Basha: Qeveria ka dështuar me pandeminë, Shqipëria ka shtesën më të lartë të vdekjeve në Europë

Pjesë nga fjala e kryetarit të PD, Basha në Kuvend

Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar qytetarë,

Rendi i ditës së sotme, i cili ka në qendër marrëveshjen me Phizer, vendos edhe njëherë pandeminë në qendër të debatit parlamentar, sic ka qenë në qendër të debatit edhe në familjet tuaja.

Këto ditë është diskutuar në komisione, sigurisht nga përfaqësuesit e opozitës, për vaksinimin dhe diferencën mes shifrave të raportuara nga qeveria dhe ato të raportuara nga entitete ndërkombëtare. Dhe si në traditën më të keqe të kësaj qeverie, ajo që thuhet, nuk bëhet.

Kjo nuk është hera e parë që ndodh dhe as hera e parë që gënjejnë me pandeminë.

Sepse qytetarët tashmë e dinë që kanë gënjyer për ndihmën ekonomike, që kanë gënjyer për rimbursimin e të prekurve nga Covid-19, që kanë gënjyer për tenderat abuziv në kohë pandemie, të mveshura me sekretin shtetëror, por, mbi të gjitha, që kanë gënjyer për numrin e jetëve të humbura.

Këtë nuk e themi ne, paçka se e paralajmëruam.

Këtë e konfirmomon tashmë edhe raporti i Komisionit Europian, në të cilin njoftohet se

Shqipëria ka shtesën më të lartë të vdekjeve në Europë për vitin 2020.

Prandaj, kur të dielën që shkoi deklaroi se, do t’ia dalim siç ia dolëm me pandeminë, zoti na ruajt, ajo fjali triumfaliste, që nuk kishte asnjë lidhje me të vërtetën, tingëlloi si një shuplakë, si një e pështyrë në fytyrën e qytetarëve të këtij vendi, ndërkohë që Edi Rama shfaqej nga mëngjesi deri në dark nëpër ekrane, për të mbushur me dokrra, me gogëllëqe, me gënjeshtra dhe me aktrim boshllëkun që krijoi mungesa e ndihmës reale.

Një shuplakë jo vetëm për familjet që u ndanë nga të dashurit e tyre, duke kaluar një kalvar të gjatë dhe të mundimshëm një kalvar që kjo qeveri nuk njeh dhe mohon, por edhe për ata qindra-mijëra të tjerë që shpenzuan kursimet e tyre për të gjetur shpëtim, sepse ky pushtet kishte larë duart me ta.

Dhe e dimë që nuk kanë shpenzuar pak.

Mesatarisht 1.000 dollarë për tampon, ilaçe e oksigjen, për të gjithë ata që u kuruan në kushte shtëpie, ndërkohë që skema e rimbursimit dështoi, duke mos lehtësuar barrën e rëndë të pandemisë në xhepat e drobitur të qytetarëve më të varfëruar të Europës.
Dhe në fund të Europës e lanë Shqipërinë edhe për masat gjysmake që ofruan. Sepse ndërkohë që bizneset mbylleshin, njerëzit humbnin vendet e punës dhe varfëria shtohej në cdo cep të vendit, ky pushtet, që përparësi ka koncesionet PPP-të, tenderat sekret dhe korruptiv dhe grabitjen e pronave të qytetarëve dhe pronës publike dhanë ndihmën më të ulët ekonomike në gjithë kontinentin.

Na lanë pas edhe vende më të vogla, si Maqedonia e Veriut dhe Kosova, që disbursuan 2 deri ne 3 herë më shumë paketa ndihmëse për të mbrojtur qytetarët e tyre.

Madje Republika e Kosovës po na jep një leksion, një mësim ndjeshmërie dhe përgjegjësie në këtë drejtim, sepse jo më larg se një javë më parë ka vendosur të mbështesë financiarisht me 1.500 euro familjet që kanë humbur një anëtarë të tyre për shkak të COVID-19. Sigurisht kjo shumë nuk kompenson humbjen e njerëzve dashur, por kjo tregon, ky akt, ky veprim tregon qartësisht diferencën midis një qeverie që mohon dhe fsheh jetët e humbura për shkak të papërgjegjshmërisë dhe korrupsionit me të cilin e trajtoi pandeminë dhe një tjetër që kërkon t’u gjendet pranë qytetarëve, duke u dhënë mbrpasht taksat që ata derdhin nëpërmjet punës së tyre.

Por këta nuk e bëjnë dot këtë.

Nuk e bëjnë dot këtë sepse për t’u dhënë para qytetarëve, duhet që këto para t’ia hiqni vetes, apo klientëve tuaj.