Veriu i vendit vijon të jetë në flakë, situatë e rëndë në Kukës dhe Mat

Veriu i Shqipërisë vijon të përballet me zjarret edhe këtë të martë. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, situata paraqitet problematike në Majën e Rrunës, në Kukës, aty ku vatra është aktive prej më shumë se 2 javësh. Krahas helikopterit holandez në terren janë edhe 30 trupa të Forcave të Armatosura.

Situata është përkeqësuar në fshatin Lundre të Bashkisë Mat, pasi mbrëmjen e së hënës flakët u përhapën të favorizuara nga era. Megjithatë zjarri nuk paraqet rrezik për banesa, ndërkohë që për izolimin e tij po punojnë zjarrfikëset dhe një helikopter holandez.

Ndërsa në fshatin Kaçni të Dibrës vijon djegia e brendshme e vatrave.

Situata është aktualisht nën kontroll në të 3 vatrat aktive në qarkun e Shkodrës. Po ashtu në Mirditë janë nën monitorim 3 vatra aktive zjarri, por që nuk paraqesin rrezik për banesa.

Mali Çipin në Selenicë të Vlorës vijon të digjet prej 2 ditësh, megjithatë zjarri ndodhet larg zonave të banuara.

Po ashtu një vatër zjarri vijon të jetë aktive në fshatin Mengël në Kavaje, i cili nuk rrezikon banesat. Për izolimin e tij po punojnë 40 trupa të FA, si dhe zjarrfikësit e Kavajës, Rrogozhinës dhe Tiranës. /Tv Klan