Arrestimi i Gëllçit, detaje të reja: Shpalli tenderin 870 milionë para miratimit nga AMA dhe Bordi

Zbardhen detaje të reja nga arrestimi i ish-drejtorit të Radio Televizionit Shqiptar, Thoma Gëllçi. Sipas SPAK, ai ka shpallur procedurën e tenderit përpara se të merrte miratimin nga AMA dhe Bordi për hapjen e kanalit TVSH AGRO.

Në tenderin për blerjen e pajisjeve si kamera etj., kanë qenë dy kompani EURO Contact dhe TBS 96. Anëtarët e KVO ka shpallur TBS 96 fituese edhe pse kishte ofertë 20 milionë më të lartë. Të dyja kompanitë kanë patur parregullsi në dokumentacion dhe duheshin skualifikuar.

Po ashtu sipas dosjes së SPAK, Thoma Gëllçi, ka bërë një shtesë në kontratën me kompaninë fituese TBS96 në shkelje të ligjit.

Tenderi për blerje pajisjesh për kanalin RTSH Agro, ka qenë me fond limit 86. 908 550, 00 lekë (pa TVSH) dhe është zhvilluar në datën 9 nëntor të vitit 2018.

Ish-drejtori i RTSH-së, Thoma Gëllçi u arrestua mbrëmjen e të premtes për llogari të SPAK me akuzën e shpërdorimit të detyrës në lidhje me një tender në institucionin që ka drejtuar.

Në njoftimin e SPAK për mediat thuhet se, Gëllçi është nën akuzë për abuzimet në blerjen e pajisjeve për kanalin RTSH Agro në Qershor të vitit 2018. Përveç Gëllçit, në pranga ranë edhe tre punonjësit e tjerë të Televizionit Publik, Julian Tapia, Ervin Muraj dhe Alban Maraveci.