Toka e Teatrit në pronësi të Bashkisë, Budina: Mafia e ka zaptuar shtetin! Të dorëhiqen anëtarët e Gjykatës Kushtetuese

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka protestuar sot pas vendimit të qeverisë për të kaluar truallin në pronësi të Bashkisë së Tiranës.

Regjisori dhe aktori Edmond Budina, me anë të një deklarate për mediat, është shprehur se, do ta vazhdojë betejën deri në DASH apo në Parlamentin Europian.

Budina i kërkon presidentit Ilir Meta dhe opozitës së vendit të mos heshtin për këtë vendim të marrë së fundmi. Ai kishte edhe një thirrje për Gjykatën Kushtetuese. Budina i kërkon anëtarëve të saj të shprehen publikisht për këtë vendim ose të dorëhiqen individualisht apo të gjithë bashkë.

“Mafia e ka zaptuar shtetin, e ka zaptuar në mënyrën më skandaloze. Dmth një vendim i Gjykatës Kushtetuese që shkelet me këmbë, vetëm në një shtet mafioz mund të ndodhë, jo në Shqipëri, por në gjithë Europën e botën. Gjërat nuk janë të rastësishme. E shihni çndodhi dje, u mor ky vendimi i Këshillit të Ministrave.

Jemi këtu për t’i thënë që ne do ta ndalojmë me çdo kusht, në DASH në Europë, në PE. Ne luftën për drejtësi do ta vazhdojmë. Ne nuk fitojmë asgjë përveç drejtësisë.

Qytetarët të mos heshtin. Të ngrihemi kundër kësaj kaste. Të shkelësh vendimin e Gjykatës është të kesh çdo gjë në dorë. Intelektualët të ngrihen. Mos e lëmë këtë vend në mëshirë të fatit. Opozita mos heshtë për gjithë këto problem. Mos heshtë as Presidenti. Kam një thirrje të veçantë për anëtarëat e Gjykatës Kushtetuese, që morën një vendim shumë të saktë që u shkel me këmbë. Të nderuar, ju që morët një vendim me koshiencë, të bindur, a jeni të bindur ende që ky shtet ju ka dhënë priftërinjve e ju ruan mjekrën. Duhet të shpreheni publikisht, edhe të jepni dorëheqjen për ti treguar në këtë vend se nuk vijohet kështu. Jemi këtu për të mbrojtur demokracinë, kulturën, Kushtetutën e këtij vendi‘’, u shpreh Budina.