Inspektori i FNSH në Tiranë plagos dy persona

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat ka arrestuar një inspektor të FNSH, pasi dyshohet se ka plagosur dy persona.

Sipas njoftimit, inspektori Sajmir Halilaj ka shfrytëzuar postin e tij, për të ushtruar dhunë fizike ndaj dy shtetasve.

Njoftimi

Drejtoria Rajonale e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat Tiranë ka arrestuar sot në flagrancë punonjësin e policisë, Inspektor S.H., 50 vjeç, me detyrë Trupë Operacionale në Repartin e Ndërhyrjes së Shpejtë Tiranë, i dyshuar për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”, parashikuar nga neni 88/1 i Kodit Penal.

Arrestimi i tij u krye pas kallëzimit të shtetasve A.LL. dhe R.LL., si dhe të dhënave dhe fakteve të administruara nga kryerja e hetimeve paraprake.

Konkretisht, në orët e vona të mbrëmjes së datës 26.08.2021, punonjësi i policisë S.H. (jashtë detyre) është përfshirë në një konflikt fizik me kallëzuesit dhe si pasojë e veprimeve të dhunshme, për shkak të intimidimit me anë të uniformës së Policisë, ai i ka shkaktuar dëmtime të konsiderueshme shtetasit A.LL., 53 vjeç, si dhe frakturë në krah, shtetasit R.LL., 15 vjeç.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për hetime të mëtejshme.

SHÇBA mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.