Absurdi i konsultimeve të shtatorit!

Ardi STEFA

Përpara disa ditësh ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi dhe Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj firmosën “Udhëzimin për vitin e ri shkollor 2021-2022 në sistemin parauniversitar”.

Sipas këtij vendimi shkolla zyrtarisht shtyhet me dy javë dhe fillon në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar në Shqipëri në datën 27 shtator, por periudha nga 1 shtatori e deri në 27 shtator do të jetë një periudhë përsëritjeje të temave, në të cilat janë vërejtur mangësi nga ana e nxënësve.

Në udhëzimin e firmosur nga dy ministret vihet theksi tek nevoja e përsëritjes së temave mësimore të vitit të kaluar, zbatimi me përpikmëri i planeve mësimore për çdo nivel arsimor, zbatimi i politikave dhe strategjive ndërsektoriale, marrëveshjeve, nismave, programeve e projekteve në funksion të rritjes së cilësisë në sistemin arsimor parauniversitar.

Sipas deklaratës së ministres së arsimit gjatë periudhës së mësimit plotësues, që nis që më 1 shtator, nxënësit nuk janë të detyruar të shkojnë çdo ditë në shkollë, ndërsa mësuesit dhe të gjitha stafet shkollore do të jenë aty me kohë të plotë për të ofruar krahas mësimit plotësues, edhe veprimtari të ndryshme sportive, artistike dhe kulturore.

Dhe pikërisht këtu fillon absurdi, por me të do të merrem në vijim të këtij shkrimi.
Nga çfarë u deklarua kuptohet se do të hapen të gjitha shkollat e arsimit parauniversitar dhe se mësimi në kushte shtëpie do të jetë vetëm një alternativë në rast rreziku nga rikthimi i krizës pandemike, ose siç quhet tashmë “vala e katërt”!.

Ministrja e arsimit deklaroi se vendimi është marrë pas përpunimit të rezultateve të konsultimeve me prindër, nxënës e mësues, ku shumica kërkonin rikthimin në bankat e shkollës.
Kaq mjafton për të kuptuar se në këtë klimë pandemie, ndryshe nga sa ndodh në vendet evropiane, tek ne nuk po mendohet për të bërë ndryshime rrënjësore në konceptimin e zinxhirit mësimdhënës dhe as përmirësime të infrastrukturës mësimore.

Në pamje të parë vendimin e përshëndes ngaqë viti shkollor 2019-2020 mbeti pothuaj në fillim, pasi tërmeti i 26 nëntorit e më pas pandemia e COVID-19 e stopuan, ndërsa viti shkollor 2020- 2021 u zhvillua në situata absurde, herë hapur e herë i mbyllur, herë me prezencë fizike e herë “onllajn”.

E përshëndes edhe për faktin se të gjitha studimet shkencore kanë vërtetuar se moshat e reja nuk janë ndër kategoritë me risk të lartë, por mund të jenë bartëse dhe që mundet ta transmetojnë virusin tek moshat e tjera.

Gjithsesi një rrezik, i cili duhet marrë gjithmonë parasysh, jo të jetë terrorizues, pasi virusi mund të merret kudo, si në shkollë, ashtu edhe jashtë saj e të çohet në familje, ose më gjerë.

E përshëndes vendimin për hapjen e shkollave edhe për faktin se duhet të mësohemi të jetojmë me këtë virus, ndoshta për një kohë të gjatë, por ky fakt nuk duhet të bëhet shkas për shkatërrimin e arsimit, ekonomisë, psikologjisë, shëndetit mendor, fizik, etj.

Por një lexim më i kujdesshëm i deklaratave dëshmon se të gjitha lëvizjet e MASR-it janë afatshkurtra dhe të bëjnë të kuptosh se mezi po pritet që të shuhet pandemia ose të vaksinohet e gjithë popullata. Kjo nuk është e drejtë, por as edhe as efikase, sepse tashmë gjithë bota po e kupton që viruse të reja e kanë radhën, edhe më të fuqishme e vdekjeprurëse, dhe njerëzimi po përgatitet për këto sfida.

Vendimi për hapjen e shkollave është vendim i drejtë e i duhur, pasi ndryshe rrezikojmë që për të tretin vit radhazi arsimi të jetë në nivelet më të ulëta e të krijohet një gropë, e cila vështirë se do të mbushet ndonjëherë dhe pasojat e këtyre tre viteve do të duken në dekadën e ardhshme.
Ndërkohë që shkolla shtyhet me dy javë të tjera dhe zhvendoset në datën 27 shtator.

Pa plan, pa përgatitje, pa studim, madje pa u konsultuar me aktorët dhe faktorët e arsimit në Shqipëri.
Pa kërkuar një studim nga Drejtoritë Arsimore, ekspertët e arsimit dhe ZVA-të për numrin e shkollave që mund të përdoreshin, hapësirat mësimore, numrin e mësuesve, numrin e nxënësve që janë në kategoritë në nevojë, etj, etj.
E, pra. MASR kishte të gjithë kohën e mundshme që të konsultohej e të përgatitej seriozisht për vitin e ri shkollor 2021- 2022, madje, përgatitjet që do të bënte të ishin një investim afatgjatë për arsimin dhe jo vendime e udhëzime sa për të kaluar radhën e në pritje të protokolleve të vendeve fqinje: Italisë, Greqisë e Gjermanisë…

Sidoqoftë, është provuar se distancimi fizik dhe higjiena mbeten mjete të padiskutueshme për të parandaluar përhapjen masive të viruseve të rrezikshme sot dhe nesër, por shkolla shqiptare, publike dhe private, ende nuk është e përgatitur sipas standardeve më të mira për këtë ballafaqim.

Klasa të mbipopulluara, banka dyshe, afërsi e dërrasës së zezë dhe e tavolinës së mesuesit me nxënesit, dritare që nuk mundësojnë dritën dhe ajrimin e mjaftueshëm, WC që mungojnë ose janë burim infeksioni, higjienë e varfër dhe dezinfektim i rrallë, hyrje të ngushta që shërbejnë edhe si dalje për nxënësit e personelin, oborre që mungojnë ose janë reduktuar në kthina prej ndërtimeve me e pa leje: të gjitha këto janë kundër distancimit fizik dhe kushteve të sigurisë shëndetësore.

Shtoju këtyre edhe kulturën dhe buxhetin e pakët në lidhje me arsimin dhe kuptohet fare qartë se po ecim kuturu dhe pa seriozitet, ose me synimin hapjen dhe mbylljen e shkollës pas disa javëve.

***
Në vendet e BE-së aktualisht po investohet në tri drejtime:
1 -Shtimi i ndërtesave të reja shkollore, me synim që të ulet numri i nxënësve në çdo klasë;
2 -Rritja e numrit të mësuesve, për të përballuar më pak nxënës në klasa;
3 -Përmirësim i sistemit të komunikimit elektronik, i rrjeteve të internetit, i pajisjeve individuale për çdo mësues e nxënës (dërrasa interaktive, kompjutera dhe tablete), kualifikim i mësuesve për t’i zotëruar sa më mirë këto mjete, si ndihmëse të rëndësishme në përvetësimin e dijeve dhe jo si primare në mësimdhënie.

Çdo ndryshim thelbësor në sistemin arsimor kërkon një rishikim të buxhetit nga Qeveria, por një përpjekje e tillë nuk duket të jetë në agjendën e MASR-it.

Pandemia Covid-19 duhet të jetë rasti historik i reflektimit të thellë për të parë si do të rikonceptohet arsimi shqiptar i këtij shekulli,i lënë pasdore dhe i politizuar.
Në planet e MASR-it patjetër që duhet të parashikohen ndërhyrjet afatshkurtra anticovid, por mbi të gjitha, masat afatgjata për të përballuar me siguri dhe pa ndërprerje shkollore çdo lloj pandemie. Kjo në rast se qeveria dëshiron vërtet të investojë në arsimin e shekulli XXI dhe jo të bëjë arna sa për të larë gojën apo duart.

Së pari, gjithë personeli mësimor dhe shërbyes nëpër shkolla duhet të jetë i vaksinuar dhe t’u nënshtrohet analizave anticovid. Kjo kategori duhet të jetë ajo që duhet të vaksinohet e para, si për gripin stinor ashtu edhe për COVID- 19.

Së dyti, për të ulur ngarkesën mikrobiale në klasa, duhet që të ulim numrin e nxënësve në mësim, duke llogaritur se çdo nxënës ka nevojë për një sipërfaqe rrethuese 1.8 deri me 2.3m2. Sipas udhëzimit të datës 23 gusht “Brenda klasës, nxënësit qëndrojnë në distancë 1.5- 2 metra larg nga njëri- tjetri. Kur kjo nuk është e mundur nxënësit ndahen në klasa të tjera!”. E, pra, në Shqipëri kjo nuk është e mundur. Pra, presupozohet mësimi me turne. Dhe këtu nuk merren parasysh disa parametra, njerëzore e pedagogjikë, me të cilat do të merrem pak më poshtë.

Së treti, krijimi dhe përdorimi real i një platforme unike për të gjitha shkollat, nxënësit, studentët dhe mësuesit, në mënyrë, që në rast të zhvillimit të mësimit në distancë, (jo online), të gjithë të kenë akses të barabartë në mësim, e jo disa të bëjnë mësime në Whatsaap, disa në Facebook, disa në Zoom, e disa të tjerë si të munden. As regjistrimi i disa mësimeve në RTSH nuk është zgjidhje dhe as investim.

Së katërti, por jo më pak e rëndësishmja. Sa ka investuar qeveria, ministria e Arsimit dhe e Shëndetësisë në ndërgjegjësimin e prindërve, fëmijëve e qytetarëve për mbajtjen e higjienës personale e kolektive?… Dhe kjo është çështje edukate, jo imponimi…

Së pesti. Mësimi në distancë duhet të jetë opsioni i fundit. Nxënësit kanë nevojë për mësimin në bankat e shkollës, pasi arsimi nuk është vetëm dije, është edhe pedagogji, është edhe edukim, që nxënësit tanë, të cilët nuk kanë as kulturën e as disiplinën gjermane apo japoneze, nuk e kanë!
Në rast se do të tentoni përsëri mësimin “online” do të jetë fatale.
Mësimi “online” në Shqipëri, dështoi me sukses.

Jo vetëm për ato që kemi thënë më sipër, apo edhe nëpër shkrime të tjera, por edhe për faktin e thjeshtë, se mësuesit gjatë kësaj periudhe duhet të trainoheshin dhe të çertifikoheshin si mësues digjitalë. Sa është realizuar kjo?

Dështimin e mësimit “online”, pavarësisht demagogjisë e propagandës e pranuat edhe vetë ministria e arsimit, kur kërkoi që në vlerësimin përfundimtar të mos përfshihej tremujori i tretë (të vlerësohej NK), u anuluan provimet e lirimit për klasën e nëntë dhe të pestë dhe hoqën nga Matura Shtetërore temat e zhvilluara “online” për vitin shkollor 2019- 2020 dhe periudha e tremujorit të dytë të vitit shkollor 2020- 2021 ishte pa vlerësim të testit me shkrim.

***
Ndërkohë po rikthehem përsëri tek ajo që e quaj absurde. Fillimi i mësimit në shtator, sepse nxënësit kanë disa mangësi, ndërkohë që u trumbetua e kundërta disa muaj më parë.
Tani shkolla fillon në 27 shtator, ndërkohë që do të ketë përsëritje faklutative për nxënësit, të detyrueshme për mësuesit nga data 1- 27 shtator.
Pikërisht këtu qëndron kleçka dhe absurdi.
Cilët janë ata me të cilët ministria është konsultuar?
A ëshë konsultuar ministria me sindikatat e arsimit?

A janë pyetur mësuesit në arsimin jopublik, të cilët kanë muaj pa u paguar?
Si mund të jetë efikase kjo periudhë përsëritjeje për nxënësit kur lihet në dëshirën dhe dorën e vetë nxënësve vendimi që të marrin pjesë ose jo në përsëritjen e temave të vitit të kaluar? Kaq japonezë, gjermanë apo nordikë i kemi ne nxënësit? Kaq të bindur e të disiplinuar? Kaq të dhënë e të dashuruar pas shkollës dhe mësimnxënies i kemi, sa do të lenë shëtitjet e kafenetë, plazhet apo xhirot me makina, festat apo baret dhe do mbyllen në klasa në mes të vapës?

Si do të zgjidhet transporti i nxënësve nëpër shkolla nga banesat e tyre?
Dhe ajo që është më kryesorja, si mund të quhet efikase kjo periudhë përsëritjeje në rast se mungesat do të jenë më të shumta sesa prezenca në klasa e nxënësve?

Cilat lëndë do të bëjnë përsëritje? Vetëm lëndët kryesore apo të gjitha? Dhe, a do të paguhen mësuesit për orët që do të japin gjatë kësaj periudhe, ndërkohë që mësuesit denoncojnë se nuk janë paguar ende për provimet që kanë korrigjuar apo për orët e vitit të kaluar?

A ka një program të caktuar për lëndët ku do të bëhet mësim plotesues. Nëse po, kush e hartoi dhe kush e miratoi? Pasi shkolla të veçanta kanë edhe nevoja të veçanta, sipas kushteve të vetë shkollave, përbërjes e cilësisë së nxënësve, etj, etj. Dhe këto më mirë se mësuesit përkatës nuk i di askush.

Një tjetër problem që e bën situatën absurde është edhe mungesa e teksteve, të cilat në arsimin e mesëm të ulët janë kthyer në shkollat shtetërore, ndërsa në shkollat e mesme, ose janë dhënë, ose janë grisur, ose janë dëmtuar. Me çfarë tekstesh do të punojnë nxënësit, apo edhe kjo sa për të shkuar radhën?

***
Si konkluzion dhe pa dashur të përsëris shkrimet e mëparshme them me bindje të plotë se situatat e jashtëzakonshme kërkojnë jo vetëm masa të jashtëzakoshme, por edhe ndonjë “shkelje të zakonshme”.

Mësimi duhet të fillojë e vazhdojë në bankat e shkollës, përndryshe analfabetizmin funksional dhe shkatërrimin e arsimit në këto dy vite do ta vuajmë për një periudhë shumë të gjatë.
Prandaj theksoj që situatat e jashtëzakonshme kërkojnë masa të jashtëzakoshme, por të mirëstudiuara.

Dhe le të mos fshihemi pas “konsultimeve e përsëritjes së temave”!…
Sepse, në rast se nuk merren parasysh vërejtjet e problematikat e mësipërme dhe në rast të ndonjë infektimi apo vatre infeksioni në shkolla, zgjidhja më e lehtë NUK do të jetë mbyllja totale e shkollave, as kalimi i tyre me mësim të kombinuar, as kalimi gjysmë “onllajn” e gjysmë fizikisht.
Sepse mbyllja, nuk do të nënkuptojë domosdoshmërisht edhe disiplinim të të rinjve e nxënësve dhe as kufizim të përhapjes së virusit.

Mos të harrojmë, edhe po mbyllët shkollat, me ekonominë në punë dhe prindërit në vendet e tyre të punës, nxënësit vështirë se do të qëndrojnë në “karantinë”!
Por gropa në arsim do të jetë aq e madhe, cilësia e arsimit do të jetë aq e ulët saqë nuk do të mbushet dot as nga afganët apo fëmijët e tyre nëpër shkolla.
She Shqipëria në dekadat e ardhshme do të ketë më pak mjekë të mirë, më pak inxhinierë të mirë, më pak arkitektë të mirë, më pak mësues të mirë, më pak…
Më pak qytetarë të formuar!