Të gjithë artistët kosovarë bojkotojnë festën e birrës në Korçë

Festa e Birrës në Korçë kishte rezervuar disa artistë nga Kosova për të performuar.

Capital T, Dafina Zeqiri, Grupi NA dhe Dren Abazi ishin disa nga emrat që u tërhoqën nga pjesëmarrja në këtë festival, gjersa i fundit që mbeti ishte rock-këngëtari Shemi nga grupi “Ilirët”.

Mirëpo edhe ky i fundit e anuloi pjesëmarrjen e tij në Festën e Birrës dhe këtë e bëri të ditur të enjten përmes një videoje të publikuar nga RTV Dukagjini.

“Të nderuar qytetarë, vëllezër dhe motra shqiptare, dua të them disa fjalë lidhur me këtë koncertin që ka bërë bujë të madhe në Korçë, sepse unë kam qenë një ndër pjesëmarrësit e këtij eventi. Unë kam menduar se kjo ka lidhje me art por po e shoh që nuk ka lidhje me art. Këtu kam gabuar pak, e pranoj gabimin tim sepse unë jam muzikant, nuk jam politikan, nuk merrem me politikë dhe kjo ka marrë një konotacion politik dhe mu për këtë shkak kam vendosur të tërhiqem nga ky event politik”, ka thënë ai.

Tutje, Shemi shtoi se kjo tërheqje e tij vjen si sugjerim nga fansat e muzikës së tij, marrë parasysh ofendimin që iu është bërë shqiptarëve të Kosovë, me ftesën e një këngëtari sllav për ta pasur në koncert.

“Shumica prej jush më kanë sugjeruar që mos të marr pjesë dhe unë nuk do t’i kundërvihem shumicës tuaj, do ta respektoj sikur të ishin zgjedhjet (unë i kam humbur zgjedhjet dhe do ta kaloj në opozitë), pavarësisht se ka pasur ofendime, sharje, kam pasur edhe shumë përkrahje, unë e respektoj shumicën dhe nuk do të shkoj në Korçë. Atje kam pasur dëshirë të flakët të shkoj sepse nuk kam kënduar kurrë në Korçë. Kam dashur të shkoj atje ta këndoj këngën ‘Xhamadani vija vija’, ta këndoj këngën e Adem Jasharit, t’ia këndoj asaj masës por për shkak të krejt rrethanave që kanë ndodhur, unë nuk do të shkoj në Korçë. Më vjen keq që dua duhet ta sjell këtë vendim, vetëm nëse ndodh diçka që ai muzikëtari [Goran Bregoviq] mos të marrë pjesë në këtë event, atëherë do të jem aty. Por për momentin kjo është në fuqi, unë Shemi (Ilirët) nuk do të jem pjesë në eventin e Birra Fest në Korç, ju përshëndes të gjithëve”, ka thënë ai në përmbyllje të videos.

Tërheqja e artistëve nga Kosova për të marrë pjesë në këtë event vjen pasi Festa e Birrës në Korçë ka të ftuar nderi sivjet këngëtarin e famshëm boshnjak me identitet kombëtar serb, Goran Bregoviq.