INSTAT: Ekonomia e Kukësit me rënie, qarku më i varfër varfërohet më tej

Në vitin 2012, në një anketë të posaçme, INSTAT e mati nivelin e varfërisë në vend. Si kufi i varfërisë u përcaktua një konsum për frymë në 4891 lekë (39 euro) në muaj. Familjet dhe individët që konsumonin poshtë kësaj sasie u konsideruan të varfër, pasi me burimet e tyre të të ardhurave nuk mund të siguronin konsumin e 2200 kalorive në ditë.

Rezultatet e anketës treguan se qarqet Vlorë dhe Gjirokastër kishin shkallën më të ulët të varfërisë, ndërsa Qarku i Kukësit kishte shkallën më të lartë të varfërisë, pasi më shumë se 28% e popullsisë në këtë qark konsumonte poshtë kufirit 39 euro në muaj. Harta e varfërisë duhet t’u shërbente qeverive shqiptare më pas për të realizuar ndërhyrje me fokus pikërisht në zonat më të varfra. Por sot, mbas 10 vitesh prej këtyre rezultateve, ekonomia e qarkut më të varfër në vend është thelluar më tej.

Sipas të dhënave të INSTAT, ekonomia e Kukësit nga viti 2009 deri në 2019 ka pësuar rënie me 0.3% çdo vit, ndërkohë që ekonomia në tërësi, në këto dhjetë vjet, është zgjeruar mesatarisht me 2.9% në vit. Gjatë dekadës 2009-2019, Qarku i Kukësit ishte vetmi me rënie në shkallë kombëtare, teksa qarqet e tjera, dikush më pak e dikush më shumë, kanë shkuar drejt rritjes.