Zëri i Amerikës: Situatë kaotike, shtyhet sërish ardhja e afganëve në Shqipëri

Në Shqipëri, autoritetet po vijojnë me përgatitjet në pritje të mbërritjes së qytetarëve afganë që po lënë vendin e tyre nga frika e kërcënimeve të talebanëve.

Në pjesën ushtarake të aeroportit në Rinas janë ngritur tendat, ku qytetarëve afganë do t’u ofrohen shërbimet e para.

Deri pasdite nuk kishte ende asnjë njoftim për nisjen nga Kabuli të të paktën 350 personave që do të strehohen përkohësisht në Shqipëri

Zhvillimet kaotike në aeroportin e Kabulit po mbajnë pezull nisjen për në Shqipëri të grupit të qytetarëve afganë. Për dy ditë me radhë fluturimi është shtyrë në kohë të ndryshme. Parashikimi i fundit ishte se avioni do të nisej sot rreth orës 13 nga Kabuli, për të mbërritur në Shqipëri pasdite, por sërish ka qenë e pamundur.

Në një takim që pati sot me drejtuesë të disa strukturave të Forcave të Armatosura, të Policisë së Shtetit e të Policisë Kufitare, ministrja e Jashtme Olta Xhaçka është shprehur se situata po ndiqet minutë pas minuti në bashkëpunim me aleatët dhe se janë marrë të gjitha masat, kurdo që të mbërrijë avioni i pare. Ministrja Xhaçka është caktuar koordinatore për operacionin humanitar në ndihmë të shtetasve afganë.

Ajo inspektoi sot qendrën pritëse dhe strukturat akomoduese, të ngritura posaçërisht pranë aeroportit, e ku qytetarëve afganë do t’u jepet ndihma e parë shëndetësore, asistencë psikologjike/sociale dhe shërbimi bazik për ushqim apo nevoja të tjera të mundshme. Qendra, sipas njoftimit të ministrisë, është e pajisur me çadra mjekësore e të ndihmës së parë, dhe ka një kapacitet prej 400 personash. Strukturat në aeroport do të shërbejnë si ndalesa e parë pas mbërritjes në Shqipëri. Më pas, është parashikuar që me përfundimin e modaliteteve ligjore, qytetarët afganë, do të shoqërohen në strukturat pritëse në Tiranë apo Durrës, në varësi të numrit të personave që do të strehohen përkohësisht në Shqipëri.

Në një intervistë për një gazetë spanjolle kryeministri Edi Rama ka deklaruar sot se brenda javës pritet të vijnë 1 mijë qytetarë, aktiviste, gra gazetare po persona që kanë punuar për strukturat amerikane në Afganistan.

Qyteti Studenti pritet të jetë streha e parë. MInistrja Xhaçka inspektoi sot godinat ku do të qëndrojnë qytetarët afganë. Ministria e Jashtme shpërndau dhe pamjet e mjediseve të brendshme të rikonstruktuara.

Qytetarët afganë, sipas njoftimeve zyrtare, “do të qëndrojnë për pak javë në këto qendra, për tu zhvendosur më pas në disa struktura hoteljere në bregdet në pritje të kryerjes së procedurave për transferimin e tyre drejt destinacionin final”, që janë SHBA-të.

Nga ana e tij kryeministri Rama reagoi sot ndaj zërave kritikë për vendimin e qeverisë së tij. “Është me të vërtet shqetësuese të lexosh se Shqipëria po strehon afganët vetëm se një gjë e tillë është kërkuar nga SHBA. Njëjtë siç është qesharake t’u kthesh atyre kurrizin dhe të fajësosh vetëm SHBA-në. Ne ishin të gjithë si pjesë e NATO-S dhe ata njerëz ishin në krahun tonë, sepse ata besonin në idealet mbi të cilat bazohet SHBA dhe BE”, shkruan zoti Rama, duke shtuar se “Shqipëria po përmbush përgjegjësinë e saj si anëtare e NATO-s dhe për shkak të asaj që ne përfaqësojmë si komb” e duke kujtuar se shqiptarët “i detyrohemi kulturës dhe të kaluarës sonë të afërt si refugjatë dhe kujtimeve që do të trashëgojnë fëmijët tanë në të ardhmen”./VOA