Ministri afgan i Mbrojtjes: Na tradhëtuan, gazetari afgan: Nuk e di si i pushtuan qytetet me kallash dhe motorçikletë

Nga Emirjon Senja

Qytetarët e Afganistanit shpresojnë që talebanët të mbajnë fjalën dhe të mos hakmerren duke krijuar gjakderdhje. Situatën në vend që ndryshoi papritur brenda pak javësh, e shpjegon për Abcnews.al, Ihsan Ziyayi, i cili prej shumë vitesh ushtron profesioin e gazetarit për agjencitë e huaja në Kabul.

Në një intervistë për gazetarin Emirjon Senja, ai thotë se talebanët këto kohë po tregojnë një fytyrë më të butë se sa përgjakjet e dikurshme, por nuk dihet nëse ky është një ndryshim i vërtetë, apo strategji për të parandaluar reagimet popullore dhe ndërkombëtare.

Abcnews.al: Z.Ziyayi përshëndetje!

Ihsan Ziyayi: Përshendetje!

Çfarë po ndodh në Kabul dhe si është gjendja tani aty?

Ihsan Ziyayi: Kabuli ka kaluar tashmë nën kontrollin e talebanëve pas dy muajsh avancimi të shpejtë në provincat e tjera tyë vendit. Gjithçka ndodhi shumë shpejtë. Vetëm një javë më parë ata morën provincën e Mazari al Sharif duke kontrolluar të gjithë pjesën veriore të vendit. Jeta nisi normalisht mëngjesin e djeshëm në Kabul, ku secilis hkoi në punë dhe hapi dyqanin e tij, por papritur, aty nga ora 09:00 e mëngjesit filluan të lëvizin gjërat. Njerëzit filluan të iknin nga puna duke mbyllur edhe biznet për t’u mbyllur në shtëpi apo duke ikur gjetkë.

Nga pasditja u njoftua se presidenti Ashraf Ghani u largua nga vendi për në Taxhikistan. Pak minuta më vonë, talebanët bënë një njoftim për shtyp duketheksuar se kishin rrethuar Kabulin dhe donin që të transferonin pushtetin pa luftë. Pas ikjes së Presidentit, në një reagim publik në Tëitter, ministri i Mbrojtjes Bismilah Khan tha se ishin tradhtuar dhe se i kishin duart e lidhura duke mos mundur të reagonin ndaj talebanëve.

Talebanët tani janë kudo në Kabul dhe kanë dërguar një grup në Islamabad që do të negociojë për organzimin e një qeverie në vend. Nuk dihet ende se çfarë përfundimi do të dalë nga këto negociata ende.

A ndiheni të sigurt, çfarë mendojnë qytetarët?

Ihsan Ziyayi: Momentalisht nuk ka ndonjë zhvillim në drejtim të përkeqësimit të gjërave. Në një reagim publik, talebanët theksuan se nuk do të ketë hakmarrje dhe se jeta do të vijonte normalisht. Secili sipas tyre duhej të vijojë rutinën siç ka qenë. Gazetari të bëjë gazetari, nëpunësi publik të vijojë më punën e tij, tregtari me tregtinë etj. Por, gjendja është e pasigurt pasi nuk dimë nëse ata do të vijojnë me këtë qendrim.

Abcnews.al: Ju si mendoni? Talebanët e sotëm, janë të njëjtë me ata të para 25-30 viteve apo kanë ndryshuar?

Ihsan Ziyayi: Shiko, ata kanë patur nën kontroll province të ndryshme gjatë këtyre muajve dhe kemi parë që kanë qenë më ndryshe, si të them, më të hapur krahasuar me ata të asaj periudhe që ti i referohesh. Duket që kanë ndryshuar. Teknologjia sot është zhvilluar shumë krahasuar me 25 vite. Atëhere nuk kishte internet; smartphone; media sociale, etj, kurse sot vetë talebanët po përdorin rrjetet sociale, smartphonet dhe teknologjinë. Megjithatë, nuk di të them nëse kjo është vetëm një strategji momentale e tyre për të mos nxitur reagimin e qytetarëve dhe opinionit ndërkombëtar apo kanë ndryshuar vërtetë.

Nëse ata i qendrojnë premtimeve të tyre dhe mënyrës se si janë sjellë nëpër provincat që kanë marrë më herët nën kontroll, nuk mendoj që të ketë ndonjë problem. Kështu gazetarët mund të vijojnë të bëjnë punën e tyre, mbrohen të drejtat e grave, të minoriteteve etj., megjithatë nuk jam i sigurt. Nuk e di se çfarë mund të ndodhë nesër.

Tre ditë më parë, Neë York Times shkruante se Perëndimit iu deshën 20 vite të ndërtonin ushtrinë e Afganistanit duke investuar vetëm SHBA-ja 880 milion dollar, por kjo ushtri e stërmadhe u shemb në vetëm dy muaj. Çfarë ndodhi? Pse u shpërbë ushtria afgane kaq shpejt?

Ihsan Ziyayi: Unë nuk mund të di se çfarë fshihet pas kësaj gjëje. Kjo është një pikëpyetje e madhe edhe për popullin afgan. Sepse talebanët nuk është se janë ndonjë ushtri e madhe dhe e fuqishme që të përballojnë një ushtri të rregullt në betejë. Nuk e dimë si munden që me një automatik dhe me një motorsiklete hynë dhe morën qëndrat e qyteteve, në shumë raste edhe pa luftuar fare.

Gjatë mbrëmjes së djeshme, bota pa mijëra afganë që mënynë aeroportin e Kabulit me shpresën se do të largoheshin me avionë nga vendi. Çfarë ndodhi me ta? A munden të iknin?

Ihsan Ziyayi: SHBA-të tërhoqen një numër personash që kishin punuar me ta dhe kmpanitë amerikane përmes programit të vizave P2. Me përshpejtimin e gjërave, SHBA-të evakuuan edhe personelin e ambasadës së tyre me shpejësi.

Me të dëgjuar këtë lajm, qytetarët mësynë aeroportin me idenë që do të mund të largoheshin me avionë pa vizë dhe pa asnjë dokument. Sigurisht, njerëzit janë të pasigurt për jetën e tyre dhe duan të largohen, por kjo nuk ndodhi. U larguan vetëm ata që ishin në programin e vizave P2.

Fillimisht Reuters dhe më pas kryeministri Rama deklaruan se Shqipëria do të pranojë disa qindra prej personave që duan të largohen nga Afganistani me argumentin se iu rrezikohet jeta. A mund të na bëni një profil të këtyre personave? Kush janë ata?

Ihsan Ziyayi: Nuk kam një informacion të tillë për Shqipërinë. Di që ka patur edhe Kanadaja një program të tillë, sigurisht edhe SHBA-të. Besoj që kjo do të zgjasë, sin ë rastin e SHBA-ve ku priten vizat etj. Nuk di nëse këto shtete do ta mbajnë fjalën për të pranuar këta njerëz dhe kjo është një gjë që do të shihet në ditët në vijim.

Këta persona janë funksionarë publikë, gazetarë, aktivistë të të drejtave të grave dhe të njeriut etj., të cilët kanë qenë në shënjestrën e talebanëve dhe kanë marrë kërcënime prej tyre. Ata ndjehen më të rrezikuar nga kjo gjë.

Pas gjithë këtyre gjërave që ndodhën, tashmë shihet që Afganistanin do ta qeverisin talebanët, ju si e shihni të ardhmen e afganëve dhe Afganistanit në ditët, muajt apo vitet e ardhshme?

Ihsan Ziyayi: Populli afgan nuk do ndonjë gjë të madhe, duam thjesht të mos ketë luftë dhe të jetojmë në paqe. Siç e dini, u bënë vite që Afganistani përjeton luftë. Të gjithë janë prekur nga kjo luftë. Populli kërkon stabilitet, kushdo qoftë në qeveri ne duam që të ketë shtet ligjor, rregull dhe qetësi. Ky është vendi ynë, nuk kemi se ku të ikim. Duam që talebanët e sotëm të mos jenë ata të para 25 viteve. Mjafton të mos derdhet gjak dhe secili të jetojë i qetë jetën e tij.