Ballina Aktualitet “Tradhëtar i Kosovës”/ Turisti shqiptar dhunohet nga rojet e Ramës

“Tradhëtar i Kosovës”/ Turisti shqiptar dhunohet nga rojet e Ramës

Një ngjarje e paprecedentë ka ndodhur sot në Himarë, ku rojet e Ramës kanë dhunuar një shqiptar nga Kosova, me shtetësi të Zvicrës, vetëm se ai i është drejtuar kryeministrit me fjalët, “tradhtar i Kosovës”.

Shqiptari Bekim Rashiti theksoi se e kanë rrethuar 5 truproje, duke shtuar se njëri e ka goditur pas koke. Ai shton se do ngrejë pasi ndaj badigardëve të kryeministrit.

“Në Himarë isha me pushime, pashë Ramën dhe i thashë “tradhtar i Kosovës”. Rama kishte zbritur në mëngjes me helikopter në Himarë. Kur Rama ka dalë nga makina, kam thirrur që është tradhtar. Nuk kam asgjë me të, por me politikën e kryeministrit, në raport me Kosovën, që ndjek politikë tradhtare e antikombëtare.

Më rrethuan 5 truproje, më gjuajti njëri pas koke. Ata erdhën një pas një dhe më sekuestruan edhe celularin. Unë kam ikur nga Shqipëria në vitin 1991, ishte gjest kombëtar, rrallë kam ardhur këtu. Vajza ime nisi të qajë. Kur erdhi policia, i kam thënë se jam shtetas i Zvicrës dhe do bëj padi ndaj kësaj dhune. Unë nuk ofendova Ramën, vetëm për Kosovën e kisha”, deklaroi Rashiti.

Ndërkohë që gjithë pyjet dhe kullotat përreth bregdetit të Gjirit të Vlorës po shkrumbohen nga zjarri që ka më shumë se 10 ditë që nuk pushon, kryeministri Edi Rama ka parakaluar në mesditë në qytetin e Himarës, i shoqëruar nga truproja të shumta.

Shumë qytetarë e kanë pritur këtë paradë arrogante, duke bërtitur: Rama ik!

Mes qytetarëve të irrituar nga papërgjegjshmëria e shtetit që drejton Rama me rastin e zjarreve që po shkatërrojnë pasuritë dhe sezonin turistik në këtë zonë, një shtetas nga Kosova dhe me banim në Zyrih të Zvicrës i gjendur me pushime aty, ka shprehur revoltën edhe për paktin Rama-Vuçiç, kundër Kosovës.

Ndërkohë që Rama kalonte në mes të Himarës, Bekim Rashiti, me zë të lartë ka lëshuar parullën, “Rama tradhtari i Kosovës”.

Menjëherë pas kësaj, njëri nga shoqëruesit e shumtë të kryeministrit ka ndërhyrë, duke dhunuar fizikisht pushuesin e revoltuar kosovar.

Dëshmimtarë të ngjarjes kanë deklaruar se kjo sjellje arrogante dhe brutale e truprojës në praninë të kryeministrit, ka ngjallur reagime të shumta te qytetarët e Himarës dhe pushuesit aty.

Exit mobile version