“Energjia u ble me një çmim 21 herë më të madh se ai që shet KESH”, Alfred Rushaj zbërthen skemën abuzive: S’mund të quhet krizë…

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Alfred Rushaj ka shpjeguar me anë të një skeme dhe shifrash atë që kryedemokrati Lulzim Basha e quajti “skemën flagrante të hajdutërisë” në lidhje me çmimin e blerjes nga importi të energjisë elektrike.

Sipas Rushajt, ky vit “mund të jetë çfarëdo por në Shqipëri s’mund të quhet krizë energjetike”. Ai tha se nga të dhënat “duket që jemi në vit shumë të mirë energjetik. Deri në shtator KESH e ka tejkaluar disa herë prodhimin që ka bërë gjithë vitin në 2020-2019″.

Rushaj tha se nëse energjia elektrike do të blihej nga KESH për periudhën shtator – dhjetor, dhe jo në bursë, diferenca e kursimit do të ishte 142 milionë euro.

“Nëse KESH do të furnizonte të plotë kërkesën që ka konsumatori shqiptar, atëherë çmimi do të ishte vetëm 12 euro për megavat orë. Sot blihet rreth 260 euro për megavat orë, 21 herë më e lartë se sa cmimi që është verifikuar disa ditë më parë.

Duke llogaritur që edhe mund të ulet fatura në muajt në vazhdim, për periudhën shtator – dhjetor, kompania publike për të plotësuar këtë detyrim do i duhet të paguajnë rreth 150 milionë euro. Sikur ta merrnin nga KESH, fatura do ishte 8 milionë euro. Llogariteni vetë cila është fatura që do i kushtojë shqiptarëve, në cdo formë, ose duke rritur cmimin ose nga buxheti i shtetit, është faturë që e paguajnë qytetarët shqiptarë, dhe shikoni cfarë është.

Cfarë ka tjetër që ne e quajmë keqmenaxhim, e s’ka të bëjë fare as kriza në Kinë apo vend tjetër, nëse për një moment do besonim atë që thotë Rama, që s’kishim përvecse ta shisnim në treg, OSHEE që ka detyrimin për një strategji të qartë importi. A s’duhet që këtë energji ta blinte në muajt prill apo maj ku cdo njeri e di që çmimi është më i lirë në bursë?

Çmimi i bursës sikur të blihej në Maj ka qenë 74.75 euro për megavat orë, 3.5 herë më lirë se cmimi që ata e kanë blerë.

Këto shifra flasin vetë, tregojnë abuzimin që është bërë në kompanitë publike.
Aty ka një konkurencë shumë të fortë me njëri tjetrin, e paarsyeshme që konsumatorët shqiptarë të paguajnë qindra milionë euro gjatë disa viteve kur cmimet kanë qenë të lira e t’u kërkohet tani të përballojnë krizën e keq menaxhimit të administratorëve publikë që kanë detyrimin për ta menaxhuar e jo për ta sjellë në këtë situatë”, tha Rushaj.