Ballina Ekonomi Tabaku paralajmëron: Afera e rritjes së çmimit të bukës, së shpejti në...

Tabaku paralajmëron: Afera e rritjes së çmimit të bukës, së shpejti në Komisionin e Ekonomisë

Përpara se PS të deklaronte tërheqjen nga komisionet online, maxhoranca zhvilloi mbledhjen e Komisionit të Ekonomisë, në kundërshtim me Rregulloren. Deputetët e PD, të pranishëm fizikisht në komision, kërkuan krijimin e kushteve për të patur një komunikim të rregullt.

Nënkryetarja e PD, Jorida Tabaku u shpreh se: “Besoj se kam mbështetje të kolegëve socialistë përveç anëtarëve të PD-së këtu për të thërritur në një seancë dëgjimore Autoritetin e Konkurencës. Rritja e çmimit të miellit dhe bukës brenda një dite, marrja e një inisiative pa një hetim në treg, pa dalë me një konkluzion dhe me një raport nga Autoriteti i Konkurencës, por edhe situata e krijuar në përgjithësi me rritjen e çmimeve, na detyron ne si Komision të jemi të përgjegjshëm përpara atyre që na kanë votuar, të thërrasim këtu Autoritetin e Konkurencës, të na bëjë një prezantim të situatës, çfarë ka ndodhur me rritjen e çmimit të miellit brenda ditës, çfarë ka ndodhur me rritjen e çmimeve, të na japin një justifikim dhe të diskutojmë për ata që na kanë votuar”, tha Tabaku.

Deputeti i PD, Edmond Spaho, theksoi se: “Ndërkohë që hapen shkollat, ndiqen fizikisht nga nxënësit, hapen gjimnazet, universitetet, në një kohë mbledhjet e qeverisë zhvillohen me prani fizike, në një kohë kur Kuvendi me 140 deputetë me prani fizike ju insistoni që të zhvilloni punën e komisioneve të përhershme të Kuvendit, online. Kjo tregon vetëm frikë nga debatet. S’ka pse të keni frikë nga debati. Demokracia pa debat është e mbaruar”.

Sekretari i grupit parlamentar të PD, Arbi Agalliu theksoi se opozita mbetet e vendosur për të qenë prezent në sallë fizikisht në komision, duke respektuar Kushtetutën dhe rregulloren.

“Bëjmë edhe një herë thirrje për reflektim. Shpresoj dhe besoj se edhe kolegët e tjerë të ishin prezent këtu për të ballafaquar dhe rrahur mendime profesionale në të mirë të qytetarëve. Ne do të vijojmë të jemi prezent në çdo mbledhje të komisionit duke bërë detyrën tonë dhe duke përfaqësuar interesat e qytetarëve që na kanë votuar. Kushtet janë mëse optimale, autobusët dhe stadiumet janë plotë, bare, restorante, qendra tregtare dhe u7k shoh asnjë arsye për të zhvilluar mbledhjen online”, tha Agalliu.

Nënkryetarja e Komisionit të Ekonomisë, Sorina Koti dha një deklaratë për mediat pas mbylljes së njëanshme të mbledhjes.

Exit mobile version