Qeveria masakron biznesin e vogël, do t’i shtohen kostot prej fiskalizimit

Faza e tretë e fiskalizimit pritet të sjellë revolucion në sistemin e lëshimit të faturave në Shqipëri, pasi përkon me numrin më të madh të bizneseve që do të përfshihen në proces.

Përveç problematikës së funksionimit të ngadaltë të platformës SelfCare, biznesit të vogël do t’i shtohen kostot. Për shkak të strukturës së bizneseve të vogla me një ose shumë pak të punësuar, shumë prej tyre nuk kanë të punësuar ekonomistë. Vështirësitë për përdorimin e sistemit të ri të faturimit do t’i detyrojë ata, sipas kontabilistëve, të punësojnë ekonomistë për kryerjen e veprimeve, gjë që shton automatikisht kostot e fiskalizimit.

“Fiskalizimi për biznesin e vogël do të jetë me kosto, pasi nuk besoj se të gjithë të vetëpunësuarit kanë mundësinë të presin vetë faturën elektronike. Do t’u duhet të punësojnë edhe personin që do të bëjë këto veprime, përveç kostos së blerjes së programit, kompjuterit etj. P.sh., në rastin e një tregtari të tregut ‘Çam’ që shet shumë artikuj duhet t’i ketë të gjitha mallrat në sistem me kodin përkatës, të cilat duhet të shkruhen me dorë te zgjidhja software”, pohon eksperti fiskal, Ahmet Gjinishi.

Edhe kontabilisti Armand Mala thotë se përveç problematikës që platforma SelfCare punon shumë ngadalë, me fillimin e fazës së tretë shqetësim është nëse biznese i vogël do të jetë në gjendje të përdorë teknologjinë e sistemit të ri. “A do të jetë në gjendje një i vetëpunësuar i moshës para pensionit, qoftë ky saldator, kasap, mekanik apo i ndonjë zanati tjetër, të përshtatet me teknologjinë dhe të përfshihet në platformën SelfCare për të kryer pranimin e faturave të blerjes? Në opinionin tim, mendoj se do të ketë shumë probleme.

Për shumë biznese është ende e vështirë të hapin një llogari bankare e jo më të kenë një account në një portal. Por ç’do do të ndodhë nëse ky biznes nuk futet në portal të pranojë faturën e blerjes? Në aktet ligjore parashikohet që, nëse blerësi nuk e pranon faturën brenda 10 ditëve, ajo do të quhet e pranuar (pra do të pranohet në mënyrë automatike). Mendoj se kjo do të krijojë abuzime.

Shumë biznese që do t’u duhet të shkarkojnë shitje kur blerësit realë nuk ia pranojnë faturat, do të faturojnë NIPT-e të bizneseve të vogla, në mënyrë të rëndomtë dhe pa dijeni të këtyre bizneseve. Atyre mund t’u jenë postuar në portal me dhjetëra fatura që në realitet ata nuk janë palë”, thotë Mala.

Kasat që do dalin jashtë qarkullimit

Shumë biznese të vogla janë të shqetësuara për përshtatjen e kasave me faturimin e ri. Subjektet ende nuk e kanë të qartë nëse janë të përshtatshme të gjitha kasat, pavarësisht vitit të prodhimit. Myrveta Pazaj, drejtoreshë ekonomike e kompanisë “Daisy & ETM”, thotë se janë 12% të totalit të kasave të tregtuara nga ky operator që nuk rinovohen për fiskalizimin.

“Janë disa modele të kasave që janë hedhur në qarkullim pas vitit 2009, të cilat nuk përshtaten. Për modelet e parinovueshme, kompania jonë rezulton se ka 1,200 nga 10,000 kasa të regjistruara që nuk mund të përshtaten dhe për këtë janë njoftuar klientët. Por ekzistojnë edhe disa modele të nxjerra para 10 vitesh, që pranojnë ndryshime në hardware. Nga raportimet që kompanitë e tregtimit të pajisjeve fiskale kanë bërë në administratën tatimore, në total janë 10,000 kasa, nga totali i 150,000 kasave të regjistruara që nuk përditësohen me sistemin e ri të faturimit”.

Znj. Pazaj thotë se pajisjet fiskale të kësaj kompanie do të vazhdojnë të kryejnë të gjitha veprimet që kanë bërë më parë, duke shtuar fiskalizimin dhe lëshimin e faturës shoqëruese. “Nëse një subjekt kërkon të ketë menaxhim të financave, që kërkon inventarët apo raporte të detajuara biznesit, do t’i duhet të kalojë në një zgjidhje software. Edhe më parë në kasë nuk hidhej inventari, por një listë artikujsh. Bizneset e mbanin inventarin në një program tjetër menaxhimi”, pohon përfaqësuesja e kompanisë “Daisy & ETM”.

Cilat pajisje fiskale rinovohen për fiskalizimin

Drejtor i Përgjithshëm i A.E. Distribution sh.p.k, z. Bledar Balla, garanton përditësimin e të gjitha kasave fiskale që ka hedhur në treg, pavarësisht vitit të prodhimit. Krahas faturës elektronike me kasën fiskale AED, biznesi i vogël mund të lëshojë edhe faturën e shoqërimit dhe faturë, duke regjistruar NIPT-in e blerësit.

“Të gjitha kasat fiskale AED ,pavarësisht vitit të prodhimit, janë të përshtatshme për të kryer fiskalizimin e transaksioneve me para në dorë. Përmes këtyre kasave, subjekti mund të lëshojë faturën për shitje me para në dorë, mund të lëshojë faturë, duke regjistruar dhe NIPT-in e blerësit, si dhe faturën e shoqërimit.

Nëse subjekti kërkon të lëshojë edhe faturë elektronike, kjo mundësohet nëpërmjet portalit të tij të pajisjes fiskale, e cila i aktivizohet menjëherë kur do të përditësojë kasën fiskale me programin e ri për fiskalizimin. Ky portal është një shërbim i përfshirë në koston e përditësimit të kasës fiskale AED”.

Kostot e përditësimit të kasës fiskale, sipas tarifave të kësaj kompanie, variojnë nga 50 deri në 100 euro nëse do të ndryshohet modemi i transmetimit. “Për të ndihmuar këtë proces, kompania AED ka nënshkruar dhe një kontratë me shoqërinë ONE TELECOMUNICATION, e cila do të mundësojë këtë përditësim me pagesa mujore, duke e integruar si paketë e shërbimeve të telefonisë ONE”, thotë z. Bledar Balla.

Çfarë rekomandohet të përdorë biznesi i vogël për fiskalizimin

Për fiskalizimin e faturave të biznesit të vogël, eksperti fiskal Ahmet Gjinishi konsideron më praktik përdorimin e zgjidhjeve software. “Programet software mund të rinovohen vazhdimit dhe biznesi ka mundësinë të shtojë elemente të reja sipas kërkesave që kërkojnë subjektet në përditshmërinë e tyre. Sistemi SelfCare është i njëjtë për të gjitha bizneset dhe ka informacione të panevojshme. Më praktike është që biznesi i vogël të përdorë zgjedhjen private software”. Gjinishi thotë se nga përshtatja e kasave, biznesi kursen vetëm koston e blerjes së printerit termik prej 10 mijë lekësh.

Përfaqësuesi i kompanisë AED, Bledar Balla vlerëson se kasat e rinovuara janë më të përshtatshme për fiskalizimin. “Biznesi i vogël gjithmonë ka pasur probleme me instalimin dhe përdorimin e pajisjeve fiskale. Tashmë, kjo fashë është ndërgjegjësuar për instalimin e kasave fiskale. Por mendoj se fiskalizimi i kësaj fashe do të marrë pak më shumë kohë. Sa herë që do të shtyhet, aq herë biznesi do ta shtyjë për në fund procesin e fiskalizimit.

Ne jemi gati që kasat tona të përditësohen dhe të fiskalizohen sa më shpejt. Nëse biznesit i bëhet e qartë që kasat mund të përditësohen, mjafton kasa për të kryer fiskalizimin, atëherë dhe ky proces do të jetë më i thjeshtë, me pak kosto dhe kohë për t’u implementuar”.

Sa do t’i kushtojë faturimi i ri biznesit të vogël

Sipas llogaritjeve të “Monitor”, bazuar te çmimet e kompanive të tregtimit të kasave dhe të zgjidhjeve software, në një biznes i vogël do të zgjedhë të përditësojë kasën për fiskalizimin me çmimet minimale, kostoja llogaritet 138 euro. Në këtë variant, përfshihet përditësimi i kasës 50 euro, mirëmbajtja 41 euro/vit, karta e internetit 15 euro/vit, nxjerrja e certifikatës së sigurisë 32 euro/vit.

Me variantin e çmimeve maksimale, kostoja llogaritet 227 euro. Konkretisht azhurnimi i kasës 120 euro, mirëmbajtja 60 euro/vit, karta e internetit 15 euro/vit, nxjerrja e certifikatës së sigurisë 32 euro/vit. Nëse biznesi zgjedh të blejë kasë të re, që nuk nevojitet të përshtatet me sistemin e ri të faturimit, kostoja do të jetë 348 euro në total. Kasa e re kushton 240 euro + 41 euro/vit mirëmbajtja + 15 euro/vit karta e internetit + 32 euro/vit certifikata e sigurisë. Shpenzimet vjetore do të jenë 98 euro (mirëmbajtje e kasës, certifikatë dhe internet).

Për bizneset që do të përdorin zgjidhjet software, eksperti fiskal Ahmet Gjinishi llogarit se kostoja që do të bëjë llogarit blerjen e kompjuterit apo tabletit që kushton 10,000-20,000; zgjidhjes software 10,000; printeri termik 10,000 dhe interneti 12,000 lekë/vit për linjë të vogël dhe 4,000 lekë/vit certifikata e sigurisë kostoja do të jetë 46,000 lekë (380 euro) nëse zgjidhjen software e instalon në tablet dhe 56,000 lekë (462 euro) nëse e instalon në kompjuter./MONITOR