Atentati në Lushnje/ Si u ekzekutua biznesmeni në lokalin e tij

Dalin të tjera detaje nga atentati qw ndodhi mbrëmjen e djeshme në Lushnje, ku u ekzekutua me armë zjarri në lokalin e tij, 34-vjeçari Bledar Muça. Bëhet me dije se, i ati i një fëmije të mitur ka qenë duke pirë kafe me kunatin e tij, Judin Velo, në momentet e atentatit. Ky i fundit mbeti i plagosur.

Po ashtu, plumbat kapën edhe Ervis Tafën, Sara Liçin, 24 vjeç, Eksara Saulin 26 vjeç dhe Majlinda Gjylin 66 vjeçe, të cilët raportohet se ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Autorët dyshohet se kanë qenë 2, ku njëri ka zbritur nga makina tip Golf me ngjyrë të zezë dhe ka qëlluar të paktën rreth 20 herë me breshëri kallashnikovi drejt lokalit ku ishte ulur shënjestra. Plumbat dyshohet se i kanë kapur rastësisht 5 të plagosurit. E gjithë kjo skenë ka ndodhur ndërsa lokali ka qenë i mbushur me njerëz, përfshirë gra, të cilët janë tmerruar teksa po konsumonin kafe.

Pas atentatit në mjetin tip “Golf 5” që u gjet i djegur nga autorët poshtë urës së Rrogozhinës ishte me targa italiane dhe brenda saj ka qenë edhe një kallashnikov, që mendohet se është arma me të cilën u ekzekutua Bledar Muça dhe u plagosën 5 persona të tjerë. Atentatorët dyshohet se janë ndihmuar nga persona të tjerë për t’u larguar.

Në zonën ku ndodhi aksidenti ka shumë biznese dhe pritet që kamerat e sigurisë të kenë filmuar lëvizjet e autorëve. Kamerat janë sekuestruar nga autoritetet për të bërë të mundur zbardhjen e ngjarjes.

Nuk ka ende informacione nëse viktima ka qenë person problematik apo i përfshirë në ngjarje kriminale më parë, ndërsa bëhet me dije se, ai ishte i martuar me mbesën e Roland Shytit, personazh i dosjes “Hakmarrja për Drejtësi” i njohur me nofkën “Mustaqekuqi”.

Screenshot 2021 08 23 232553