Covid-19/ Mjeku i njohur: Nëse do ishin marrë masat e duhura nuk do kishim shifra kaq të larta

I ftuar në edicionin e lajmeve të RTV Ora, mjeku Erion Dasho, ka komentuar situatën epidemiologjike në vend, u kryesisht është ndalur te varianti indian, Delta që tashmë është prezent në vendin tonë.

Dasho thotë se nëse infektohet me variantin “Delta” një person që ka nuk e ka kaluar Covid-19 apo nuk është vaksinuar me shumë gjasa si pas tij nëse infektohet mund të ketë komplikacione të rënda .

“Në radhë të parë duhet të dallojmë dy aspekte, aspektin objektiv, ai që ka prekur të gjithë botën dhe që ka lidhje me variantin Delta. Është një variant që përhapet më shpejt dhe është një variant , i cili i shpëton mbulesës imunitare, qoftë imunitetit të fituar në mënyrë natyrale, qoftë edhe imunitetit artificial. Pra nëse preket një person që nuk e ka kaluar Covid-19 dhe as nuk është vaksinuar , ai ka gjasa të preket nga komplikacione të rënda të Covid-19, por nëse preken persona që e kanë kaluar Covid-19, ose person që janë vaksinuar sigurisht që mundësia e tyre për t’u prekur është shumë e ulët”.

Ai shton se është një variant që përhapet shpejt, ndërkohë shton se vendi ynë nuk ka pasur një përgjigje të organizuar ndaj Covid-19.

Mjeku thotë se nëse në vendin tonë do kishte masa, nuk do të kishte një përhapje të tillë rastesh.

“Kemi një variant që si pasojë e ndryshimit që ka pësuar virusi, është në gjendje të përhapet më shpejt dhe të prekë edhe persona që normalisht duhet të kishin imunitet ndaj varianteve të tjera të virusit. Ne kemi qenë kritik prej kohësh sesi është organizuar përgjigja shqiptare ndaj Covid-19. Ne nuk kemi pasur një përgjigje të organizuar siç duhet, në bazë të parimeve të mira, në bazë të reagimeve të OBSh, dhe në bazë të organizatave prestigjoze. Në këto kushte Shqipëria, përfundoi si vendi me numrin më të lartë të vdekjeve me Covid-19, dhe përfundoi në një situatë katastrofike gjatë vjeshtës dhe dimrit të kaluar. Sot përjetojmë sërish një rritje rastesh të cilat mund të ishin shmangur nëse do të kishim pasur masa efektive për parandalimin ose reduktimin e përhapjes së rasteve. Sigurisht ky dështim nuk vihet më në diskutim, shumë ekspertë përfshirë dhe unë e kemi thënë prej kohësh është se përgjigja ndaj Covid-19, dhe përgjigja nga ana e Komunitetit të Ekspertëve ka dështuar. Sot pretendohet që ka masa, kur dihet që se në Shqipëri nuk ka asnjë masë“.

Sipas tij Shqipëria është i vetmi vend në Evropë ku nuk mbahet asnjë maskë në ambiente , teksa thekson se Komuniteti i Ekspertëve, duhet të tregohet transparentë në lidhje me shifrat e rasteve dhe viktimave.

“Shqipëria është i vetmi vend në Evropë ku nuk mbahet asnjë maskë në ambiente të mbyllura. Ka ardhur koha që qeveria ta pranojë botërisht se përdorimi i vaksinës kineze ka qenë një përdorim I nxitur nga paaftësia e tyre për të gjetur vaksina të tjera në atë kohë. Komuniteti i Ekspertëve nëse do që qytetarët shqiptarë të ndjekin dhe udhëzimet e tyre, duhet të tregohen transparent , të paktën tashmë. Edhe shifrat që publikohen unë nuk mund t’u besoj, sepse gjatë gjithë pandemisë ne kemi pasur një tendencë për fshehje dhe manipulim shifrash. Vitin e kaluar u provua se ishin fshehur gjysma e vdekjeve si pasojë e Covid-19. Më vonë INSTAT provoi se në Shqipëri, ka pasur rreth 15 mijë vdekje nga Covid-19”.