Pse Gazment Bardhi meriton respekt dhe mirëkuptim

Nga Marash LOGU

Si e kam njohur unë Gazment Bardhin

E kam takuar Gazment Bardhin për herë të parë në një takim të gjatë në Gusht 2018. Kisha disa muaj që asistoja kryetaren e Komisionit Parlamentar për Arsimin dhe Median, Albana Vokshi. Gazi kishte parë disa prej shkresave që kisha përgatitur unë dhe i kishte vlerësuar. Ma tha sapo filluam bisedën. U ndjeva mirë. Doemos kushdo që i çmohet puna që e bën me pasion, do të ndjehej mirë.

Thelbi i atij takimi nuk ishte ky. Gazi priste që së shpejti të merrte një detyrë të re. Pak muaj më pas do të zgjedhej Sekretar i përgjithshëm. Ndaj, kishte merak për punën që kishte bërë deri më tash si këshilltar ligjor i Grupit parlamentar. Donte t’ia besonte dikujt që do ta bënte po aq me përkushtim sa ai. Dhe e vërteta është se nuk besoj të ketë pasur ndonjë këshilltar të cilësdo partie, ta ketë kryer atë detyrë me aq shumë zell dhe përpikëri. Nuk ka një projektligj në 6 vite për të cilin Gazi nuk përgatiti një opinion ligjor. Veçanërisht, ai shkëlqeu si pjesë e ekipit të PD-së për ligjin e dekriminalizimit dhe reformën në drejtësi.

Ma propozoi mua pra, që me kalimin e kohës të merrja pozicionin e tij. Kishte biseduar edhe me kryetarin dhe ishte dakord – më tha. Sigurisht, u ndjeva i vlerësuar dhe mirënjohës për mundësinë që po më jepej. Megjithatë, isha në mëdyshje se angazhimi aq shpejt në parti, pavarësisht se në një pozicion teknik, do të më privonte disi nga mundësia për t’u rritur profesionalisht. Ndaj, nga fillim-Tetori aplikova dhe u pranova si jurist në studion ligjore, ku punoj edhe sot.

Më bëri përshtypje se gjatë rrëfimit të fillimeve të tij, Gazi më tregoi se kur kishte aplikuar për t’u pranuar si specialist në Ministrinë e Drejtësisë, i ati i kishte thënë që të mos lodhej kot. Megjithatë, ai kishte insistuar dhe ishte pranuar. Kishte punuar ditë dhe natë, nga mëngjesi në darkë, për ta merituar atë pozicion. Dhe ishte vlerësuar. Nga specialist në këshilltar i Ministrit, drejtor i Oponencës në Drejtorinë e Kodifikimit, më e rëndësishmja në Ministrinë e Drejtësisë.

M’i tha këto se donte të më nxiste të besoja se pavarësisht se vija nga një familje e thjeshtë, me punë dhe besim mund t’ia dilja. Ai ia kishte dalë. E di që kur vendosa të punoja në studio ligjore, pati një hatërmbetje. Por, nuk ishte veçse kalimtare sepse kur shefi i zyrës ku unë punoj e kishte pyetur për mua, ai i kishte thënë fjalët më të mira. Gjatë kohës që përfaqësova PD në KAS dhe Kolegj Zgjedhor, Gazi ishte kurdoherë i gatshëm për të më mbështetur dhe ndihmuar në atë betejë jo të lehtë.

E kuptoj që shumë njerëz e njohin vetëm nën kostumin e Sekretarit të përgjithshëm të PD-së, dhe për shkak të seriozitetit që i imponon pozicioni, mund t’iu duket i distancuar. Apo për shkak se mbi të bien një mijë e një punë e përgjegjësi, pamundësia për t’iu gjendur kujtdo apo kurdo, mund t’u duket indiferentizëm. Por, e vërteta – nga përvoja ime – është ndryshe. Gazment Bardhi është ndër njerëzit më të përgatitur, më punëtor, më të përkushtuar dhe më të ndershëm të familjes tonë politike. Ndaj meriton respektin dhe mirëkuptimin e secilit prej nesh.