Trajneri i Manchester United paralajmëron Ronaldon

Trajneri i Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer, ka thënë se Cristiano Ronaldo nuk do të luajë në çdo ndeshje të skuadrës së tij.

Ronaldo i shënoi dy gola në ndeshjen e tij të parë pas kthimit në United, në fitoren 4:1 kundër Newcastle të shtunën, duke treguar se Solskjaer do ta ketë të vështirë ta lërë atë jashtë formacionit startues.

Por trajneri norvegjez këmbëngul se do të ketë ndeshje të cilat Ronaldo do t’i shikojë nga stoli.

Qëllimi i tij është që ta mbajë Ronaldon të freskët, duke e ditur se ai është 36-vjeçar tashmë.

Solskjaer u pyet nëse është e pamundur që ai ta lë Ronaldon në stol pas dy golave që i shënoi të shtunën në Old Trafford.

“Puna është se Ronaldo kujdeset aq shumë për veten saqë ai do ta rimarrë veten shumë shpejt, e di këtë”, tha Solskjaer.

Unitedi do të përballet me Young Boys në ndeshjen hapëse të fazës grupore në Ligën e Kampionëve të martën.

Duke folur për këtë, Solskjaer tha: “Natyrisht, e kemi një ndeshje të martën. Do ta shohim se çfarë do të bëjmë. Por jo, nuk është e pamundur ta lë Ronaldon jashtë. Ai është 36-vjeçar, Mason Greenwood është 19-vjeçar, prandaj nuk është njësoj. Më duhet t’i menaxhoj minutat dhe më duhet t’ia menaxhoj minutat edhe një 36-vjeçarit”.