Ndahet nga jeta papritur aktori i njohur në Sarandë

Krejt papritur është shuar sot Haki Spaho, aktori i njohur i humorit i estradës së Sarandës, me afër 40 vjet karrierë në trupën e saj. Ka qenë një ishemi celebrale ajo që i mori jetën njerit prej ikonave të humorit sarandiot, i njohur për mimikën e veçantë, artikulimin ngacmues dhe lojën krejt të natyrshme.

Krijues i qindrave roleve, me një galeri e pasur personazhesh ndër vite, Haki Spaho ishte një talent i lindur, pa nevojën e një shkolle teatrore, pasi ishte vetë një shkollë aktrimi.

Kësisoj, ai erdhi nga trupat amatore, më saktë nga Parku Automobilistik ne Sarandë dhe të niste një karrierë si profesionist në Estradë, duke luajtur krah atyre me diplomë në aktrim, pa asnjë diferencë në cilësi aktoreske. Mungesa vitet e fundit e shfaqjeve të Estradës së Sarandës, ishte njëherësh dhe një mungesë e shijimit të lojës së Haki Spahos dhe shakave e batutave prej tij. Ai doli në pension para katër vjetësh, ndërkohë që më parë bëri një kalim nga estrada në Teatrin e Kukullave.

Ai bënte një jetë të thjeshtë qytetare, i apasionuar dhe pas peshkimit, duke përcjellë në publik rrezatimin e një njeriu me sens artistik edhe në sferën e marrëdhënieve shoqërore. Saranda dhe jo vetëm do ta kujtojnë përherë me respekt aktorin e humorit, Haki Spaho.

Partia Demokratike dega Sarande shpreh ngushellimet e sinqerta per ndarjen e parakohshme nga jeta te artistit Haki Spaho!

Ndarja nga jeta e Hakiut, aktorit qe per vite sherbeu ne Estraden Profesioniste te Sarandes, eshte nje humbje e madhe per artin sarandiot por edhe ate kombetar. Ikja e tij e parakohshme na pikellon edhe ne, pasi me Hakiun kemi ndare vitet e veshtira opozitare, ku ne aksionet tona ai nuk ka munguar asnjehere, si mbeshtetes i kauzave demokratike per nje Shqiperi me te mire.

Ne i shprehim ngushellimet tona familjes se tij dhe lusim Zotin qe shpirti i Hakiut te prehet ne paqe!

Lamtumire i dashur Haki!

1 29