Van Gaal trajner i Holandës për herë të tretë

Louis van Gaal është emëruar trajneri i Kombëtares së Holandës për herë të tretë, pas largimit të Frank de Boer në qershor.

De Boer dha dorëheqje nga posti i trajnerit pas disfatës zhgënjyese të Holandës kundër Republikës së Çekisë në rrethin e 16 më të mirëve në Kampionatin Evropian 2020.

Federata e Futbollit e Holandës ka vendosur ta kthejë në stol një fytyrë të njohur.

Van Gaal ka nënshkruar marrëveshje fillestare një vjeçare për ta udhëhequr ekipin në kualifikime për Kupën e Botës 2020 dhe do të jetë në krye të tij nëse Holanda ia del të kualifikohet në Botërorin e Katarit 20222.

Ish-trajneri i Manchester Unitedit u shpreh i lumtur që e mori për herë të tretë në dorë ekipin kombëtar holandez.

“Futbollin holandez e kam pasur gjithmonë afër zemrës dhe posti i trajnerit të ekipit kombëtar është pozitë kyçe për zhvillimin e mëtejmë të futbollit tonë”, tha Van Gaal.

“Për më tepër, për mua është nder të jem trajner i ekipit kombëtar të Holandës. Ka mbetur pak kohë deri në ndeshjet e ardhshme kualifikuese, të cilat janë vendimtare për pjesëmarrje në Kupën e Botës”, shtoi ai.

Holanda do të përballet me Norvegjinë, Malin e Zi dhe Turqinë në tri ndeshjet e ardhshme kualifikuese për Katari 2022 në shtator.

Në të kaluarën, ai e kishte udhëhequr Holandën nga viti 2000 deri më 2002 dhe nga viti 2012 deri më 2014.