. Pra, fraza të dala indirekt apo dhe këtu nga kjo foltore, nga këto shkallë të Partisë Demokratike që janë sajesa dhe shpifje, i shërbejnë Edi Ramës. Ato bëhen për të demoralizuar demokratët, ndërkohë që e gjithë beteja jonë është që mos të shkelmojmë mbi sakrificën e demokratëve për interesat e askujt. As interesat e mia, por edhe askujt tjetër. Kjo është arsyeja pse kam marrë një vendim më datën 9 shtator, në përputhje të plotë me përgjegjësitë dhe detyrat e kryetarit të Partisë Demokratike, për të shmangur çdo tollovitje dhe mundësi përçarjeje që i shërben Edi Ramës, të cilës i fryn Edi Rama dhe regjimi i tij.

Regjimi i Edi Ramës nuk përbëhet vetëm nga një grusht pushtetarësh të korruptuar që s’kanë të bëjnë fare me socialistët e thjesht. Përbëhet dhe nga oligarkë, edhe nga pronarë mediash, edhe nga anëtarë të krimit të organizuar. Këta janë llumi i tranzicionit. 30 vite ndërrohen qeveritë, këta vetëm pasurohen të tjerët vetëm varfërohen. Statusi juaj vetëm përkeqësohet dhe beteja e Partisë Demokratike, beteja ime në krye të Partisë Demokratike është me ta. Kështu që këtu kërkohet fokus, vëmendje, guxim dhe mençuri.

A ka patur llum në kohën e qeverisjes së Partisë Demokratike? Padiskutim që po. Një pjesë e kemi pastruar kur kemi qenë në qeverisje, një pjesë nuk ia kemi dalë dot ta pastrojmë. Njerëz që sot kanë kontrata me koncensionet e inceneratorëve. Njerëz që sot hapin gropa në Tiranë për të pastruar paratë. Njerëz që kanë frikë nga gjëmat e tyre dhe që janë të shantazhueshëm nga Edi Rama, janë shantazhuar nga Edi Rama për t’i shërbyer Edi Ramës apo promovuar nga Edi Rama. Që këto para të vëna me praktika korruptive, gjatë kohës që qeverisnim ne t’i përdorin për të shantazhuar demokratët në një rrugë pa krye dhe ndërkohë të akuzojnë kryetarin e Partisë Demokratike se po u bëka presion demokratëve, kjo është e patolerueshme.

Ndaj, një gjë ta keni të qartë: Partia Demokratike është shpresa e vetme e këtij vendi. Është shpresa e vetme e shqiptarëve për ndryshim. Ky është një moment fondamental ndryshimi. Kushdo që mendon se do ta kthejë Partinë Demokratike në bunker për interesat e veta personale, që do të ndryshojë orientimin tonë Euro-Atlantik, apo që do të thyej vendosmërinë time për t’u përballur me korrupsionin dhe krimin e organizuar që përfaqëson Edi Rama dhe regjimi i tij dhe bishtat e korruptuar të ish-qeverisjes tonë, siç e thashë një pjesë e kemi pastruar atëherë, por një pjesë kanë mbetur dhe demokratët e dinë fare mirë kush janë e ku janë e se çfarë pazaresh kanë bërë dhe bëjnë edhe sot me Edi Ramën.

Kush mendon se do të thyej vendosmërinë time në këtë drejtim, e ka shumë gabim. Nuk do të lejoj asgjë dhe askënd t’i bjerë me shkelm sakrificës së demokratëve. Gjithçka që e kam bërë dhe po e bëjmë është në interesin më të mirë të demokratëve për të nderuar sakrificën e tyre, sepse po ju them dhe një herë, nuk ka shpresë tjetër për ndryshim për Shqipërinë dhe shqiptarët përveç Partisë Demokratike dhe demokratëve shqiptarë.
Ju faleminderit!

bb 1

3 8