Shqipëria në flakë/ Pas reagimit të KLSH, kreu i Emergjencave Civile i ndërpret pushimet: Nuk ka mjete për shuarjen e zjarreve

Ndërkohë që Shqipëria po përvëlohet nga zjarret e shumta që kanë pushtuar vendin, drejtori i Emergjencave Civile, i cili duhet të ishte në ballë të situatës, ka zgjedhur të freskohet duke marrë pushimet.

Zbulimin e ka bërë Kontrolli i Lartë i Shtetit, që ka shkuar në Drejtorinë e Emergjencave Civile për të bërë një audit, por ku është konstatuar se drejtori përkatës ka ikur me pushime.

Skandali zemëroi opinionin publik dhe kreu i Komitetit të Mbrojtjes Civile ka zhvilluar më në fund dje një mbledhje ku diskutoi për situatën e krijuar ditët e fundit nga zjarret në disa zona të vendit.

I pranishëm në mbledhjen online nga zyra ishte edhe Drejtori i Agjencisë së Mbrojtjes Civile, Haki Çako, i cili shfaqet pas më shumë se 11 ditësh pa asnjë reagim për zjarret dhe kur situata nuk ka rrugëzgjidhje tjetër, ka vendosur të ndërpresë ‘pushimet’.

Situata nga zjarret vijon të jetë tepër e rëndë. Janë më shumë se 75 vatra zjarri aktive në të gjithë vendin, ndërsa në terren ndodhet vetëm një helikopter për shuarjen e flakëve.

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, ka pranuar pas mbledhjes në Komitetin e Mbrojtjes Civile, se Shqipëria ka vetëm një helikopter në dispozicion për shuarjen e zjarreve me përmasa të mëdha si ai në gadishullin e Karaburunit, dhe e vetmja zgjidhje është që të kërkojnë ndihmë në sektorin privat jashtë vendit.

Ministri nuk ishte në gjendje të jepte një afat kohor se kur mund të bëhet e mundur fikja e zjarrit në Karaburun, që rrezikoi dhe dhe bazën ushtarake të Pashalimanit.