Situatë dramatike nga zjarret në Vlorë, flakët djegin banesat në Gjorm dhe Kuç

Vazhdon situata e rëndë nga zjarret në Vlorë. Era po favorizon përhapjen e shpejtë të flakëve. Zjarri në Karaburun ka avancuar duke e rritur rrezikun për parkun e Llogarasë, ndërsa operacioni është ndërprerë për shkak të erës së fortë.

Ndërkohë, situata është tepër dramatike në lagjen e Gjiormit, në zonën e njohur si Neshta në Bashkinë e Selenicës, ku prej disa orësh, vatrat e zjarrit kanë përfshirë sipërfaqe të tëra pyjesh dhe kullotash.

Në fshatin Gjorm deri më tani janë shkrumbuar 5 banesa dhe janë shkrumbuar dhjetëra bagëti. Nuk dihet ende nëse ka të lënduar pasi në vendngjarje shihet edhe një ambulancë.

Zjarri fillimisht nisi në lagjen Neshtë dhe më pas u përhap në anën tjetër të lumit. Banorët janë larguar vetë nga banesat dhe askush nuk ka marrë masa për evakuimin e tyre.

Gjithashtu raportohet se e njëjta situatë është edhe në fshatin Kuç, ndëkohë që vatra zjarri aktive dhe të fuqishme janë edhe në malin e Çipinit.

Ndërkohë nga raportimet mësohet se flakët kanë djegur disa banesa, ndërsa banorë të zonës ndodhen në gjendje paniku.

Pavarësisht se janë njoftuar autoritetet e Emergjencave Civile, të paktën deri në orën 10:40 nuk ka pasur asnjë ndërhyrje për shuarjen e flakëve apo për të ndihmuar banorët. Nga raportimet mësohet se tymi ka krijuar probleme shëndetësore te banorë të zonës, veçanërisht moshat e treta, lidhur me frymëmarrjen.

Më herët Ministria e Mbrojtjes njoftoi për 6 vatra aktive zjarri nga Fushë-Arrëzi në Karaburun, ndërkohë që kjo në Bashkinë e Selenicës nuk pvrfshihej.

Situata e zjarreve prej të paktën dy javësh ka rrëzuar propagandën qeveritare lidhur me marrjen e masave apo përballimin e situatave, ndërsa pamjet e shfaqura në ditët e fundit treguan se qoftë punonjësit e emergjencave, ashtu edhe ato të FA-ve, nuk kishin pajisjet e duhura për të përballuar flakët.

Si pasojë e zjarreve, dy ditë më parë humbi jetën një qytetar në Gjirokastër, ndërsa bashkëshortja e tij, ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.

Sipas të dhënave zyrtare, vatrat më të mëdha të zjarrit kanë qenë në Karaburun, ku rrezikohej baza e Pashalimanit, ato në Fushë-Arrëz, ku rrezikohen banesat, në Gjirokastër ku u regjistrua edhe viktima e parë, në rrethinat e Vlorës, por edhe në Shkodër.

Nga autoritetet ende nuk ka një bilanc lidhur me dëmet që janë shkaktuar, ndërkohë që gjatë ditës së premte pritet të mbërrijnë në Shqipëri dy helikopterë dhe 45 forca ushtarake holandeze, në ndihmë të autoriteteve shqiptare, për përballimin e situatës nga zjarret.