Katastrofa nga djegia e plehrave në Fier/ A ishte i qëllimshëm helmimi iqytetarëve nga Bashkia?

Faktet që kanë dalë në dritë ditët e fundit hedhin dyshime të forta se, helmimi i qytetarëve të Fierit mund të mos ketë qenë aksidental, por i qëllimshëm. MCN publikon dokumente që hedhin dyshime të forta se djegia e mbeturinave në fushën e Mbrostarit mund të jetë e lidhur me prishjen e pazareve të një kontrate të majme publike.

Në datën 4 qershor, Bashkia e Fierit hapi një tender me vlerë 198 milionë lekë ose gati 2 milionë dollarë për shërbimin e pastrimit dhe largimit të mbeturinave në të gjithë qarkun e Fierit për një periudhë 3 vjet e gjysmë. Pjesë e objektit të tenderit ishte dhe transporti i mbetjeve nga Fusha ekzistuese e Depozitimit në Mbrostar deri tek Inceneratori.

Ofertat e tenderit u hapën në datën 23 qershor dhe në garë morën pjesë tre kompani. Sipas dokumenteve zyrtare, çmimin më të ulët e ofroi Victoria Invest me 160.4 milionë lekë. Por veç saj në garë morën pjesë edhe Alko Impex, e cila ofroi çmimin 194 milionë lekë si dhe kompania Kombi Invest, me ofertë 197 milionë lekë.

Tre javë pas hapjes së ofertave, në datën 16 korrik, Bashkia e Fierit shpalli fituese pikërisht Kombi Invest, kompaninë me ofertën më të lartë duke skualifikuar dy kompanitë e tjera, Alko Impex dhe Victoria Invest.

Por edhe pse shpalli fituesin, edhe pse e publikoi atë në buletinin e prokurimit publik, një javë më vonë Bashkia e Fierit bën një kthesë të pashpjegueshme 180 gradë. Në datën 23 korrik, Këshilli Bashkiak i Fierit merr vendim që të anulojë tenderin 2 milionë dollarësh të pastrimit, për të cilin vetëm një javë më parë kishte shpallur fituesin. Sipas vendimit, ky shërbim do të kryhej nga vetë Bashkia e Fierit përmes Ndërmarrjes së Pastrim-Gjelbërimit.

Vendimi i Këshillit Bashkiak për anulimin e tenderit u bë në datën 26 korrik. Në të njëjtën ditë, fusha e mbetjeve në Mbrostar u përfshi nga flakët. Për asnjë rast, autoritetet përfshirë Bashkinë e Fierit nuk e sqaruan publikisht nëse djegia e mbeturinave në Mbrostar ishte zjarrvënie e qëllimshme apo aksidentale. Por rënia e flakëve në të njëjtën ditë me anulimin e kontratës së majme 2 milionë e vesh të gjithë këtë ngjarje me dyshime shumë të rënda.

Ndërkohë që tre ditë më parë, pra në datën 30 korrik, Alko Impex ka bërë ankesë në Komisionin e Prokurimit Publik, duke kërkuar shfuqizimin e vendimit të Këshillit Bashkiak për anulimin e tenderit, edhe pse kjo kompani nuk ishte fituesja. Lufta për të shtënë në dorë biznesin e mbetjeve në Fier duket e ashpër. Me gjasa, në javët në vijim do të dalin të tjera fakte për këtë ngjarje të mbetjeve në Fier.

Por Prokuroria e Fierit dhe SPAK-ut kanë një detyrim të madh ligjor ndaj qytetarëve të Fierit, që u helmuan me toksina për më shumë se një javë. Të japin përgjigje për pyetjen që ngrenë të gjitha këto dyshime. A u helmuan qytetarët e Fierit për prishjen e pazareve në tenderin 2 milionë dollarësh të pastrimit? Nëse po, ky do të ishte një nga krimet më monstruoze të korrupsionit në Shqipëri./MCN