Kardhiq-Delvinë, kostot dalin jashtë kontrollit, 29% e fondeve për shtesa punimesh

Punimet në rrugën Kardhiq – Delvinë, që kanë nisur që në vitin 2007, rreth 14 vite më parë, ende janë larg përfundimit, kurse kostot e punimeve po dalin jashtë kontrollit pasi financimet e buxhetit të shtetit po shkojnë për shtesa të punimeve.

Ministria e Infrastrukturës ka financuar me 534 milionë lekë ose 4.3 milionë euro në 4-mujorin e parë të vitit 2021, vetëm shtesa punimesh në Lotet, 4,5,6 dhe 7 të rrugës. Të dhënat zyrtare të azhurnuara në raportin e Monitorimit të Buxhetit për janar-prill 2021, tregojnë se me 4.3 milionë euro janë ndërtuar 600 metër nga rrugë nga financimi shtesë.

Ndërsa në projektbuxhetin afatmesëm të publikuar nga Ministria e Financave rruga Kardhiq – Delvinë është programuar të financohet gjatë periudhës 2021 deri më 2024 me rreth 6,7 miliardë lekë nga të cilat 1.7 miliardë lekë janë shtesa punimesh.

Siç shihet nga tabelat e Ministrisë së Financave, në buxhetin afatmesëm kosto fillestare e lotëve që po kryhen punime ishte 5.2 miliardë lekë, por me financimet shtesë kostot janë rritur edhe me 29 për qind, duke shkuar nga 5,2 miliardë lekë në 6.7 miliardë lekë.

Rruga Kardhiq – Delvinë ka një histori të komplikuar dhe mungesë transparence. Qeveria Berisha në vitin 2007 vendosi ndërtimin e këtij aksi, por punimet u ndërprenë për të rinisur në vitin 2018, për të ndërtuar rreth 16 kilometra, pasi punimet për 16 kilometra ishin tashmë të përfunduara.

Projekti për 15 kilometrat e mbetura u rishikua, por kostot totale të rrugës mbeten jo transparente për shkak se ecuria e projektit raportohet i ndarë në 8 lote dhe i shtrirë në shumë vite.

Rruga Kardhiq -Delvinë e është e kategorisë B me dy korsi më gjerësi që varion nga 10 në 17 metër. Ky aks synon të shkurtojë distancën ndërmjet Tiranës dhe Sarandës, duke shmangur Qafën e Muzinës. Rruga e cila u konceptua për nxitjen e turizmit kryesisht u kthye në një sagë pa fund dhe kosto të pallogaritshme për taksapaguesit.

Pak ditë më parë qeveria publikoi një video të shpimit tej për tej të tunelit të Skërficës 1,3 kilometër të gjatë, pjesa më e vështirë e punimeve, në lotin 7.

Qeveria njoftoi si afat për përfundimin total të punimeve në rrugë datën 7 gusht të vitit 2022, por në buxhetin afatmesëm ky aks do të financohet deri në vitin 2024.

E gjithë vepra ka 8 lote nga të cilat punimet tashmë kanë përfunduar për 16 kilometra në lotët 1, 2 dhe 3, teksa punimet po vazhdojnë në lotët e tjera.

Kostot e rrugës u rriten pasi qeveria vendosi vitin e kaluar për të rishikuar projektin në të gjithë gjatësinë e tij, për ta pajisur me sinjalistikë të gjitha lotët në gjatësinë prej 32 kilometër, funksion që normalisht e kryejnë kompanitë që realizojnë punimet.