Skandali me energjinë/ Të gjitha blerjet e shtatorit në kulmin e krizës janë 50-70 euro më shumë se çmimi mesatar i bursës

Sa më shumë rritet çmimi i energjisë, aq më shumë rritet diferenca mes tenderëve të qeverisë për të importuar dhe çmimit të bursës së energjisë.

Nuk ka mundësi më të mirë për të krahasuar eficiencën e një importi sesa me një çmim të vendosur nga bursa. Bursa ka çmimin e duhur për një produkt, të bazuar nga kërkesë-oferta. Nëse i largohesh këtij çmimi, ose je më i aftë sesa tregtarët e tjerë dhe e blen më lirë, ose ke arsye të tjera për të blerë më shtrenjtë. Në kapitalizëm, qeveria është tregtari i keq, pasi nuk shpenzon paratë e veta, por të të tjerëve.

Në kohën kur Kryeministri po shpallte krizën energjetike, tenderët për blerjen e energjisë kishin filluar prej javësh të kapnin shifra të paarsyeshme deri në 220 euro për MËh, ose rreth 30 lekë kilovati. Për ta bërë më të qartë, sot një kilovat energji një familje e paguan 9.5 lekë. Por kriza nuk ishte në këto shifra në bursa. Sipas dokumenteve që publikon sot gazeta, në të paktën tre tenderë të Furnizuesit të Tregut të Lirë, çmimi i blerjes së energjisë është shumë më i lartë sesa çmimi i bursës.

Për të njëjtën periudhë kohore, firmat që zgjedh qeveria për të sjellë energji në Shqipëri ofrojnë shifra të frikshme në krahasim me bursën. Kështu, në tenderin e datës 30 gusht kërkohet të blihet energji për 12 ditët e para të shtatorit. Në përfundim të tenderit blihen rreth 110,400 MËh energji, e ndarë në tri lote me çmimet që variojnë nga 147 deri në 159 euro/MËh. Në total, për energjinë e këtyre 12 ditëve janë paguar rreth 16,5 milionë euro. Për të njëjtën periudhë kohe, pra, për datat 1-12 shtator, në bursë çmimi i energjisë ishte 109 euro/MWh.

Nëse kjo energji do blihej me çmimin e bursës, atëherë do shpenzoheshin rreth 12 milionë euro dhe do kurseheshin rreth 4.5 milionë euro. Por ky është tenderi i fillimit të krizës. Me rritjen e krizës mendohet që ulet edhe diferenca mes çmimeve të tenderëve dhe bursës. Por jo. Në tenderin e 10 shtatorit, kur do blihej energji për periudhën nga 13 deri në 19 shtator, sërish ka diferenca të mëdha. Në tender arrihet të kontraktohen 57,232 MWH të ndara në dy lote. Çmimi i blerjes varion nga 165 në 185 euro/ MWh. Qartësisht ka nisur kriza. Por në bursa çmimi është tjetër. Nëse do blihej në bursë çmimi i energjisë për periudhën 13-19 shtator do të ishte 129.5 euro/MWh.

Qeveria nuk do të kishte shpenzuar 9.9 milionë euro, por 7,4 milionë euro. Do kurseheshin rreth 2.5 milionë euro. E njëjta gjë përsëritet edhe në tenderin e fundit, atë të datës 1 tetor kur u ble energjisë për periudhën 4-10 tetor 2021. Firmat që u kontraktuan ofruan një çmim nga 228 në 246 euro/MWh. Një shifër e frikshme për një ekonomi si Shqipëria. Kriza e thellë kishte prekur edhe bursën, por jo kaq egër. Në bursë çmimi për këtë periudhë, pra, 4-10 tetor ishte 170 euro/MWh. Me një diferencë të frikshme nga ai i tenderuar nga Shqipëria.

Për 55,216 MW që u blenë në 1 tetor do paguhen 12.8 milionë euro. Me çmim burse, kjo energji kushton 9.4 milionë euro, ose 3,4 milionë euro më lirë. Shifrat në tabelë tregojnë qartë se sa më shumë thellohet kriza, aq më shumë rritet diferenca mes çmimit të bursës dhe asaj që arrin të blejë qeveria. Për të tre tenderët, diferenca është rreth 10 milionë euro. Për të njëjtën sasi energjie me çmime burse do paguheshin 29 milionë euro, ndërsa u paguan 39 milionë euro. Ose gabon bursa, ose dikush po bën para edhe me krizën e energjisë.

1 3

2 2

3 4

4

5

6

7