Unaza e florinjtë, Këlliçi: Në xhepat e kujt do të shkojnë milionat?!

Deputeti i zgjedhur i PD, Belind Këlliçi ka reaguar për aferën korruptive në Unazën e Re. Ndërtimi i segmentit nga sheshi Shqiponja tek Bulevardi i Ri dhe urat mbi lumë, me një kosto prej 62.5 milionë euro për 3 km rrugë. Pra, i bie më shumë se 20 milion euro për 1 km. Këlliçi shtron pyetjen. Ne xhepat e kujt do të shkojnë milionat?

Postimi i plotë i Këlliçit

Përsëri po përpiqen të vjedhin paratë nga taksat tona, me të njëjtën mënyrë si tek afera korruptive e Unazës së Re.

Për shtatë lote në Tiranë do të hapet gara tenderuese, ndërkohë që tre prej tyre përfshijnë ndërtimin e segmentit nga sheshi Shqiponja tek Bulevardi i Ri dhe urat mbi lumë, me një kosto prej 62.5 milionë euro. Mirëpo, gjatësia e gjithë segmentit është 3 km. Pra më shumë se 20 milionë euro do të shkojnë vetëm për 1 km. Në xhepat e kujt do të shkojnë këto miliona euro?

I bëj thirrje institucioneve kontrollore dhe atyre të drejtësisë të bëjnë hetimet e tyre mbi këtë aferë marramendëse.

Pandëshkueshmëria duhet të marrë fund! Shpërdorimi i parave të taksapaguesve shqiptarë duhet të dënohet dhe hajdutët të marrin dënimin e merituar!