Kaosi me drejtësinë, BIRN: Janë 170 gjyqtarë më pak dhe deri në korrik 2022 do të ketë vetëm largime

Gjatë pesë viteve të shpenzuara në një konflikt gjyqësor, Hakil Troci nuk ka mundur të shkelë më shumë se njëherë brenda sallës së gjyqit.

Në mesin e korrikut, i moshuari me origjinë nga Dibra, banor prej fillimit të viteve ’90 në kryeqytet, po konsumonte një tjetër akt zvarritjeje në Gjykatën Civile të Tiranës.

Troci i tha BIRN se kishte mosmarrëveshje me pronarin e tokës ku u vendos tre dekada më parë në periferi të Tiranës dhe po përpiqej të siguronte një vendim gjykate për vlerën e kompensimit. Por nuk po i jepnin asnjë zgjidhje.

“Vetëm shtyhet gjyqi,” tha i moshuari në hyrje të gjykatës. “Herë virusi, herë anulohet, herë mungon avokati, herë mungon gjyqtarja… Vetëm probleme kam pasur u bënë 4-5 vite,” shtoi ai.

Ecejaket e Trocit në gjykatë përkojnë me jetëgjatësinë e reformës në drejtësi, e miratuar pesë vjet më parë me premtimin e çrrënjosjes së korrupsionit endemik mes gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe ringritjes së një sistemi funksional dhe të shpejtë për qytetarët.

Por ndërsa pritej ndryshimi, largimi i një numri të paparashikueshëm gjyqtarësh dhe prokurorësh e ka precipituar situatën në një krizë për magjistratë të rinj, në një stok të madh dosjesh në pritje si dhe në zgjatjen e kohës së shqyrtimit të tyre.

Për më tepër, aktorët e sistemit të drejtësisë janë të paqartë se kur situata mund të kthehet në normalitet.

“Vonesat janë pika më e nxehtë e reformës,” i tha BIRN avokati Klodian Meta, ndërsa shtoi se qytetarët po prisnin me vite të tëra për të marrë drejtësi.

“Nëse do të ruhet kjo status quo, 10-vjeçari i ardhshëm do të jetë tepër i vështirë për sistemin e drejtësisë,” parashikoi ai, duke tërhequr vëmendjen se vonesat sjellin shkelje të parimit të sigurisë juridike.

Të dhënat e siguruara nga BIRN përmes kërkesave për të drejtë informimi, edhe pse nuk janë uniforme, tregojnë se një rritje eksponenciale të çështjeve për gjyqtarët dhe prokurorët nga viti 2016 deri në mesin e vitit 2021. Kjo ka sjellë zvarritje të mëtejshme dhe gati trefishim të kohës mesatare të përfundimit të tyre.

Rekord mban Gjykata e Apelit të Tiranës, e cila ka humbur 75% të magjistratëve të vet përgjatë procesit të vetingut.

Në pesë vitet e fundit, volumi i punës është rritur nga dyqind në dymijë dosje për çdo gjyqtar, ndërsa koha mesatare e zgjidhjes së një çështjeje është rritur mesatarisht nga 180 ditë në 730 ditë.

Në mesin e procesit të pastrimit të drejtësisë, Shqipëria është e paqartë se kur mund të krijojë një gjeneratë të re magjistratësh për të zëvendësuar të larguarit.

‘Periudhë e zezë’

Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi. Foto: Anesti Barjamemaj.

Kur u miratua paketa e reformës në drejtësi në vitin 2016, mes ekspertëve u diskutua se procesi i vetingut mund të spastronte rreth 30% të magjistratëve në Shqipëri.

Nuk pati një studim të mirëfilltë, por indikacione të përafërta mbërritën asokohe në tryezën e reformës nga eksperienca të mëparshme në Ukrainë, Kosovë apo Serbi.

Largimi në masën 30% i gjyqtarëve dhe prokurorëve u konsiderua asokohe një efekt anësor i rëndë për sistemin, ndaj edhe u parashikuan disa ndërhyrje në legjislacion për ta zbutur këtë efekt.

Pesë vjet pas fillimit të reformës, spastrimet në sistem kanë kapur dyfishin e parashikimeve.

Në fund të korrikut, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit përfundoi procesin e rivlerësimit për 421 magjistratë nga 801 subjekte në total. Nga këta, u konfirmuan në detyrë vetëm 174 magjistratë, ndërsa pjesa tjetër prej 60% u shkarkuan nga detyra ose u larguan përmes dorëheqjeve.

Si pasojë e procesit të vetingut, vakancat aktuale në sistemin gjyqësor dhe atë të prokurorisë konsiderohen në nivele dramatike.

Këshilli i Lartë Gjyqësor i tha BIRN se nga 408 gjyqtarë që duhet të ishin në detyrë, vetëm 247 janë aktualisht pjesë e sistemit. Ndërsa sistemi prej 341 magjistratësh i Prokurorisë ka humbur deri më tani 82 prokurorë si pasojë e shkarkimeve, pezullimeve dhe dorëheqjeve nga vetingu.

Pesë vjet më parë, largime të këtij niveli ishin të paimagjinueshme.

“Padyshim që pritej largimi i një numri të caktuar të gjyqtarëve dhe prokurorëve. E vërteta është që nuk pritej në këto përmasa,” tha Gent Ibrahimi, pjesë e grupit të ekspertëve të reformës dhe drejtuesi aktual i Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Mungesat e prokurorëve janë një shqetësim i vazhdueshëm për Këshillin e Lartë të Prokurorisë, ku mbërrijnë shpesh kërkesa për plotësimin e vakancave. Por Ibrahimi ankohet se mjetet në dispozicion të Këshillit janë për momentin të kufizuara.

Për të mbushur vakumin e krijuar, sytë janë kthyer nga Shkolla e Magjistraturës. Por kjo e fundit certifikon një numër të kufizuar studentësh, ndërsa këtë vit, nuk ka asnjë të tillë për t’i dhënë sistemit.

Mungesa e injektimeve të reja për vitin 2021 e shqetëson Ibrahimin.

“Kjo do të thotë që nga Korriku i vitit 2021 deri në Korrik të vitit 2022 do të jetë periudha më e zezë, pasi do të ketë vetëm largime dhe jo prurje në sistem,” shtoi ai.

Situata është e ngjashme në të gjitha nivelet e gjyqësorit, ku vala e shkarkimeve ka rritur kërkesën për gjyqtarë.

Pas ‘shkrirjes’ nga vetingu, Gjykata e Lartë po ringrihet me vështirësi dhe ka sot nëntë gjyqtarë nga 19 që duhet të ketë.

Sokol Sadushi, një tjetër ekspert i reformës që mban sot postin e zv.kryetarit të Gjykatës së Lartë i tha BIRN se gjykata pret të plotësohet me gjyqtarë nga sistemi, por “sistemi nuk ka për vete”.

Njësoj si Ibrahimi, edhe Sadushi thekson se në këtë fazë të reformës, largimet janë shumë më të larta sesa prurjet nga Shkolla e Magjistraturës, e cila duhet sipas tij që të kujdeset gjithashtu për cilësinë.

Përtej raportit të zhdrejtë numerik, Sadushi flet edhe për një efekt psikologjik frike të shkaktuar nga vetingu, që po sjell vonesa dhe problematika në ngritjen e institucioneve të reja.

“Kjo shifër tashmë është mbi 50-60% dhe mund të shkojë edhe më lart. Në 70% të të larguarve nga sistemi nuk ka parashikim, është një gjë e pamenduar, e pamundur për ta parashikuar lehtësisht,” tha Sadushi.

“Ndoshta kjo është ajo që nuk është menduar. Kam kuptuar që vetingu ka krijuar problematikë te të gjithë. Të gjithë ngurrojnë për të qenë pjesë e këtij sistemi,” tha Sadushi.

Cilësia e drejtësisë

Raftet janë të tejmbushura me dosje në pritje për t’u gjykuar në Gjykatë të Lartë. Foto: Anesti Barjamemaj.

Ndërsa sistemi shqiptar i drejtësisë po vuan që të gjejë gjyqtarë dhe prokurorë të rinj, treguesit mbi volumin e punës dhe kohëzgjatjen e çështjeve ekspozojnë një situatë ngërçi në të gjitha nivelet.

Nga të dhënat që BIRN siguroi nga Gjykatat e Apelit, numri mesatar i dosjeve për çdo gjyqtar është rritur nga 335 në 628 nga viti 2016 në vitin 2020, ndërsa koha e shqyrtimit të një çështjeje civile është rritur me 3.5 herë; nga 214 ditë në 765 ditë për të njëjtën periudhë.

Të dhënat statistikore nga gjykatat dhe prokuroritë e shkallës së parë tregojnë një tendencë të ngjashme.

Përpara fillimit të reformës në vitin 2016, çdo gjyqtar i shkallës së parë gjykonte mesatarisht 330 çështje në vit, ndërsa në vitin 2020 ky numër është rritur në 407. Si rrjedhojë, koha mesatare e shqyrtimit të një çështjeje civile është dyfishuar; nga 160 ditë në vitin 2016 në 328 ditë në vitin 2020.

Prokurorët që shërbejnë sot në shkallë të parë patën gjithashtu një rritje të numrit mesatar të çështjeve nga 166 në 219 në periudhën 2016-2020. Kohëzgjatja mesatare e çështjeve penale është e vështirë për t’u llogaritur, pasi shumica e prokurorive nuk sollën të dhëna.

Drejtues të Prokurorive me të cilët foli BIRN u ankuan për mungesën drastike të stafit, ndërsa thanë se kjo situatë po sillte probleme me hetimet.

“Kemi mungesë stafi, si për prokurorë, ashtu edhe në administratë,” i tha BIRN drejtuesi i Prokurorisë së Pogradecit, Neritan Hoxha.

Nga marsi 2020, edhe Prokuroria e Përmetit ka mbetur me një prokuror. Drejtuesi i saj, Asllan Bajramaj i tha BIRN se kjo ka sjellë zgjatje të hetimeve.

“Prokurori i vetëm është angazhuar me gjithë veprimtarinë gjyqësore, hetimore dhe gatishmërinë dhe procesin administrativ në institucion…,” tha Bajramaj. “Nevoja për të pasur një prokuror ose një oficer të Policisë Gjyqësore është e madhe,” shtoi ai.

Mbingarkesa me çështje ngre pikëpyetje të reja për cilësinë e drejtësisë së re më kryerjen e hetimeve dhe shqyrtimin e çështjeve.

Sadushi i tha BIRN se Gjykata e Lartë duhet të kthehet në një gjykatë ligji, që orienton praktikën gjyqësore si dhe i rikthen dinjitetin institucionit dhe besimin e publikut te drejtësia.

Por kur mori detyrën në mars 2020, ai gjeti një kapicë prej 36 mijë dosjesh si dhe një sistem katastrofik të menaxhimit të tyre.

“Po si kthehet një Gjykatë e Lartë në gjykata ligji dhe rrit besimin publik me 36 mijë dosje” pyet ai.

Në mungesë të vendimeve unifikuese, Gjykata e Lartë filloi të krijonte praktikë nga trupa me tre gjyqtarë, ndërsa përgjatë një viti dha rreth 2 mijë vendime.

Ky volum pune konsiderohet si tepër i madh nga Sadushi.

“Po të bësh një llogari, i bie që çdo gjyqtar të ketë gjykuar 500 çështje në vit. Nuk ka asnjë vend në botë, është një shifër e jashtëzakonshme,” tha ai.

Saimir Vishaj, avokat prej më shumë se dy dekadash i tha BIRN se kjo situatë ka sjellë vonesa në gjykim dhe vështirësi në marrjen e vendimeve të zbardhura. Por kryesore sipas tij është cilësia e vendimeve.

“Nuk mundet një gjyqtar, që dikur gjykonte 80-100 çështje në vit, tani ka 300-400. Tani kjo është trefishuar-katërfishuar,” tha Vishaj për BIRN.

“Nuk mundet ta lexojë, nuk mundet ta gjykojë dhe nuk mundet të zbardhë vendimin,” shtoi ai.

Premtime të reja

Pas Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese, vetingu ka futur në ngërç Gjykatën e Apelit të Tiranës. Foto: Anesti Barjamemaj.

Në vitin e pestë të reformës në drejtësi, aktorët e sistemit kërkojnë ndryshime të reja ligjore për të korrektuar pasojat si dhe për të zgjidhur problemin e vakancave të paplotësuara në gjykata dhe prokurori.

Megjithatë, nuk ka një konsensus se cilat ndryshime do të sillnin rezultat.

Në pamundësi për të gjetur gjyqtarë, Këshilli i Lartë Gjyqësor mendon që ta zgjidhë problemin duke përgjysmuar numrin e gjykatave në vend.

Një hartë e re gjyqësore e publikuar nga media në qershor ngjalli kundërshti për shkak të reduktimit radikal të numrit të gjykatave nga 34 në 15 dhe parashikimit të një supergjykate të vetme Apeli në të gjithë vendin.

Në një përgjigje për BIRN, KLGJ e mbrojti hartën e re gjyqësore si zgjidhjen që i duhet sistemit.

“Harta e re gjyqësore është çelësi dhe një proces shumë i rëndësishëm për zgjidhjen e sfidave të sistemit gjyqësor, lidhur me ngarkesën e punës, delegimet, aksesin, koston dhe efektshmërinë, për të zhbllokuar kështu situatën aktuale në të cilën ndodhen gjykatat e të gjitha shkallëve në Republikën e Shqipërisë,” tha KLGJ.

Një ndër kundërshtitë kryesore të hartës së re gjyqësore është kufizimi i aksesit në drejtësi për qytetarët –veçanërisht për ata që jetojnë në qytete të vogla apo zona rurale.

Por KLGJ thotë të kundërtën, ndërsa premton se harta e re do të optimizojë burimet njerëzore si dhe do të përmirësojë shpejtësinë e gjykimit dhe aksesin në drejtësi.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë është gjithashtu i interesuar që harta e re gjyqësore të miratohet sa më parë.

“…kjo do ta zbuste shumë problemin, pasi do të ishim në gjendje që atë numër të reduktuar prokurorësh që kemi, ta kalojmë në ato vende ku numri i prokurorëve është shumë i vogël dhe ato zyra të jenë funksionale,” tha Ibrahimi.

Propozime të tjera për ndryshime ligjore garojnë aktualisht mes tyre.

Për të zbutur efektet e vetingut, Sadushi i tha BIRN se i kishte propozuar faktorit ndërkombëtar që studentët e Magjistraturës të nxirreshin në punë që në vitin e tretë, por ishte përballur me rrudhje vetullash.

“Nuk është pritur mirë dhe kanë thënë që nuk mund të kthehemi mbrapa, duke patur frikë për cilësinë,” tha ai.

Sadushi e mbron edhe sot këtë ide, duke sqaruar se pas dy vitesh shkollë, ata mund të bëhen ndihmës të gjyqtarëve dhe prokurorëve, derisa të fillojnë të marrin vetë vendime. Ai mendon gjithashtu se sistemi ka shumë nevojë për këshilltarë ligjorë, të cilët duhen stimuluar përmes ndryshimeve ligjore.

Avokati Saimir Vishaj shkon edhe më tej, ndërsa propozon thyerjen e monopolit të Shkollës së Magjistraturës për krijimin e magjistratëve dhe përfshirjen në sistem edhe të avokatëve.

“Ne aktualisht kemi mjaft avokatë, të cilët kanë ardhur nga shkolla në Perëndim, kemi avokatë të cilët kanë mbi 20 vite eksperiencë, të cilët fare mirë mund të zëvendësojnë prokurorët dhe gjyqtarët e larguar nga vetingu,” propozon ai.

Të tjerë aktorë të sistemit të drejtësisë bëjnë thirrje për kujdes.

“Çfarëdolloj mekanizmi që duhet të përdoret për të zgjidhur këtë situatë, duhet të jetë i tillë që të mos dëmtojë qëllimin kryesor të reformës në vetvete,” tha avokati Klodian Meta, ndërsa shtoi: ‘dhënien e drejtësisë profesionale, të pavarur dhe të paanshme”.