Ballina Kryesore Basha: Ne do të përdorim të gjithë forcën që qytetarët na dhanë...

Basha: Ne do të përdorim të gjithë forcën që qytetarët na dhanë në 25 prill për t’ua kthyer pushtetin qytetarëve

Raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR konfirmoi atë që shumica dërrmuese e shqiptarëve e di tashmë, që 25 prilli nuk kishte lidhje me zgjedhjet e lira dhe të ndershme, nuk kishte lidhje me demokracinë.

Qytetarët e kanë parë me sytë e tyre se si ndryshimi që ata kërkonin u pengua me paligjshmërinë, me hilen, me dhunën dhe shantazhin. Tani këtë e di gjithë bota demokratike, sepse ky raport është vula e turpit mbi vjedhjen më të madhe të kryer në historinë e pluralizmit.

Shqiptarët sot e dinë se problemet që ata hasin në punësim, arsimim, shëndetësi, biznes e kudo tjetër burojnë aty ku e ka gjenezën lufta jonë me regjimin: “Te zgjedhjet që vidhen dhe demokracia që shkatërrohet”.

Pa u fituar kjo luftë, për çdo shqiptar, çdo përpjekje për një ekonomi më të fortë, për një të ardhme më të mirë, do të jetë e pamundur.

Ndaj, ne do të përdorim të gjithë forcën që qytetarët na dhanë në 25 prill, në të gjitha forumet, me të gjithë miqtë e Shqipërisë, që e duan vendin tonë më demokratik, më pranë Europës, me më pak krim dhe korrupsion, për t’ua kthyer pushtetin qytetarëve. Aty ku buron pushteti i tyre në demokraci, te vota e lirë dhe e ndershme. Vetëm kështu ky raport mund t’i përkasë të shkuarës, jo të ardhmes që familjet shqiptare meritojnë.

Exit mobile version