Berisha: Jam kundër censurës, kam luftuar me shumë vendosmëri kundër saj

Ish-kryeministri Sali Berisha ka deklarur se është kundër censurës ndaj kritikave që bëhen ndaj tij duke ju referuar publikimin të deklaratës të disa ditëve më parë të drejtueses së re të Sekretariatit për të Përndjekurit Politikë në Partinë Demokratike, Jonila Godole.

“Nuk cilësoj deklaratën gabim. Gabim konsideroj heqjen e deklaratës (nga RD) . Jam kategorikisht kundër censurës. Unë nuk jam për censurë. Jam njeri që kam luftuar me shumë vendosmëri kundër censurës. Po, te deklarata kishte një moment…Kur bën një deklaratë duhet të jesh i vërtetë. Helmut Kohl, njeriu që kam adhuruar më shumë pas Churchill-it dhe De Gol-it është padiskutim kancelari më i madh i tokës gjermane.

Iu gjet një llogari e fshehtë. Nëse Berishës do i gjendet kund, një llogari e fshehtë cilado që të jetë, unë pranoj çdo gjë. Por të krahasosh të pakrahasueshmen, ajo nuk qëndron. Kohlit iu gjet një llogari e fshehtë dhe nuk tregoi donatorin. Jo vetëm Kohl që u ndëshkua me ligj, por kryetari i partisë, CDU-së dha dorëheqjen pikërisht për këtë çështje.

Kishim të bënim me një skandal, por në rastin konkret sa mund të gjejnë eskimez në shkretëtirë mund të gjejnë një skandal të Sali Berishës. Nuk kam asnjë provë që deklaratat janë të kontrolluara. Për mua secili njeri është i lirë të shprehë mendimet e tij”, tha Berisha.