Ministrja u mbylli derën, revoltohen aktorët: Kjo është fashiste! Ne nuk kemi as molotov, as bomba…

Ministrja e Kulturës i ka mbyllur derën Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, e cila do të dorëzonte një kërkesë për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me Teatrin Kombëtar.

Ngjarja u regjistrua paraditen e sotme. Në momentin kur Aleanca shkoi pranë godinës së ministrisë, rojet mbyllën me shul kangjellat e oborrit të Ministrisë së Kulturës. Një veprim i tillë ngjalli indinjatë dhe revoltim tek përfaqësuesit e kësaj Aleance, por dhe aktorët të cilët sot ishin nisur drejt Ministrisë.

”Një shtet që nuk pranon qytetarët e vet të dorëzojnë thjesht një kërkesë.. thjesht donim të protokollonim kërkesën e do iknim. Ne nuk kemi as molotov, as bomba, asgjë …, kjo është fashiste …, nuk pranon që qytetarët nuk pranojnë të depozitojnë një kërkesë”, u shpreh Budina.

“Ministrja, kryeministri dhe presidenti e të tjerët duhet ta kuptojnë që do të vijë dita kur do të bëhen ish-a, por aktorët nuk bëhen kurrë ish-a. Budina, Malkaj e shumë të tjerë do të mbeten gjithmonë. Këta të rrahin e nuk të lënë të ankohesh e të qash. Ne nuk po ia kthejmë me rrahje, por të ankohemi. Të paktën më lër të qaj. Këta të bien me vare në kokë dhe të thonë pse të dhemb koka”, tha aktori dhe regjisori Naum Shundi.

Avokata Arjana Kalaja vuri në dukje se do të depozitojë dhe një tjetër kallzim penal për ministren e Kulturës, Elva Margariti.

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit donte të dorëzonte sot një kërkesë pranë Ministrisë së Kulturës ku kërkon nisjen e procedurave për rikthimin e pronës, pasuria Nr. 1/241  me  emërtimin  “Teatri Kombëtar”, për sipërfaqen prej 5.522,7 m2, nga Bashkia e Tiranës te Ministria e Kulturës.

Por ministria e Kulturës duket se është druajtur dhe ka mbyllur me shul derën e hyrjes duke mos i lejuar 22 firmëtarët e kërkesës të dorëzonin në ministri kërkesën që më pas të protokollonin.