Tre anëtarë të KPK-së akuzojnë vëzhguesin e ONM për kërcënime

Një letër të prezantuar si “Notë verbale” që rrodhi të enjten në media, tre anëtarë e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit –pjesë e trupës gjykuese që kreu vetingun e shefes së Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj, ankohen për ‘fyerje dhe presion’ nga ana e vëzhguesit të ONM-së.

Letra pa logo, pa numër protokolli dhe me një seri gabimesh ortografike mban datën 30 mars 2021 si dhe emrat e firmat e komisionerëve Olsi Komici, Roland Ilia dhe Suela Zhegu. Ankesa i drejtohet kryetares së KPK-së dhe është një tjetër dëshmi e përplasjeve mes anëtarëve të KPK-së dhe përfaqësuesve ndërkombëtarë për çështjen “Imeraj”.

Sipas letrës, tre anëtarët e trupës pretendojnë se janë ndjerë jo komodë dhe nën presion nga ‘qëndrimi paragjykues dhe fyerjet’ e vëzhguesit ndërkombëtar –të cilin nuk e përmendin me emër. Ata hamendësojnë gjithashtu se me qëndrimin dhe presionin e ushtruar, vëzhguesi ka pasur si qëllim që të influencojë vendimarrjen.

Kryetarja e KPK-së, Pamela Qirko dhe tre komisionerët Komici, Ilia dhe Zhegu nuk iu përgjigjën pyetjeve të BIRN mbi vërtetësinë e së ashtuquajturës “Notë verbale” apo nëse ankesa ishte depozituar apo trajtuar zyrtarisht- duke iu shmangur transparencës. Letrën nuk e komentoi as vëzhguesi ndërkombëtar Theo Jacobs, i cili ndonëse nuk përmendet me emër, ishte përfaqësuesi i ONM-së në çështjen e Imerajt.

Imeraj u konfirmua në detyrë më 1 prill të këtij viti, pas një séance të tensionuar debatesh mes saj dhe vëzhguesit të ONM-së, Theo Jacobs. Ky i fundit deklaroi në seancë se Imeraj kishte tentuar të ndikonte në procesin e rivlerësimit përmes shantazhimit të një vëzhguesi ndërkombëtar dhe ndikimit të paligjshëm te njëra prej komisionereve të trupës, ndërsa Imeraj i mohoi akuzat.

Konfirmimi i debatueshëm i Imerajt mori vëmendje ndërkombëtare në qershor, kur ambasadorët e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian, si dhe Bordi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit me seli në Bruksel mbështetën njëri pas tjetrit rekomandimin e vëzhguesve ndërkombëtarë për shkarkimin nga detyra të Imerajt.

Çështja u ankimua më pas nga Komisioneri Publik në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

Letra e rrjedhur në media e tre anëtarëve të KPK-së u ironizua për gabimet e shumta dhe mungesën e referencave ligjore nga Instituti i Studimeve Politike, i cili monitoron reformën në drejtësi.

“Shkresa quhet ‘Notë verbale’, por në fjalorin e gjuhës shqipe notat verbale janë akte diplomatike në komunikimin midis shteteve dhe jo akte midis kryetares së KPK-së dhe tre anëtarëve të tij,” shkroi ISP në faqen e vet në Facebook.

“KPK-ja duhet të shprehet publikisht për letrën, për qëndrimin e tij ndaj shqetësimit, si dhe gjithashtu ONM-ja duhet të ketë një reagim publik. Transparenca është respekti minimal që meritojmë!,” përfundon ISP.