Video e dosjes 184/ PD: Emërimi i Ulsi Manjës si Ministër Drejtësie cënon edhe më shumë besimin tek institucionet

Deputeti i PD, Enkelejd Alibeaj ka reaguar pas emërimit të Ulsi Manjës si ministër Drejtësie. Alibeaj shkruan  në një postim në Facebook se, emërimi i Ulsi Manjës si Ministër Drejtësie cënon edhe më shumë besimin tek institucionet kur ato dorëzohen tek individë që duhet të ishin përpara drejtësisë e jo në krye të saj.

Reagimi i plotë

Emërimi i Ulsi Manjës si Ministër Drejtësie, është një provokim ndaj shoqërisë shqiptare. Qytetarët tanë dhe bota mbarë ia njeh krimet që ka kryer në bashkëpunim me Edi Ramën.

Caktimi në krye të Drejtësisë të një prej simboleve të pandëshkueshmërisë së krimeve elektorale të Dosjes 184, është një shembull negativ që cënon edhe më shumë besimin tek institucionet kur ato dorëzohen tek individë që duhet të ishin përpara drejtësisë e jo në krye të saj.

Ky është një tjetër ilustrim kuptimplotë se si masakra zgjedhore nuk zgjidhi asgjë për qytetarët. Përkundrazi, vota e vjedhur përdoret si imunitet për krimet e shkuara dhe ato të reja në dëm të Shqipërisë dhe shqiptarëve.