Biden: Nuk ka asnjë mënyrë për të evakuuar kaq shumë njerëz pa dhimbje

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden deklaroi se përpjekjet për t’i evakuuar njerëzit nga aeroporti i Kabulit u përshpejtuan gjatë fundjavës.

Mijëra afganë qëndrojnë prej ditësh në radhë para portave të aeroportit në përpjekje të dëshpëruara për të ikur nga vendi pasi talebanët erdhën në pushtet më 15 gusht.

Biden tha se SHBA kishte arritur të evakuonte 28,000 njerëz nga aeroporti javën e kaluar.

Në orët e fundit kreu i Shtëpisë së Bardhë po përballet me presionin për të zgjatur afatin për evakuimet përtej 31 gushtit.

Biden u shpreh se diskutime po zhvillohen me udhëheqësit e vendeve të tjera për shtyrjen e afatit, por se “shpresa jonë është se nuk do të na duhet”.

“Nuk ka asnjë mënyrë për të evakuuar kaq shumë njerëz pa dhimbje dhe pamjet zemërthyese që shihni. Ne kemi bërë ndryshime, duke përfshirë zgjerimin e zonës së sigurt përreth aeroportit” tha presidenti.

Më herët, Pentagoni tha në një deklaratë se 18 avionë komercialë do të përdoreshin për të ndihmuar transferimin e të evakuuarve jashtë Afganistanit.