Raporti i OSBE/ODIHR, Basha publikon videon: Të ndëshkohen autorët e masakrës zgjedhore. Ne presim drejtësi!

Kryetari i PD, Lulzim Basha ka publikuar një video të masakrës zgjedhore të ndodhur në zgjedhjet e 25 prillit. Basha shkruan nw reagimin e tij se, pas publikimit të raportit final të OSBE-ODIHRIT, duhet të ndëshkohen autorët e masakrës zgjedhore, ndërsa shqiptarët meritojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Reagimi i kryetarit Basha

25 prilli ishte një masakër zgjedhore! Këtë e dinë të gjithë shqiptarët, këtë e konfirmon edhe OSBE/ODIHR. Partia Demokratike ka depozituar 185 padi penale në SPAK dhe në prokuroritë e rretheve për krimet zgjedhore.

Ne presim drejtësi, sepse shqiptarët meritojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Pa u ndëshkuar autorët e kësaj masakre, pa u kthyer legjitimiteti në vend, nuk do të kemi një pushtet të njerëzve për njerëzit, por sundimin e një pakice të korruptuar që varfëron dhe shpopullon Shqipërinë.