Vrasja në Shkodër/ Si u ekzekuta në makinë 58-vjeçari në sy të gruas

Ekzekutohet me armë zjarri në Malësi të Madhe 58-vjeçari Sokol Çelaj. Atentati i është bërë mbrëmjen e djeshme teksa ka qenë duke lëvizur me makinën e tij, bashkë me bashkëshorten.

Autori i ka dalë para makinës, dhe ka qëlluar me zjarri kallashnikov në drejtim te mjetit tip “Benz” foristradë me targa angleze. Sokol Çela, nga Reçi i Malësisë së Madhe, po udhëtonte me mjetin e tij në drejtim të banesës, që ndodhet rreth 50 m larg vendit ku ka ndodhur ngjarja. Së bashku me viktimën në makinë  ishte edhe bashkëshortja e tij e cila u ka shpëtuar plumbave.

Në dëshminë e saj në polici, bashkëshortja ka deklaruar se një person u ka dalë para me kallashnikov dhe ka qëlluar ne drejtim të tyre. Bashkëshortja nuk ka arritur ta identifikojë se kush ka qenë autori.

Pasi është transportuar në spitalin e Shkodrës, Sokol Çelaj ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra. Shërbimet e Policisë  kanë ngritur pika kontrolli dhe vijon krehja e zonës  për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Ndërkohë, rezulton se viktima ka kryer një vrasje para viteve ’90, ngjarje që asokohe u cilësua si e ndodhur nga pakujdesia. Nuk dihet ende nëse ekzekutimi i Çelaj ka lidhje me këtë ngjarje.

Viktima kishte vetëm pak ditë që ishte kthyer nga Anglia, ku jetonte prej 25 vitesh. Mësohet se 58-vjeçarit i është zënë pritë në afërsi të banesës së tij. Sapo është futur në një rrugë të pa asfaltuar, një person i ka dalë para dhe ka qëlluar me breshëri kallashnikovi.  Nga plumbat mbeti i vdekur në vend Sokol Çelaj, ndërsa në makinë me të ishte edhe bashkëshortja e tij, e cila ka treguar se autori i krimit po i priste i fshehur në zonën e pyllëzuar.