Përmbytet Vlora, qytetarët bllokohen në rrugët e mbushura me ujë

Disa lagje të qytetit të Vlorës janë përmbytur për shkak të reshjeve të dendura të shiut që vijuan gjatë natës, deri në orët e para të mëngjesit të sotëm.

Vlonjatëve u janë dashur çizme të gjata që të mund të dalin nga shtëpia, ndërsa uji që ka arritur lartësi, vazhdon të jetë ende i pranishëm për shkak të bllokimit të rrjetit të kanalizimeve dhe mospastrimit të tyre.

“Na sillni një varkë dhe një varkatar që të dalim nga shtëpitë tona. Edhe pse me mijëra herë kemi ngritur zërin, zëri ka shkuar në vesh të shurdhët. Deri kur kështu ma?! E ka shkruar Migjeni në fillimet e shekulit XX e mos harroni se jemi në shekullin e XXI!”, mësohet të ketë thënë një qytetar.