Sir Alex reagon ndaj Solskjaer: Ronaldon nuk mund ta lësh rezervë!

Sir Alex Ferguson ka kritikuar trajnerin e Manchester United, Ole Gunnar Solskjaer, që e uli në bankën rezervë Cristiano Ronaldon në barazimin e djajve të kuq me Evertonin në fundjavë.

Ronaldo u la rezervë për ndeshjen e së shtunës kundër Evertonit të Rafa Benitez në Premierligë. Sulmuesi 36-vjeçar u kthye vrullshëm në Old Trafford duke i shënuar pesë gola në pesë ndeshjet para kësaj fundjave.

Solskjaer tha se, synimi i tij ishte ta freskonte ekipin pas një fitoreje të vështirë kundër Villarrealit në Ligën e Kampionëve në mesjavë.

Fillimisht u duk se plani i tij do të korrte sukses, pasi Anthony Martial e kaloi Unitedin në epërsi si titullar i rrallë, por Andros Townsend ia siguroi një pikë Evertonit duke e barazuar rezultatin.

Ronaldo u fut në lojë në minutën e 57-të, tetë minuta para golit të barazimit të Evertonit, por dështoi ta ndryshonte rrjedhën e lojës dhe u largua i mllefosur drejt zhveshtores pas përfundimit të ndeshjes.

Ferguson,  ish-trajneri i Unitedit, u filmua në Old Trafford duke folur me Khabib Nurmagomedov pas ndeshjes: “Por mendoj se ata (Evertoni) e panë që Ronaldo nuk po luante”.

Khabib iu përgjigj: “Po, por ai u fut në lojë në pjesën e dytë”.

Legjenda e Manchester Unitedit shtoi: “E di, por ndeshjen duhet ta nisësh gjithmonë me lojtarët më të mirë”.