Protestuesit para Kryeministrisë: Ky nuk është shtet! Në shesh derisa të plotësohen të gjitha kërkesat

Disa qindra qytetarë janë mbledhur para godinës së Kryeministrisë në Tiranë, në protestën e dytë brenda pak ditësh të thirrur nga shoqëria civile, kundër rritjes së çmimeve.

Nën thirrjet ulni taksat, protestës i janë bashkuar qytetarë të shumtë dhe figura të njohura të ekranit.

Aktori i njohur i humorit Irgen Çela i bën thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës.

“Mos rrimë në shtëpi dhe të paragjykojmë pjesën që “duhet të çohemi” dhe nga ana tjetër askush nuk vjen. Ky mesazh duhet të pasohet edhe te moshat më të vogla sepse këto janë protesta paqësore, është diçka që bëhet për të gjithë. Karburantet po e po që është shumë shqetësuese, jo vetëm për individin por edhe për biznesin. Ai do detyrohet të rrisë çmimet që të nxjerrë shpenzimet e veta dhe pastaj shkon zinxhir deri te shtresat më të ulëta,” u shpreh Çela.

Një i moshuar theksoi gjatë fjalës së tij se, Rama është kryekrimineli i vendit, duke shtuar se ky nuk është një shtet i demokracisë, por se në krye të vendit janë armiq të lirisë.

“Mafia kriminale e Edi Ramës, nuk është shtet i demokracisë dhe ne do të marrim hakun herët ose vonë, për këta trathtarë dhe armiq të demokracise.

Kam vuajtur shumë vitë në diktaturë, por akoma më shumë me taksat dhe veprat e këtij në këto 8 vite qeverisje.
Kryekrimineli i popullit shqiptar është përgjegjës për të gjitha aktet kriminale. Kemi mafia që i shërbejnë njëra-tjetrës, Rama është njeriu me i poshtër”, deklaroi i moshuari.

Kryeministrit Edi Rama i janë drejtuar disa mesazhe nga qytetarët në protestën që po zhvillohet para godinës së Kryeministrisë kundër rritjes së çmimeve.

Protesta është organizuar nga pjesëtarë dhe aktivistë të shoqërisë civile, ndërsa asaj i janë bashkuar edhe aktorë të humorit apo figura të njohura të ekranit.

Një prej aktivistëve, Fatmir Merkoçi, ka zgjedhur të paralajmërojë Kryeministrin lidhur me një ligj faljeje për oligarkët, që sipas tij po përgatitet nga Qeveria.

“Unë Fatmir Merkoçi, deklaroj me përgjegjësi të plotë se ti po përgatit një ligj për falje të oligarkëve, mos guxo ta kalosh në Parlament. Faleminderit”, tha Merkoçi.

“Nëse qytetarëve iu rritet rroga nuk dëmton absolutisht buxhetin. Nëse rriten pagat, e vetmja që dëmtohet është ai tenderi 2.2 miliardë lekë.

Kur qytetarët kërkojnë t’i rriten pensionet, është ajo arkë ky zyrtarët fusin dorën. Nuk dëmtohet ekonomia e vendit, nëse kërkohen të ulen taksat.

Jemi i vetmi vend në rajon që paguan 20% për ushqime, ashtu si asnjë vend tjetër, tha një tjetër protestues.

Ndërkohë një e re, tha se nuk është e nevojshme të jesh ekspert ekonomie për të kuptuar se në këtë vend mezi ia dilet deri në fund të muajit me keto paga.

Ajo bëri thirrje që qytetarët të marrin fatet e tyre në dore dhe t’i bashkohen protestës pasi është zgjidhja e fundit që ka mbetur.

“Jam llogaritare shumë e mire edhe pse nuk jam eksperte ekonomie, Kryeministri nuk të lejon të dalësh të protestosh, por ai ka një ekspert dhe propozoj të rishqyrtojë edhe një herë të gjitha llogaritë që ka bërë sepse ne mezi ia dalim me këto rroga deri në fund të muajit.

Ndërtoi pistë helikopterësh me paratë e tona, ai ka një shkop magjik kur i duhet të pasurojë miqtë e tij , le ta gjejë një zgjidhje.

Mjafton që ne të jetojmë me dinjitet, nuk ka qeveri që e con popullin e vet në këtë pikë, ne paguajmë cdo kosto, edhe ato të shpenzimeve partiake. Ata na përcmojnë, duhet të dalim të ngremë zerin, kjo është zgjidhja e fundit politike të marrim vetë fatet në dorë”, u shpreh ajo.

Një qytetar tjeter u shpreh se kishte ardhur nga Italia për protestë dhe se edhe pse i diplomuar si inxhinier dhe ish-punonjës i administratës së Ramës, ishte larguar nga vendi si pasojë e pagave të ulëta.

Ai tha se shteti po mbahet me paratë e emigrantëve dhe se mosha e trete mezi marrin ilacet pasi i kane pensionet shume te uleta.

“Vij nga Italia për të mbështetur popullin në këtë protestë dinjiteti për të kundërshtuar në mënyrë kategorike rritjen e cmimeve. Ne emigrantët mbajmë prindërit tanë me bukë se me atë pension nuk marrin dot ilacet. Nuk i lejojmë të na marrin dhe kafshatën e fundit. Këta e dinë shumë mirë se 70% e familjeve mbijetojnë falë emigrantëve dhe të ju vijë turp që e trajtojnë popullin si primitiv me pagat më të ulëta në rajon.

Janë mësuar duke shtypur dhe brezi i ri është i gatshëm të paguajë 25 mijë paund për të ikur në Angli dhe kjo do të thotë se i ka ardhur fundi kësaj shoqërie.

Ju ngrini cmimet, është skandal sepse populli po bvdes nga uria, po talleni me popullin. Jam inxhinier pyjesh, autor i një libri, ish-punonjës i administratës dhe jam detyruar si qindra ,mijëra të diplomuar të braktis vendin tim pasi nuk e gjej dot veten këtu.

Por sot, ndodhemi në një situatë shumë të vështirë, kam ikur në emigracion dhe po punoj në një fabrikë, ika për të mos u bërë servil i partive”, tha ai.

Ndërkohë një pensionist, ndërsa mori fjalën tha se mafia kriminale e Edi Ramës, nuk është shtet i demokracisë dhe ne do të marrim hakun herët ose vonë.

“Kam vuajtur shumë vitë në diktaturë. Kryekrimineli i popullit shqiptar, përgjegjës për të gjitha aktet kriminale. Mafia që i shërbejnë njëra-tjetrës, Rama është njeriu me i poshtër”, tha pensionisti.