Bushati: Qeveria po hap rrugën e shkatërrimit dhe betonizimit të Velipojës

Deputeti i zgjedhur i Shkodrës, Helidon Bushati shkruan në një postim në Facebook se, po i hapet rruga shkatërrimit dhe betonizimit të Velipojës.

Bushati shkruan më tej se, Nuk ishte imagjinuar ndonjëherë se dhjetëra hektarë “zonë e mbrojtur” të Velipojës mund të dhuroheshin me tender për njëshat e partisë.

Postimi i plotë

Po i hapet rruga shkatërrimit dhe betonizimit të Velipojës.

Po ç’bëjnë çdo gjë sepse ligji për këtë parti-shtet nuk ekziston.

Nuk ishte imagjinuar ndonjëherë se dhjetëra hektarë “zonë e mbrojtur” të Velipojës mund të dhuroheshin me tender për njëshat e partisë.

Me urdhër të Ministrit së Mjedisit, nga zonë e mbrojtur, statusi për disa hektarë tokë në Velipojë po tentohet të ndryshohet për të lejuar një tjetër masakër ambientale. Enkas për t’i hapur rrugë thasëve të Partisë dhe për të legjitimuar çdo abuzim. Sepse oreksi i të fortëve të Partisë duhet ushqyer me çdo pasuri kombëtare.

Këtë pazar në kurriz të Shkodrës dhe brezave e kemi denoncuar edhe gjatë fushatës zgjedhore. Shpërblimi i denoncuar nga ne për garantuesit e votave të blera po merr jetë nga pakica e korruptuar që po vjedh çfarë i del para.

Ne do të bëjmë ç’të mundemi për ta ndaluar këtë projekt korruptiv dhe paligjshmëri ndaj banorëve të Velipojës, Shkodrës dhe Shqipërisë.

Paligjshmëria që nuk njeh kufij për këtë pakicë uzurpuese e shkatërruese duhet të marrë fund.