Pa përkthimin do të jetonim në troje që i kufizon heshtja

Nga Bujar LESKAJ

30 shtatori- Dita Botërore e Përkthimit

“Pa përkthimin do të jetonim në troje që i kufizon heshtja”
GEORGE STEINER

Kjo shprehje lapidar i shkon më së miri për shtat, sot Ditës Botërore e Përkthimit, një ditë e cila na kujton aftësinë e jashtëzakonshme të gjuhës për të udhëtuar nga një kulturë në tjetrën, nga njëri vend në tjetrin, duke zhdukur kufijtë, duke na ushqyer shpirtërisht e duke përsosur njerëzimin.

Në këtë ditë kujtojmë me nderim gjithë atë plejadë përkthyesish të jashtëzakonshëm shqiptarë, të cilët sollën në shqip kryeveprat e letërsisë botërore, emancipuan e kulturuan popullin shqiptar, duke dëshmuar njëkohësisht për vlerat, muzikalitetin dhe pasurinë e jashtëzakonshme të gjuhës shqipe.

Kujtojmë me respekt e nderim përkthyesit: Fan Noli, Gjon Shllaku, Gjergj Fishta, Mitrush Kuteli, Vedat Kokona, Jorgo Bllaci, Robert Shvarc, Skënder Luarasi, Sotir Caci, Petro Zheji, Hamit Kokalari, Jusuf Vrioni, Nonda Varfi, Astrit Beqiraj, Afrim Koçi, Amik Kasoruho, Eshref Ymeri, Mira Meksi, Bashkim Shehu e deri tek shqipëruesit e rinj, të cilët me përkushtim e dashuri sjellin në gjuhën shqipe vepra të rëndësishme të kulturës botërore.

Një nderim të veçantë për të gjithë ata përkthyes “anonimë”, që përkthyen në burgje e kampe përqendrimi, si Mirash Ivanaj, Beqir Ajazi, Kudret Kokoshi, Pjetër Arbnori, Petrit Velaj, Pashko Gjeçi, Guljelm Deda, Daut Gumeni, Ejëll Çoba e dhjetëra të tjerë të burgosur politikë, të cilëve emri asnjëherë nuk iu përmend nga diktatura komuniste, pasi përkthyen në burgje, por që gjurma e tyre në kulturën shqiptare është e pashlyeshme.

Këta intelektualë e të tjerë, të cilët ndjesë që mund t’i kem harruar, janë elita e kulturës së kombit tonë!