Berisha: Betejë për të vërtetën dhe dinjitetin

Ish-Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot gjatë një konference për shtyp se, avokati i tij ka dorëzuar në Gjykatën Korreksionale të Parisit padinë kundër vendimit të Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken, i cili e ka shpallur ‘non grata’ bazuar në keqinformime dhe pa asnjë provë.

“Jean-Yves Le Borgn ka dorëzuar padinë dhe ju do merrni dëshminë e dorëzimin e këtij padie. Kjo padi bazohet në precedentë të mëparshëm të ngjashëm dhe në parimin universal se nuk ka mburojë nga imuniteti për rastin e shpifjes. Padia bazohet edhe te parimi se shpifja në internet dënohet kudo ku del lajmi.

Unë i bëj thirrje Sekretarit Blinken, që në emër të transparencës të dërgojë pranë kësaj gjykate, çdo fakt, provë apo dokument kundër meje apo familjarëve të mi.

Kjo është hera e parë në jetën time që i drejtohem një gjykate. Kurrë nuk e kisha menduar se do të ngrija padi ndaj Sekretarit të Shtetit të një vendi që e admiroj kaq shumë.

Unë dua të mbroj dinjitetin tim, të familjes dhe të gjithë shqiptarëve që i kam përfaqësuar. Kjo padi është një betejë për dinjitetin njerëzor.

Me këtë padi kërkoj transparencë të plotë përpara shqiptarëve dhe miqve të mi të shumtë në Shqipëri dhe botë dhe të provoj se është një vendim pa asnjë bazë.

Karakterin politik të këtij vendimi e provon fakti se pavarësisht çdo kërkese për të bërë publike faktet dhe provat, nuk është paraqitur asnjë e tillë, për shkakun e vetëm se asnjë e tillë nuk ekziston”, tha Berisha.

Berisha tha se do të futet në Parlament sepse ky është vullneti i votuesve dhe se do të vijojë betejën për të vërtetën dhe dinjitetin.

“Në parlament do futem ashtu siç më kanë votuar qytetarët shqiptarë. Çdo vendim, që në vend të transparencës zgjedh diktatin, unë do i kundërvihem në aleancë me çdo demokrat dhe shqiptar për betejën përfundimtare ndaj këtij regjimi”, tha Berisha.