200 milionë euro si gjethe fiku për të mbuluar korrupsionin

Nga Helidon BUSHATI

Fondi që qeveria ka bërë gati për OSHEE-në prej 200 milionë euro, siç deklaroi shefi i rilindjes, nuk dihet se sa do të ndikojë për të përballuar krizën energjitike që po afron.

Por ama, është një konfirmim që tregon për korrupsionin dhe abuzimin e madh që ka ndodhur me këtë ndërmarrje.

OSHEE mban rekord për numrin e lartë të tenderave dhe prokurimeve me flamur të kuq, që do të thotë në shkelje të ligjit. Me një ofertues të vetëm, ose duke favorizuar miqtë dhe oligarkët.

OSHEE ka qënë gjithë këto vite barku i madh ku janë futur gjithë rropullitë e rilindjes dhe ka qënë banka bujare e të mirave për klientët e për interesat elektorale.

Ndaj mungesa e transparencës për këtë institucion është e frikshme.

Në kushte të tjera, me administrim korrekt dhe me llogaridhënie, OSHEE do të duhej t’i kishte vetë paratë për të përballuar krizën.

Duke u trajtuar si miniera e pasurimit për disa, jemi sot ende në kushtet e humbjes së madhe në rrjet, krejt në të kundërt nga sa propagandon qeveria dhe kryeministri.

Drejtuesi i OSHEE do të japë një ditë llogari para ligjit për dëmet e mëdha që i ka shkaktuar vendit.

Por, me Edi Ramën ai ka mbrojtje dhe imunitet politik, duke qënë se është caktuar si komisar i rilindjes për qarkun e Durrësit.

Çdo qytetar që do të vuajë rritjen e çmimit të energjisë, dhe gjithë pasojat e tjera të rënda prej kësaj, duhet ta kenë në mendje se kjo ndodh ngaqë paratë e shqiptarëve janë ndarë si plaçkë nga bosi i OSHEE dhe kapoja i tij.