Sot dita e Xherdan Shaqirit

Xherdan Shaqiri do t’iu nënshtrohet testeve mjekësore te Lyoni ditën e sotme, para se ta kompletojë kalimin nga Liverpooli te gjiganti i Ligue 1 të Francës.

Lyoni dhe Liverpooli më në fund arritën marrëveshje në fundjavë për yllin e lindur në Kosovë dhe ai fluturoi drejt qytetit francez të dielën në mbrëmje.

Përfaqësuesit të Zvicrës iu dha leje për të udhëtuar drejt Francës për t’i kryer testet e nevojshme mjekësore dhe kalimi i tij në Lyoni tani është vetëm formalitet.

Lyonit do t’i kushtojë 11 milionë euro blerja e Shaqirit. 29-vjeçari arriti marrëveshje me Lyonin kohë më parë për kontratë pesëvjeçare me pagë vjetore prej 4 milionë eurove.

Shaqiri i zhvilloi 63 ndeshje për Liverpoolin, të cilit i ishte bashkuar më 2018 nga Stoke City për 15 milionë euro. Por lëndimet luajtën rol të madh për të mos e lejuar atë ta ketë një vazhdimësi të dëshiruar në Anfield.

29-vjeçari e shijoi një Kampionat Evropian mahnitës Euro 2020 këtë verë, duke i ndihmuar Zvicrës ta arrijë një çerekfinale historike me tri gola të shënuara.

Pas Euro 2020, Shaqiri i kishte kërkuar Liverpoolit ta lejonte të largohej.

Kjo do të jetë liga e katërt e madhe evropiane që Shaqiri do të luajë, pasi  në të kaluarën luajti për Bayern Munich në Bundesligë dhe Interin në Serie A.