Si u kap efektivi i RENEA-s duke shitur kokainë

Real Luli, efektivi i repartit RENEA-s, rezulton se shiste vetë kokainën në rrugët e Tiranës. 27-vjeçari që ishte pjesë e repartit elitë RENEA, sipas dosjes hetimore të prokurorisë së Tiranës, ka shitur në tre raste porcione droge të llojit kokainë.

Këto raste, janë dokumentuar nga ana e oficerëve të Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave, ku ka dalë qartë se Real Luli, shiste kokainë.

Në të treja rastet, Real Luli, i ka shitur drogën një oficeri të infiltruar nga strukturat e hetimit, që i është prezantuar si emigrant dhe që e kishte të domosdoshme përdorimin e kokainës.

Sasia e drogës pasi është marë nga agjenti i infiltruar, i ëshë nënshtruar një ekzaminimi në laborator, nga ku ka dalë me një përqindje pastërtie prej 80 për qind.

Për hetuesit e çështjes është provuar qartë se Real Luli drejtonte një rrjet të shpërndarjes dhe shitjes së kokainës së një cilësie të lartë.

Ndërsa bashkë me kokainën, efektivi i RENEA tregtonte dhe sasi hashashi. Për shpërndarjen e drogës, dyshohet se ai përdorte kushëririn e tij, 30-vjeçarin Jurgen Luli.

Ky i fundit u kap brenda në banesën e marrë me qira nga Real Luli, banesë e cila përdorej edhe si vendmbajtje e lëndës narkotike dhe sendeve të tjera të paligjshme.

Megjithëse Jurgen Luli, në dëshminë e tij ka treguar se nuk ka asnjë lidhje me trafikun e drogës dhe nuk kishte informacion se brenda në banesë, i afërmi i tij mbante drogë, prokuroria ka urdhëruar arrestimin e tij si bashkëpunëtor në këtë aktivitet kriminal.

Jurgen Luli, ka thënë se ndodhej rastësisht në shtëpi, dëshmi e cila është mbështetur dhe nga Real Luli gjatë momentit të marrjes në pyetje. Por pavarësisht qëllimit të Lulit për të shmangur kushëririn e tij nga kjo histori, prokuroria e Tiranës ka kërkuar në gjykatë masën e “arrestit në burg” për Jurgen Lulin.

“Arrest në burg” është kërkuar edhe për Real Lulin dhe mikun tjetër të tij, Gevi Spahia, të cilin ai e përdorte për të shitur kokainë dhe hashash në rrugën e Tiranës.

Ndërsa për dy personat e tjerë të shoqëruar nga policia, Gertjan Harapi dhe Ergi Sala, ata janë lënë të lirë.

Gjatë kontrollit në bazën e Real Lulit,që ndodhet në zonën e “Ish-parkut të autobuzave”, policia arrit të sekuestrojë 434 gr kokainë, 576 gr kanabis, “Ekstazy”, fara hashashi si dhe tre pistoleta.

Dy nga këto pistoleta rezultuan se ishin pa leje, ndërsa një pistoletë tip “Glock”, rezultoi se i përket repartit RENEA. Mes sendeve të sekuestruara u kapën dhe 11 mijë e 890 euro, që besohet se është krijuar nga aktiviteti i shitjes së drogës. /Ora News